Disa ditë pas vendimit të gjykatës, ish-zv. Ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka ankimuar masën e sigurisë arrest shtëpie.
Sipas saj, ajo nuk ndodhet në kushtet ligjore për t’u vendosur nën masën e sigurisë. Voda pretendon përmes avokatëve të saj se nuk ka rrezikshmëri që të largohet apo të pengojë hetimin e të prishë provat.
Sërish, ish-zv.ministrja thotë se nuk ka ndërhyrë kurrë për t’i siguruar një vend pune Florida Beut.
Por pavarësisht pretendimeve të saj, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka publikuar përgjime të cilat provojnë të kundërtën.
AKUZAT NDAJ ROVENA VODËS
Ajo akuzohet për veprën penale “ushtrim ndikimi të paligjshëm”. Hetimet zbuluan se Voda kishte marrë një shumë prej gati 2 mijë euro nga shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani duke u premtuar në këmbim vende pune.
Mësohet se në përgjimet e mëvonshme, Beu dhe Hasani shprehin shqetësim se shuma e dhënë ka qenë e vogël dhe për këtë në një tjetër takim dyshohet se i kanë dhënë një aparat telefonik celular ish-ministres.
Në episodin e tretë, ish-zëvendësministrja Voda ka marrë një arkë me peshk në portin e Durrësit, që dyshohet të jetë dhënë me porosi nga një prej dy të dyshuarave të tjera.
Edhe pse Florida Beu aplikoi në disa vende në ministri, nuk ka kaluar as fazën e parë të konkurrimit dhe nuk ka fituar vend pune.