Tre vëllezër nga Vlora janë arrestuar nga policia pasi akuzohen për “kundërshtim dhe goditje të gjyqtarit”, kryer në bashkëpunim.
Mësohet se tre vëllezërit Myslimi kanë kundërshtuar me dhunë gjyqtarin Arqile Basho në ambientet e brendshme të gjykatës.
Dje në disa media u publikua një video denoncuese ku personat në fjalë shfaqeshin duke u konfrontuar e duke debatuar me gjykatësin.
Prej tetë vitesh familja Myslimi po përplaset nëpër dyert gjykatave të Vlorës për një pronë e cila nga shtëpi banimi është bërë pallat.
“Ti e ke dhënë për herë të dytë këtë, ky gjykatës jep vendime të gabuara. Ky është ai Arqileja, mos ik e shit gjyqin. Sa lek ke marrë!”, ka thënë një prej familjarëve në gjyq.
Njoftimi i plotë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit M. M., 60 vjeç, F. M., 62 vjeç dhe E. M., 64 vjeç (vëllezër), të tre banues në Vlorë, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, në ambientet e brendshme të Gjykatës, kanë kundërshtuar me dhunë, shtetasin A. B., 63 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.