Kurora me pisha dhe pemë e Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit, zonë e mbrojtur, vijon të jetë nën ‘pushtetin’ e flakëve.
Zjarri, i rënë që para 4 ditësh vijon të jetë aktiv, ndërsa janë përhapur edhe disa vatra të reja, për shkak se flakët po favorizohen edhe nga temperaturat e larta dhe era e fortë.
Terreni shumë i vështirë në malin e Tomorrit ka vështirësuar punën e zjarrfikësve për të bërë të mundur fikjen e zjarri, ndërsa prej tre ditësh tashmë forcat e mbrojtjes civile së bashku me Forcat e Armatosura po bëjnë ndërhyrjen nëpërmjet ajrit me helikopter, por sërish nuk ka mjaftuar për neutralizimin e vatrave të zjarrit. Sipas burimeve nga zjarrfikësja e Poliçanit, deri më tani janë djegur rreth 20 hektarë.
Për zjarrin janë arrestuar 2 persona, si autorët të zjarrvënis, gjatë kohës që ata mblidhni bimë medicinale në zonë. Në pranga ranë Bardhyl Murati, 50 vjeç dhe Elton Topi, 32 vjeç, të cilët kishin ndezur zjarr gjatë kohës që kanë qenë duke mbledhur bimë medicinale, por flakët u kanë dalë nga kontrolli duke djegur kurorën me pisha, zjarr që ende nuk po mund të shuhet për shkak të terrenit. Gjithashtu edhe 3 persona po ndiqen në gjendje të lire.