MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Medalja (diplomacia) e artë e Kosovës kah Rusia

26.07.2021 - 22:10

Ndërsa të gjithë politikanët,njerëzit publikë, të rinj e të reja, të Kosovës dhe mbarë botës shqiptare po shprehin lumturinë dhe atashimin e tyre me sukseset olimpike të xhudisteve kosovare, duket me vend të mendohet dhe në një drejtim tjetër. Është krejt e qartë se suksesi i njohur botërisht i sportistëve kosovarë krijon potencial për diplomaci sportive ndaj vendeve jonjohëse, për shembull Rusisë. Kosova po fiton shumë nëpërmjet medaljeve të arta të sportistëve të saj duke përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare dhe ky është momenti më i përshtatshëm për t’iu drejtuar vendeve jo njohëse. Imazhi është premisa, së bashku me simbolikën. Pjesa tjetër është diplomaci klasike.

Si mund të veprohet?

Sportistët kosovarë, të instruktuar, nga ekspertë të komunikimit, dhe diplomatë apo në mënyrë krejt spontane, mund t’ i drejtohen Rusisë me një thirrje publike, në një media me rëndësi botërore, apo dhe ruse, për të vepruar në këtë drejtim, pasi Rusia është vendi që mund të shkrijë gjithë akujt botërorë diplomatikë që rrethojnë Kosovën. Edhe nëse ky veprim i veçantë do të dështonte, ndërkombëtarizimi i thirrjes, komentet dhe orientimet e ndara në opinionin publik rus dhe atë global, minimalisht do të fusnin në diskutim publik çështjen e Kosovës, dhe do të turbullonin pozitat e Serbisë në dialogun përballë Kosovës. Pse sot, pse pikërisht tani, a ka marrëveshje paraprake, etj, etj- do çmendeshin në paranojën e tyre mediat dhe politikanët serbë?
A është kjo një çudi? Jo, shumë sportistë medalistë po e përdorin fitoren për të lëshuar mesazhe ekstrasportivë me natyrë diplomatike, pikërisht duke përfituar nga publiciteti që të krijon një titull botëror. Përdorimi politik i medaljeve nga sportistë të vendeve të tjerë, ky kontekst politizues global i medaljeve konfirmon atë që Kosova mund të fitojë apo të humbë, një kartë të fuqishme të diplomacisë sportive nëpërmjet suksesit në xhudo.

A ka precedentë?

Ka një shembull nga vitet ’70 -, e ashtuquajtura diplomacia e ping-pongut mes SHBA e Kinës. Për koincidencë ishte një kampionat botëror po në Japoni, kur një ping –pongist amerikan humbi autobusin e shokëve të vet në kampusin stërvitor dhe ju bashkua autobusit të Kinës. U mor vesh me shenja me ta, dhe kolegu kinez ftoi kolegun e vet amerikan ne Kinë, lajm që bëri bujë sepse kur autobusi mbërriti, në stacion ishin krejt mediat e botës. Atëhere nuk kishte marrëdhënie diplomatike Kina e Maos me SHBA, por me Republikën kineze të vendosur në territorin e Tajvanit. Mao Ce Duni i informuar për rastin nga mediat, e pa, e studioi dhe luajti kartën e sportit si një mundësi për të shkrirë akujt me SHBA-, duke parapërgatitur kështu vizitën e Niksonit, aq shumë të kritikuar nga Enver Hoxha, në egocentrizmin e vet komik. Natyrisht sporti dhe aq më tepër topi i pingpongut nuk mjaftonte: ka ekzistuar vullneti i përbashkët për të vendosur marrëdhëniet mes SHBA e Kinës që ekzaltuan episodin në fjalë, madje edhe Shqipëria ka rol në futjen e Kinës në OKB, asokohe.

Po pse Rusia?

Sepse Rusia është një gur kandari që peshon shumë. Vendimarrja e saj mund të merret më lehtë, nga një president ekstravagant, por jo vetëm dhe ky veprim do të ndikonte automatikisht skakierën botërore. Vendet e tjera më të vogla kanë pazar tjetër dhe presin përmbylljen e dialogut. Ka një detaj interesant në favor të diplomacisë sportive kah Rusia. Majlinda Kelmendi që është medalistja e parë e Kosovës, u paraqit si kampione Europe në një kampionat europian në Kazan të Rusisë në 2016. Federata ruse mendonte mos e qaste ekipin kosovar, me pasaportat dhe flamurin, por prej angazhimit të Putin, njëlloj lojtari profesionist i xhudos, ajo hyri e u pranua, dhe Kosova në atë aktivitet falë Kelmendit, trajnerit Toni Kuka, rikonfirmoi medaljen europiane. Kelmendi legjendare pati rastin të mundte trajneren personale të xhudos të Presidentit të Rusisë Natalia Kuziutina ; himni i Kosovës u luajt në një sallë me rusë dhe Putinin mes tyre; flamuri i Kosovës u ngrit aty. Pengesat diplomatike nuk i kapërcejnë dot politikanët e Kosovës, ndaç të luftës, ndaç të paqes, ndaç dhe Albini megjithëse në zgjedhjet lokale mund të arrijë 60%- le të jemi realistë! Sportistët ama mund të tentojnë dhe minimalisht krijojnë opinion posaçërisht tek rinia në seicilin prej vendeve, për të favorizuar një zgjidhje diplomatike. Sportistët kosovarë përshembull mund të kërkonin të vizitonin Rusinë, të bënin tur trajningu me kolegët rusë, sipas parimeve të shkollës kosovare të xhudos, etj, dhe pse jo t’ i kërkonin njohjen Rusisë! Çdo arritje sportive kundrejt Rusisë do të ishte dhe diplomatike!
Koha është sot: pas një jave, pas një muaji ndoshta nuk është më e njëjta situatë.
Pse Rusia ? Rusia qeveriset nga një President autoritar që ka simpati për xhudon. Ai mund të bëjë një hap jo thjesht voluntarist drejt Kosovës, sepse ai është vetë Zot dhe vetë SHkop në atë vend të madh. Por dhe se Rusia mund të ketë interes në pranimin e Kosovës si realitet shtetëror që të ekuivalentohet me Krimenë në negociatat diplomatike. Ah, do më thotë dikush i shqetësuar për Krimenë dhe Pandorën: dashke të njihet Krimea? Po citoj ish sekretarin amerikan të shtetit Pompeo në një vizitë në Ukrahinë, i pyetur nga shoqëria civile atje, se ç’do të bënte me Krimenë, u përgjigj me realizëm: Rusia nuk e ka zakon t’ i kthejë gjërat që merr…