Teuta e Durrësit shkruan historinë në futboll. Për herë të parë Djemtë e Detit shkojnë në turin e tretë të Kupave të Evropës. Dhe kjo ndodhi pas fitores 3-0 në Andorrë ndaj ekipit kampion të këtij vendi Inter Escaldes.
Durrsakët kishin humbur takimin e parë 0-2 në “Niko Dovana”, por në kthim bënë përmbysjen e madhe. Koha e rregullt përfundoi 0-2 në favor të Teutës. Ndërsa në shtesë u shënua goli i tretë.
Autori i dy golave për 90 minuta ishte Sebino Plaku, që realizoi nga një për secilën pjesë. Në fillim hapi sfidën në minutën e 25-të, ndërsa në 80-n realizoi golin e shpresës së kualifikimit. Në fund, durrsakët tentuan edhe golin e tretë, por nuk ia dolën dot.
Për pasojë, ndeshja shkoi në shtesë. Në fundin e pjesës së parë shtesë, miqtë nga Shqipëria përfitojnë penallti dhe nga pika e bardhë është Kallaku që realizon. Gol që do të ishte vendimtar për kualifikimin.