MENU
klinika

Vizita në Greqi

Kurti: Na duhet ndihmë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin

12.07.2021 - 12:32

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, javën e kaluar ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Symi Symposium në Athinë të Greqisë, i cili po zhvillohet sipas Chatham House Rules.

Kurti ka publikuar fjalimin e plotë të tij në këtë simpozium. Ai tha se ky simpozium jep mundësinë të takojmë mendje të shkëlqyera, akademikë e politikanë, artistë e aktivistë, njerëz me përvoja e profile të ndryshme të dedikuar për çështjen e progresit.

Në fjalën e tij ai tha se Kosova është njohur prej 117 shteteve e që tashmë është nisur që të përmirësohen marrëdhëniet edhe me vende si Greqia.

I pari i Qeverisë së Kosovës theksoi se nëse arrihet të zbatohet programi i tyre qeverisës për punë e drejtësi në Kosovë, atëherë do t’ia dalin që t’i bindin qytetarët që ta ndjekin lumturinë e tyre duke qëndruar në vendlindje.

Albin Kurti, mes tjerash thotë se duhen më shumë investime që të krijojmë vende pune dhe se duhet një shtet që mbron interesat e qytetarëve të tij dhe i jep një kuptim demokracisë.

“Na duhet ndihmë për të luftuar korrupsionin e krimin. Na duhen investues nga jashtë. Dhe na duhet dinjitet në skenën ndërkombëtare, që të trajtohemi si të barabartë mes shteteve e jo të poshtërohemi apo të na spërdredhin krahët për të na u imponuar, sepse ne dëshirojmë që njerëzit të mos jenë, dhe të besojnë që nuk janë pa të drejta, të zhveshur prej fuqisë demokratike që u takon, thjesht pse ka rastisur të lindin në një shtet të vogël e me mundësi të kufizuara ekonomike“, është shprehur Kurti./klankosova