Mali i Zi ka arritur një marrëveshje me katër banka ndërkombëtare për të shmangur rrezikun që paraqiste për të një borxh 1 miliard dollarë ndaj Kinës. Lajmin e bëri të ditur agjencia e lajmeve MINA, e cila i referohet një deklaratë të ministrit të Financave, Milojko Spajiç. Marrëveshja që rifinancon borxhin parashikon edhe uljen e normës së interesit për shlyerjen.
Ministri i Ekonomisë Jakov Milatoviç tha për Reuters në fillim të këtij muaji se Mali i Zi ishte afër sigurimit të një marrëveshjeje për shkëmbimin ose rifinancimin e borxhit dhe shpresonte të ulte normën e interesit në nën 1%.
Mali i Zi, me 620,000 banorë, mori një hua prej 944 milionë dollarë nga Kina në vitin 2014 për të financuar një rrugë 41 km (25 milje) të një autostrade e cila, pasi të përfundojë, duhet të lidhë portin e saj kryesor të Barit me Serbinë fqinje, pa dalje në det.
Marrëveshja e re është nënshkruar me Societe Generale të Francës, Deutsche Bank të Gjermanisë, Merrill Lynch International dhe Goldman Sachs International me bazë në SHBA dhe ka një afat 14-vjeçar.
“Ne e kemi shpëtuar borxhin publik të Malit të Zi nga rreziku që ka qenë si lak në qafën e shtetit”.- tha Spajic.
Mali i Zi do të paguajë një normë interesi në euro prej 0.88% në vend të 2% që kishte paguar në dollarë amerikanë. Kjo do ta ndihmojë vendin të ulë borxhin e tij publik me rreth 103%.
Kredia nga Banka Eksport-Import e Kinës u mor në 2014 për një periudhë gjashtë-vjeçare, me maturim shtesë 14-vjeçar. Principali tashmë ka filluar të shlyhet.
Ekonomia e Malit të Zi u tkurr me 15% në vitin 2020, një nga tkurrjet më të mëdha në Evropë, pasi pandemia COVID-19 dëmtoi turizmin, burimin e tij kryesor të të ardhurave të vendit. Qeveria në Podgoricë parashikon rritje ekonomike 2021 me 10.5%, e ndjekur nga 6-7% në 2022.