Jeta e polices Ina Nuka ka ndryshuar shumë që prej nëntorit të 2018-ës. Sot emri i saj i thotë pak kujtesës së shkurtër të Tiranës, por klithmat e vajzës kur një kapsollë luftarake i dëmtoi gishtat e dorës në protestë, vazhdojnë të jetë ulërima pa jehonë që akuzon shumëkënd. Ina u plagos bashkë me protestues të tjerë dhe kolegë të saj në përplasjet e dhunshme të banorëve të Astirit dhe opozitës me policinë, në një nga ngjarjet më absurde që ka prodhuar tranzicioni absurd, qesharak e kriminal shqiptar. Që atëherë Shqipëria që ka ndryshuar gjithashtu si Ina, ka pothuaj të njëjtën klasë politike, të njëjtin rreshtim në raportin pozitë-opozitë, të njëjtën harresë të tmerrshme për çfarë ka ndodhur dhe po atë aftësi të pakufishme për të prodhuar kauza në gota që thyejnë vetëm qelqin e tyre dhe shqyejnë nervat e tendosura të shqiptarëve.
Saga e Astirit, më pak se tre vjet më pas, është pasqyra perfekte ku gjithkush mund të shohë deformimin e frikshëm të klasës politike, por dhe të vetë shoqërisë shqiptare, moralin e kthyer përmbys, pandëshkueshmërinë e fajtorëve dhe fajtorët që predikojnë ndëshkim, luftën e shpikur si nevojë për të dëmtuar kundërshtarin edhe në ditë paqeje, hipokrizinë e skajshme dhe çdo ves tjetër ku notojnë mëkatarët me kravata apo edhe grabitësit e grabitur që konsiderohen heronj. Ina Nuku është gishti fatkeq që duhet t’i tundet përpara hundës çdokujt në këtë qytet që e konsideron të drejtën publike një pronë publike që nuk i përket askujt; një pronë mbi të cilën hipotekën e firmos vetëm politika.
Tre vjet më pas, duhet kthyer koka mbrapa për të parë të shkuarën. Dhe duhet të kujtohet edhe njëherë ajo kohë që shkaktoi tërmet në qeverinë Rama, që tensionoi në skaj përditshmërinë e vendit, që në rastin më të mirë prodhoi qindra mijëra orë të shtuara trafiku, mijëra drama të vogla vetjake, një vonesë të papaguar të vetë projektit dhe mbi të gjitha, ishin paradhoma e aktit më kriminal në politikë dhe atentatit dramatik ndaj demokracisë, djegien e mandateve nga opozita. Të gjitha bashkë këto, kanë sjellë një kosto të frikshme që nuk është gjykuar dhe mbi të gjitha, nuk është paguar ende.
Në fjalorin e inxhinierëve të ndërtimit thuhet se armiku më i egër i rrugëve, nuk është as moti i lig, as terreni i thyer dhe as koha që mplak çdo gjë, por janë politikanët që vendosin për rrugët. Veprat me asfalt nuk i përgjigjen aq ligjësive të shkencës, sesa japin hesap për interesat e votës apo llogarive të tjera që rrjedhin nga vullnetet e atyre që firmosin financimin e saj. Segmenti i Astirit në Tiranë është pika perfekte që shpjegon këtë aksiomë në mënyrën më të qartë dhe më të dhembshme të mundshme. Shumëkush ka harruar se çfarë ka ndodhur dhe askush nuk është kujtuar të verë gishtin mbi ndonjë fajtor, për vonesat ekstreme të punës dhe për lehtësinë e frikshme me të cilën njerëz publikë gabojnë dhe i largohen përgjegjësisë.
Rikthimi në këtë debat është një mundësi më shumë për të kuptuar se pse opozita e Lulzim Bashës u rikonfirmua si opozitë për një mandate të tretë dhe një leksion që gënjeshtra në luftën politike të së përditshmes, mund të japë frute të shpejta, por pema në fund është padyshim e helmuar dhe e padobishme. Eshtë edhe një leksion për të kuptuar sesi shpiket “Babalja” dhe si pastaj Babalet e politikës i besojnë pa kushte gënjeshtrës vetjake duke i dhënë një majë tjetër triumfit të marrëzisë që dikton veprime të marra.
Javanews.al ka konsultuar dosjen gjigante të punimeve me profesionistë të fushës dhe ata kanë dalë në përfundime të frikshme, nga ato të cilat janë në gjendje të thyejnë mite aty ku ato janë ngritur dhe të dëshmojnë fajtorë aty ku nuk mendohet se gjenden.
Miti i parë ishte se qeveria favorizoi një kompani që e fitoi garën me dokumente të fallsifikuara dhe me një mbulesë të rreme amerikane. Skandali i zbuluar nga media, një akt i shkëlqyer profesionalizmi që i bën nder medias, në rastin më pak të mirë parandaloi një garë të trukuar nga mashtrimi. Por skandali i zbuluar u përdor në mënyrën më të keqe të mundshme nga politika. E cila për ta drejtuar akuzën drejt qeverisë nuk morri parasysh ca të vërteta të thjeshta që nisin që me mungesën e detyrimit ligjor për të kryer verifikimin e dokumentacionit nga autoriteti kontraktor e deri tek fakti që vetë kompanitë mbajnë përgjegjësi për autenticitetin e tyre. Agjensia zyrtare kontraktuale, që në momentin e parë të dijenisë për fallsifikimin e mundshëm, anulloi kontratën dhe bëri kallzim penal të prokurori duke kërkuar njëkohësisht edhe sekuestrimin e garancive të kontratës së firmosur. Kompanisë ju hoq licensa dhe u propozuan edhe ndryshime ligjore. Prokuroria në fillim dhe më pas edhe gjykata, saktësuan se autoritetet publike nuk kishin asnjë përgjegjësi ligjore për historinë e skandalit.
Miti i dytë ishte se qeveria kishte vjedhur 40 milion euro në projektin e Unazës. E vërteta është se në asnjë nga tre segmentet ku ishte planifikuar të niste puna, që nga Pallati me Shigjeta dhe deri tek mbikalimi tek Sheshi Shqiponja, buxheti nuk kishte paguar atëherë asnjë qindarkë.
Miti i tretë është se një kilometër rrugë kushton 20 milion euro, meqë i gjithë segmenti është 2 kilometra dhe totali shkon në 40 milionë. Në fakt, detajimi i shpenzimeve është krejt i ndryshëm sepse bëhet fjalë për disa vepra inxhinierike njëkohësisht, që nga autostrada urbane, tek korsitë e kalimit, korsia e emergjencës, trafikndarësit me panele antizhurmë, rrugë dytësore, brez i gjelbëruar dhe korsi biçikletash, mbikalim dhe nënkalim në Sheshin Shpiponja. Çka e bën shumë herë më të lirë sesa është thënë koston për kilometër.
Miti i katërt është se projekti i ka kostot e fryra. E vërteta mund t’i afrohet këtij konstatimi, por është vetëm një pjesë e saj sepse volumet e punimeve dhe kostot e tyre janë llogaritur duke u mbështetur në Manualin Teknik të Çmimeve të Punimeve të Ndërtimit. Ky dokument është publik dhe është miratuar vite më parë duke reflektuar të njëjtin trend rritës të çmimeve që në kohën kur ministër transporti ishte kryetari i sotën e i opozitës. Janë apo jo reale çmimet e përfshira në këtë manual, sa janë ato në krahasim me vendet e tjera ku logjikisht çmimi i betonit apo asfaltit duhet të jenë pak a shumë njëlloj, ky është një debat krejt tjetër që nuk e bën dot as politika dhe as hajvanët e padobishëm që popullojnë me shumicë sallonet e saj. Mund ta bëjnë inxhinierët duke e krahasuar çmimet me manuale të ngjashme në Perëndim dhe duke i përshtatur me kushtet shqiptare.
Miti i pestë, “Ne të ndershëm, ata hajdutë!”. Ndërtimi i rrugëve ishte dashuria e madhe e dy mandateve të qeverisjes së zotit Berisha. Një krahasim i veprave të ngjashme, jep një pamje tjetër nga ajo që Basha, ish-ministër ndërtimi, tentoi të dëshmojë tre vjet më parë. Edhe pse çmimet e lëndëve të para janë rritur me rreth 30 për qind nga viti 2012 në 2015-ën, segmeti i ndërtuar në kohën e PD-së nga Komuna e Parisit tek pallati me Shigjeta kushtoi 29 milionë euro, pavarësisht se në krahasim me segmentin e Astirit ka më pak vepra inxhinierike, mbikalime, nënkalime dhe ura. Nëse do të llogaritet kostoja për kilometër rruge, rezulton se segmenti i tenderuar në kohën e PD-së është rreth 10 për qind më i shtrenjtë. Pa përfshirë këtu koston e Nyjes së Shqiponjës, i cili është gjithashtu një mit më vete kur konsiderohet si projekt i fryrë. Ky projekt që përfshin mbikalim pothuaj gjysëm kilometri të gjatë; rrethrrotullim në nivel dhe nënkalim rreth 300 metra, kap një kosto prej 9.7 milion eurosh, kurse mbikalimi i Kamzës, me vetëm 50 metra mbikalim dhe rrethrrotullim në një nivel të vetëm, ka kushtuar 8.4 milion euro, kurse mbikalimi i Shkozetit, pak a shumë në të njëjtat përmasa, ka kushtuar 6.7 milion euro.
Ka dhe më shumë se kaq. E gjithë procedura e kryer në vitin 2018 në të tre lotet përfshirë kostot e planifikuara, janë audituar nga prokuroria dhe nuk është gjetur shkelje penale. Dhe po kështu, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i drejtuar nga një opozitar i ashpër, korrekt dhe aspak miqësor me qeverisjen Rama si Bujar Leskaj, deputet i zgjedhur i PD-së, ka arritur sërish në të njëjtin konkuluzion.
Skandali i Astirit ka pasur disa nivele përgjegjësish. E para ka paguar policja Ina Nuku, kolegë të saj të dëmtuar dhe sidomos qytetarë të tjerë protestues, që i nxorri në rrugë sa halli vetjak, aq edhe gënjeshtra publike se po bëhej not në para dhe se për hir të vjedhjes, qeveria po i nxirrte në rrugë. Pas tyre ka ka paguar shumë shtrenjtë qytetari shqiptar. Vonesa gati disa vjeçare e projektit e ka lënë me një shërbim publik të munguar, për të mos folur për atë tmerr fizik e psikologjik që ka provuar në ditët e Luftës absurde të Astirit.
Më pas ka paguar shumë Edi Rama. Fillimisht ai besoi se skandali mund ta merrte dhe atë përpara, por e shmangu atë në momentin që rikonfiguroi qeverinë, largoi e sakrifikoi edhe njerëz që u perceptuan gabim se kishin përgjegjësi, siç bëri me një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë Gjiknurin. Rama largoi efektin e goditjes së parë ballore deri sa kuptoi i pari mekanizmin hipokrit të betejës së opozitës.
Kostoja e tij politike u arkëtua në dimrin e 2018-ës, por u pagua në zgjedhjet prillit të këtij viti, kur ai edhe në Astir ruajti kuotat elektorale të partisë së tij, madje edhe i rriti. Dhe më pas, si për të vërtetuar se paguan më shtrenjtë ai që paguan i fundit, ishte kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe opozita e tij që paguan po në 25 prill politikën babaliste dhe frymëzimin babalist të saj. Shqiptarët ju kërkuar dhe njëherë të rrinë në opozitë. Si në purgator: të pastrohen njëherë nga mëkatet dhe pastaj të mendojnë nëse mund të kenë ndonjë shans të mohojnë një mandat të katërt të socialistëve. Tek i cili do të mbërrijnë me domosdo nëse nuk kërkojnë më parë falje për një rresht të gjatë deformimesh që i kanë bërë moralit politik dhe që në rastin e Astirit, nis që nga ndjesa për policën Ina, tek kërkimfalja për qytetarin anonim të gozhduar në trafik apo dhe tek Damiani që bashkëshkroi me të Kodin Zgjedhor.
Përgjegjësia politike për ligjërimin publik në Shqipëri është si uji i lumit: nuk rrjedh kurrë dy herë nën të njëjtën urë. Debati nuk rikthehet më kurrë në të njëjtin argument sepse amnesia, përkohshmëria dhe diletantizmi i skajshëm i të folurës në publik, kanë shkuar prej kohësh në skaj. Askush nuk mban përgjegjësi për çfarë ka thënë dje sepse e nesërmja shpik temën e re të debatit, e cila një ditë më pas bëhet temë e vjetër për t’i lënë vend debatit të ri të karuselit pafund me sherre. Astiri nuk bën përjashtim. Ai është rregulli i diletantëve të ligj e të paditur, por që herët a vonë, një ditë paguajnë gjithmonë. Ose dhe shpërblehen herët a vonë. Duke nisur me hyrjen më të lehtë në Tiranë nga udhëtimi prej Jugut apo veriut të vendit.
Në Ballkan, ndërtimet e të shkuarës kërkonin gjithmonë kurban. Në Astir është bërë kurban edhe gjaku i polices Ina, edhe i kolegëve të saj, edhe i atyre qindra banorëve të mirë e të mjerë të zonës që u prekën nga ndërtimi dhe u përdorën si gjyle njerëzore për topat e opozitës. Dhëntë Zoti të mos kenë shkuar kot dhe të jetë pranuar kurbani dhe sakrifica shqiptare në Astir!