Në 16 muaj pandemi për herë të parë Shqipëria shënon periudhën më të gjatë pa humbje jete nga Covid 19. Viktima e fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë është regjistruar para 15 ditësh. Qershori u mbyll me pesë humbje jete duke u kthyer kështu në muajin me numrin më të ulët të viktimave ndërsa dhjetëditëshi iparë i korrikut nuk pati asnjë vdekje nga koronavirusi.
Sars CoV 2 sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka regjistruar në total 2456 viktima. Qarqet me më shumë humbje jete janë Tirana, Elbasani Fieri dhe Durrësi ndërsa më pak viktima janë shënuar në Kukës dhe Dibër.
Një tjetër panoramë paraqet numri i të infektuarve. Pas një periudhe qetësie ku disa qarqe u konsideruan të pastra nga Covid, javën e fundit vihet re një rritje dy shifrore e të prekurve dhe kthim i qyteteve në hartën me raste aktive.
Vetëm 10 ditëshin e parë të korrikut sipas të dhënave zyrtare u regjistruan afro gjysma e rasteve aktive që kishte vendi në mbyllje të qershorit. Rritja e numrit të të prekurve po shoqërohet dhe me shtim të atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Aktualisht nën mbikqyrjen e mjekëve në spitalin Covid 1 janë 6 pacientë ndërkohë që “Infektivi” muajin e shkuar e mbylli vetëm me një të sëmurë. Sezoni turistik ka rritur kontaktet dhe me persona jashtë kufijve ndërsa njerëzit po shpërfillin masat anti Covid.
Ndërkohë varianti “Delta” i koronavirusit ka kthyer alarmin në shumë shtete në Europë dhe përtej saj. Këto janë arsyet që sipas specialistëve të infektuarit me Sars Co V2 po pësojnë rritje. Aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar, por dyshime të forta për praninë e variantit më ngjitës të Covid 19 kanë mbërritur dhe në vendin tonë.
Instituti i Shëndetit Publik ka vënë re sinjale të pazakonta në disa prej analizave të kryera dhe mostrat I ka dërguar në Gjermani. Në pritje të konfirmimit nga laboratori i referncës specialistët apelojnë për të mos neglizhuar vaksinimin dhe mbajtjen e maskës në mjedise të mbyllura./abcnewsal