Punonjësit federalë në Uashington dhe disa qytete të tjera filluan të mbajnë maska përsëri në punë pas një përhapjeje të variantit Delta të koronavirusit. Punonjësve të qeverisë pritet t’u thuhet të enjten se do të duhet të vaksinohen ose t’i nënshtrohen testimit të rregullt për virusin.
“Ndërsa asnjë vendim nuk është finalizuar, them se vërtetimi i vaksinimit për punonjësit federalë është një mundësi që po shqyrtohet,” u tha gazetarëve Karine Jean-Pierre, zëvendës sekretare e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Joe Biden do të flas të enjten për çështje që lidhen me koronavirusin.
Shenjat për mbajtjen e maskave filluan të shfaqen të enjten në ndërtesat federale, përfshirë sallën e konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar që edhe të vaksinuarit të vinin maska.
Maska gjithashtu po kërkohen në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres. Mjeku i Kapitolit ndërmori veprimin pas rekomandimit të së martës nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që edhe ata që janë të vaksinuar duhet të mbajnë maska brenda ambienteve publike në zona me një transmetim të konsiderueshëm, ose të lartë të koronavirusit.
Kreu i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kundërshtoi, duke deklaruar se mandati i mjekut për maska “nuk është një vendim i bazuar në shkencë”.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e pyetur të mërkurën nga një gazetar në lidhje me reagimin e zotit McCarthy, u përgjigj, “Ai është mashtrues”.
Partia Republikane ka qenë “e pabindur” të përqafojë shkencën për nevojën e maskave dhe vaksinave mes pandemisë së koronavirusit, u tha zonja Pelosi më vonë gazetarëve gjatë një konference në Kapitol.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se administrata të enjten mund të njoftojë se personeli qeveritar do të duhet të tregojë prova se janë vaksinuar plotësisht për të shmangur testimin e rregullt ndaj koronavirusit.
Departamenti i Çështjeve të Veteranëve, i cili ka rreth 1,400 objekte mjekësore në Shtetet e Bashkuara, të hënën u bë agjencia e parë federale që kërkoi vaksinime të detyruara për personelin e saj të kujdesit shëndetësor.
Departamenti tha se gati 150 punonjës të tij kishin vdekur nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi të mërkurën se të gjithë punonjësit e shtetit – një forcë që arrin në dhjetëra mijëra njerëz – duhet të vaksinohen deri në Ditën e Punës, më 6 shtator.
Rastet e reja në Shtetet e Bashkuara janë rritur katër herë gjatë muajit të fundit. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të infeksioneve në botë, me më shumë se 34.6 milionë raste të konfirmuara dhe 611,000 vdekje.