MENU
klinika

Gjermania premton ndihma për përmbytjet; Belgjika në zi

Katastrofa natyrore me 196 viktima/ BE ul flamujt në gjysmështizë

20.07.2021 - 16:33

Në vizitën e saj të dytë në rajonet gjermane të goditura rëndë nga përmbytjet, Kancelarja Merkel premtoi për ndihmë të shpejtë financiare, ndërkohë që në Belgjikë u zhvilluan ceremoni përkujtimore për viktimat. Belgët gjenden kështu në ditë zie vetëm një ditë përpara festës së tyre kombëtare.

Ndërkohë edhe flamujt përpara godinës së Komisionit Evropian u ulën në gjysmë shtizë në shenjë solidariteti për të paktën 196 viktimat e konfirmuara deri më tani nga përmbytjet.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri vizitën e saj të dytë në rajonin e shkatërruar nga përmbytja të martën ndërsa puna vazhdoi në Gjermaninë perëndimore dhe në Belgjikë për të pastruar grumbujt e mbeturinave të mbuluara me baltë dhe për të vazhduar kërkimin për gjetjen e viktimave të katastrofës së javës së kaluar.

Kancelarja Merkel ka premtuar ndihmë të shpejtë financiare dhe një fokus politik të shtuar tek ndryshimet klimatike.

 

 

Të martën, kancelarja vizitoi qytetin Bad Muenstereifel, disa kilometra nga fshati i shkatërruar Schuld, të cilin ajo e vizitoi të dielën.

Me të ishte guvernatori i rajonit Nordrhein-Westfalen, Armin Laschet, i cili mendohet se do të jetë zëvendësuesi i zonjës Merkel për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në shtator.

Ndërkohë në Belgjikë, mbreti, mbretëresha si dhe kryeministri i vendit, morën pjesë në një ceremoni përkujtimore të martën për viktimat e përmbytjeve vdekjeprurëse në Evropën Perëndimore.

Aktiviteti në Verviers në provincën Liege u mbajt ndërsa është shpallur një ditë zie kombëtare për 31 viktimat e Belgjikës.

Mbreti Philippe dhe Kryeministri Alexander De Croo mbajtën një minutë heshtje në kujtim të viktimave.

Edhe pse Verviers është një qytet modern me një infrastrukturë të fortë, ai ishte plotësisht i papërgatitur për atë që ndodhi.

Zyrtarët në qytet thonë se do të duhen muaj që zona të kthehet në normalitet.

Ndërsa ujërat e përmbytjes tërhiqeshin të hënën, autoritetet vazhduan kërkimet për më shumë viktima dhe intensifikuan përpjekjet e tyre për të pastruar një zonë të gjerë me ujëra të mbledhura në Gjermaninë perëndimore, Belgjikën lindore dhe Hollandë.

Ceremonia e sotme u mbajt një ditë para ditës kombëtare të Belgjikës.

Të gjitha festimet e nesërme do të anulohen ose do të pakësohen për shkak të jetëve të humbura në katastrofën natyrore.

Po kështu, flamujt e Bashkimit Evropian jashtë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel u ulën në gjysmë shtizë të martën në shenjë solidariteti për viktimat e përmbytjeve vdekjeprurëse në Evropën Perëndimore.

Të paktën 196 njerëz kanë vdekur nga shiu i madh që ra në Gjermaninë perëndimore, Belgjikën lindore dhe Hollandën ditët e fundit./VOA