Ka kohë që diplomatët amerikanë kanë hequr dorashkat.
Jo më larg se dje, ambasadorja e SHBA me një gjuhë cinike iu tha
anëtarëve të PD se për sa kohë Sali Berisha do të jetë pjese e PD dhe i
pa denoncuar nga kjo parti, ata do të hanë bar.
Do të jenë të izoluar dhe kushdo tjetër në ofertë, në këtë rast Edi
Rama, do të jenë të preferuarit e tyre. Që do të thotë se militantët e
saj do rrinë edhe për shumë kohë larg sofrës së pushtetit dhe do t’iu
ngjajnë vit pas viti shqiptarëve të hirnosur nga uria e viteve ‘80-të.
Ndërkohë në breg të Lanës nën cinxërimën e gjinkallës dhe aromës
së fekaleve, një pjesë rreshtohet në bllok me Berishën. Këta jo se nuk
e dinë që kjo është një kauzë e humbur, por shpresojnë në një kthim
të rrotës. A nuk ishte ‘97-ta një humnerë për doktorin por ai u kthye
prapë?
Në fakt këta harrojnë se Berisha ishte 24 vite më i ri dhe socialistët
ishin me letra të dyshimta në departamentin e shtetit. Tregues është
se asnjëherë në atë kohë amerikanët nuk ishin shprehur kaq ashpër
për Berishën.
Pas 30 vitesh DASH nuk ka asnjë hije dyshimi se kush është njeriu që
në fillim e sponsorizuan dhe pastaj e duruan. Tani e kanë flakur. Nuk
ju duhet më një kufomë politike.
Ka disa që besojnë se kjo është një lojë e Ramës me Sorosin dhe loja
mund të ndryshojë. Këta nuk ia vlen t’i marrësh në diskutim. Kaq
mbushin.
Një pjesë tjetër e dinë situatën por thjesht presin zhvillimet me
shpresë se fati, ndërkombëtarët dhe rrethanat do ta zbojnë Berishën
nga PD dhe lejojnë që kjo parti të zhvillohet normalisht. E kanë të
kotë. Të gjithë. Edhe Lulzim Basha bashkë me ta.
PD ishte një frymë e cila bëri për vete jo pak njerëz në krijimin e saj.
Në vite Berisha u kujdes të spastronte kundërshtarët që ishin edhe
valenca politike dhe intelektuale që e kishin sjellë në pushtet.
Pak nga pak, ajo u katandis në një shumatore fanatikësh, banditësh
dhe disa emrave që ende janë të papërzier në aferat e pista të
Berishës por që nuk kanë rrënjë në atë parti. Ata i heq dhe i vë kur të
dojë Berisha. Janë thjesht fasadë pa peshë në atë parti.
Për më tepër Berisha ka nën urdhrat e tij një skalion njerëzish të
punëve të errëta të cilët trembin edhe kryeministrin e Shqipërisë.
Këta janë marrë me vrasje, trafiqe dhe punë të tjera të zeza, pa
harruar postë kyçe në drejtësi dhe polici. Këtyre iu trembet edhe
Basha.
Iu trembet kaq shumë saqë nuk ka guximin dhe as ka për të
ndërmarrë iniciativën që të deberishizojë PD-në. Ajo tashmë është një
parti e cila do ndjekë Berishën në rrugëtimin e tij.
Do vdesë bashkë me të. Të vetmit që mund ta shpëtojnë Shqipërinë
nga oktapodi Berisha dhe sistemi okult i tij nuk janë as SPAK e as
Rama por amerikanët. Dhe këta mesa duket i janë futur punës. Kanë
edhe disa të fundmit iluzione për Bashën. Sapo të qartësohen për
pafuqinë e tij, do fillojnë të tregojnë fuqinë e tyre.
Nga Dritan Hila
Lamtumirë doktor!
31.07.2021 - 19:02