MENU
klinika

Dëshmia e rrallë e guerilasit

“Mehmet Shehu i fali jetën: Në Tiranë, më dënuan me vdekje…”

02.07.2021 - 12:37

       Publikohet historia e panjohur të Ramazan Beliut, apo siç njihet ndryshe, me mbiemrin Mëniku, ish-komandant njësitesh guerile të Tiranës dhe partizan në Brigadën e III Sulmuese, i cili, menjëherë pas luftës, u dërgua për studime në Jugosllavi dhe më pas, në Poznan, Poloni, ku pasi u ndesh me intrigat dhe makinacionet e organizatës së Partisë ku bënte pjesë, u largua nga radhët e saj, duke mos pranuar të ishte më si komunist, edhe pas shumë lutjeve, nga ana e ambasadorit Nesit Nase. Arrestimi i Ramazanit nga ana e Shërbimeve Sekrete polake me porosinë e Sigurimit të Shtetit nga Tirana, ku pasi e kaluan nëpër disa shtete të Evropës Lindore, me vaporin “Veliko Pjotër”, nga Konstanca e Rumanisë, e sollën të lidhur me pranga në Portin e Durrësit, ku e priti vetë Prokurori i Përgjithshëm, Xhavit Struga, me zyrtarin e lartë të Sigurimit të Shtetit, Shim Kolli. Hetuesia e gjatë e Ramazanit te ‘Selvija’ dhe në qelitë e Burgut të Vjetër deri sa doli në Gjyqin Ushtarak në Tiranë, ku u dënua me vdkeje, por më pas me ndërhyrjen e Mehmet Shehut, i’u fal jeta dhe vuajti vetëm tre vjet burg, pasi Abudlla Mëniku, ish-pronar i Hotel “Ballkan” në Tiranë, e kishte ndihmuar Sheh Ismailin, për t’i nxjerrë të drejtën e studimit, Mehmetit, në Shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it.

Nga: Dashnor Kaloçi

“Pas disa ditësh nga debatet që kisha bërë me shokët e organizatës bazë të Partisë ku militoja, teksa isha duke ngrënë, më trokiti dera dhe një person më tha se më kërkonin poshtë. Unë zbrita për të parë dhe aty dy persona më thanë që t’i ndiqja nga pas. E kuptova se ata ishin të shërbimeve sekrete polake, pasi menjëherë më futën në një autoveturë dhe më dërguan në Degën e Sigurimit (Shërbimi Sekret Polak) të qytetit të Poznanit”.

Kështu e kujtonte në mes të tjerash arrestimin e tij në Poloni në vitin 1951, tiranasi Ramazan Beliu (apo Mëniku siç është mbiemri i vërtetë i kësaj familje), ish-komandant i dy Njësiteve Guerile të kryeqytetit dhe ish-partizan në Brigadën e III-të Sulmuese, i cili pasi nuk pranoi të qëndronte më në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare, i’a ndërprenë në mes studimet e larta për Mjeksi në Poloni dhe e sollën në Tiranë, ku pasi e mbajtën shumë kohë të izoluar, gjyqi fillimisht e dënoi me vdekje, me pushkatim. Lidhur me këtë dhe të gjithë jetën e Ramazanit, që nga origjina e familjes, miqësia e babait të tij, me Sheh Ismailin, të atin e Mehmet Shehut, kontributi i tij dhe gjithë familjes Mëniku në Luftë, kush dhe si e shpëtoi Ramazanin nga pushkatimi, etj., na njeh intervista e tij ekskluzive që po publikojmë në këtë shkrim.

Zoti Ramazan, ku u emëruat me punë pas mbarimit të Luftës?

Menjëherë pas mbarimit të Luftës, mua më emëruan në funksionin e Kryetarit të Këshillit Popullor të lagjes “Ali Bej” këtu në Tiranë. Në atë detyrë unë shërbeva deri në vitin 1947, kur më dërguan për studime në Jugosllavi, në degën e Mjeksisë. Por pas 18 muajsh, ne na kthyen në Tiranë, për shkak të prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë me Jugosllavinë.

Kë kujton tjetër nga shokët tuaj që ishin me ju në atë kohë për studime në Jugosllavi?

Në atë kohë bashkë me mua, studionin edhe Bajram Preza, Shyqëri Basha, Hasan Shehi etj. Pasi qëndruam për pak kohë në Tiranë, në fundin e vitit 1948, ne na dërguan për studime në Poznan të Polonisë, për të ndjekur studimet e lëna përgjysmë në Jugosllavi. Në atë qytet të Polonisë, ne ishim gjashtë studentë shqiptarë, ku tre studionin për Mjeksi dhe tre për Agronomi. Unë ndoqa studimet për dy vite e gjysmë, deri në vitin 1951, kur më arrestuan dhe më kthyen në Shqipëri.

Përse ndodhi arrestimi juaj?

Arrestimi im ndodhi pas disa përplasjeve dhe konflikteve të ashpra që unë pata në organizatën e Partisë e cila përbëhej nga gjashtë studentë që thashë pak më lart. Tre prej nesh, ishin anëtar Partie dhe tre të tjerë, kandidatë. Unë isha kandidat, pasi nuk kam pasur asnjëherë dëshirë që të bëhesha anëtar partie, sepse nuk e duroja dot disiplinën e Partisë dhe më kryesorja, se më pëlqente të isha i lirë.

Po si ju pranuan si kandidat Partie, kur ju nuk kishit dëshirë?!

Edhe si kandidat Partie, mua më pranuan jashtë dëshirës sime në vitin 1945 dhe për ketë jam penduar shumë kohë më pas, por ishte tepër vonë.

Çfarë konflikte patët në organizatën e Partisë?

Përplasjet dhe konfliktet që pata në organizatë ku bëja jetën e Partisë, nuk lindën brenda ditës, por ato erdhën gradualisht. Shkak për këtë gjë u bënë makinacionet dhe prapaskenat e shumta që bëheshin brenda radhëve të organizatës sonë. Për këtë arsye, çdo ditë e më shumë zhgënjehesha nga ato që shihja dhe dëgjoja, pasi ne kishim luftuar për të tjera ideale dhe ëndrrat tona të rinisë nuk po realizoheshin ashtu siç na kishin thënë dhe propaganduar me të madhe që në kohën e Luftës.

Përveç këtyre, konkretisht për çfarë arsyesh erdhën përplasjet e kontraditat me organizatën e Partisë?

Përplasja ime më e madhe me ata që drejtonin organizatën tonë, erdhi pas një mbledhjeje, kur njëri nga shokët, bëri autokritikë duke thënë: se sekretari e kishte shtyrë që të më sulmonte mua. Kur dëgjova ato fjalë, u shtanga dhe u dëshpërova pa masë, pasi nuk e prisja atë gjë dhe menjëherë u ngrita e debatova ashpër me ta. Pasi nuk u lashë gjë pa thënë, duke i quajtur “gangster”, “tufë horrash” etj., u bëra të ditur, që të mos më lajmëronin më për mbledhje, pasi që në atë moment isha larguar nga Partia.

Cili ishte reagimi i tyre pas fjalëve dhe akuzave tuaja në atë mbledhje?

Atë ditë, mbledhja u prish, por të nesërmen aty erdhi urgjent ambasadori ynë në Poloni, Nesti Nase, i cili pasi analizoi situatën në organizatën tonë, mbajti anën time, duke më thënë që të mos largohesha nga Partia. Por unë nuk pranoja, duke i thënë që: nuk mund të qëndroj më në atë organizatë dhe fjalës sime i qëndrova deri në fund.

Çfarë ndodhi me ju më pas, si rrodhën ngjarjet pas atij konflikti?

Pas disa ditësh nga debate që kisha bërë me shokët e organizatës, teksa isha duke ngrënë, më trokiti dera dhe një person më tha se, më kërkonin poshtë. Unë zbrita për të parë dhe aty dy persona më thanë që t’i ndiqja nga pas. E kuptova se ata ishin të Shërbimeve Sekrete polake, pasi menjëherë më futën në një autoveturë dhe më dërguan në Degën e Sigurimit të qytetit të Poznanit, ku më mbajtën për tetë orë dhe aty e kuptova se isha në duart e Shërbimeve Sekrete polake.

Ku ju dërguan më pas dhe a ju thanë se përse u kishin sjellë aty?

Ata nuk më thonin asnjë fjalë se përse më kishin marrë dhe as se ku po më çonin. Pasi më morën që andej, më hipën në një tren dhe më dërguan për në kryeqytetin polak, Varshavë. Para se të më hipnin në tren, dy njerëzit e Sigurimit polak, deshën të më lidhnin, por unë kundërshtova dhe puna shkoi gati në konflikt fizik. Gjatë udhëtimit në tren, ata më bënin provokime nga më të ndryshmet, si: duke më lënë pistoletën të varur në rrip afër meje, etj. Në Varshavë, më mbajtën për një ditë e gjysëm dhe nga aty, më nisën përsëri me tren për në Çekosllovaki. Në stacionin e Pragës, mua më dorzuan tek një oficer shqiptar, i cili m’u prezantua si ‘atasheu ushtarak’ i yni në Çekosllovaki. Ai me shoqëroi deri në kufirin me Hungarinë dhe rrugës nuk më tha asnjë fjalë.

Po në kufirin me Hungarinë, kush u priti?

Ai më dorëzoi te një person i Shërbimeve Sekrete të Hungarisë, i cili më çoi në stacionin qendror të tyre në Buda, ku më mbajtën për 16 ditë në kushte shumë të vështira. Më pas Sigurimi hungarez më shoqëroi me tren për në Rumani, ku më mbajtën për 40 ditë në zyrat qendrore të Shërbimeve Sekrete të Rumanisë. Edhe kur isha në Hungari, edhe aty në Rumani, gjatë kohës që më mbanin të izoluar, mua më futën në qeli një provokator, të cilin e kuptova dhe nuk i fola asnjë fjalë. Pas 40 ditësh izolimi në Bukuresht, më dërguan në portin e Konstancës ku më hipën në vaporin “Veliko Pjotër”, i cili do të udhëtonte për në Durrës.

Po aty në vapor u mbajtën të izoluar dhe kush ju priti në Durrës?

Edhe në vapor mua më mbajtën të izoluar dhe kur po kalonim Dardanelet e do të bëhej kontrolli nga ana e autoriteteve zyrtare turke, me qëllim që të mos më shikonin turqit se isha i izoluar, por edhe nga frika se mos hidhesha në det, në dhomën time futën disa shqiptarë që ktheheshin nga një turne teatror, për të më pasur nën vëzhgim. Kështu kaluam edhe atë pengesë në ngushticën e Dardaneleve, e cila mund t’u sillte probleme. Në Portin e Durrësit, pasi më kontrolluan, mua më morri në dorëzim, Shim Kolli, por më pas mësova se për problemin tim, aty kishte ardhur edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, kolonel, Xhavit Struga.

A i njihnit ju ata të dy?

Patjetër, të dy i kisha pasur shumë shokë gjatë periudhës së Luftës.

Ku ju dërguan ata?

Shim Kolli më dërgoi në Degën e Sigurimit të Shtetit në Durrës, ku më mbajtën për 24 orë të lidhur dhe po ashtu, të lidhur me zinxhirë, i shoqëruar edhe nga një polic i armatosur, më nisën për në Tiranë, duke me hipur në një makinë që transportonte gëlqere. Ai udhëtim ishte tepër i vështirë, pasi frynte erë dhe pluhuri i gëlqeres më hyri deri në mushkri.

Po në Tiranë, ku u dërguan?

Në Tiranë më dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ishte tek Shtëpia e Begejave, e cila ndodhet edhe sot në fillimin e Rrugës së Dibrës. Nga aty më dërguan në Komandën e Vendit dhe në darkë në “Burgun e Vjetër”, duke më izoluar në një nga qelitë e Hetuesisë.

Sa kohë ju mbajtën në hetuesi dhe për çfarë ju akuzonin?

Aty në atë qeli më mbajtën gati dhjetë muaj dhe akuza që më bënë ishte: “Veprimtari armiqësore kundra popullit dhe Partisë”. Hetuesi vetëm njëherë më morri në pyetje dhe më thoshte “Fol, armik i popullit”. Unë nuk e pranova akuzën dhe duke i thënë se çfarë të keqe i kisha bërë popullit dhe Partisë, por ai vazhdonte të më quante “armik” dhe më kërkonte të firmosja akt-akuzën. Unë nuk pranoja ta firmosja, pasi isha i bindur, se si popullit dhe Partisë, nuk i kisha bërë asnjë gjë të keqe. Por u detyrova ta firmosja, pasi një polic më tha se nuk më nxirrnin dot në gjyq, pa e firmosur akt-akuzën.

Kur ju nxorën në gjyq dhe sa ju dënuan?

Në gjyq i cili u bë me dyer të mbyllura, më nxorën pas afro dhjetë muajsh hetuesie dhe trupi gjykues ishte i Gjykatës Ushtarake, ndërsa Prokurori ishte një djalë i ri me gradën e kapitenit. Ndonëse unë nuk kërkova fare avokat, shteti më caktoi për të më mbrojtur, avokatin e njohur, Totozani.

A e kujtoni me emra se kush ishte në trupin gjykues?

Me emra nuk i kujtoj dot, pasi ka kaluar gjithë ajo kohë, por mbaj mënd se në trupin gjykues ishte dhe një nga Tepelena me dorë të prerë, që nga koha e Luftës. Ndërsa prokurori, mezi priste që të më dënonte, i gjithë trupi gjykues, më shikonte gjithë keqardhje.

Çfarë ju thoshte prokurori?

Pas komunikimit të akt-akuzës, prokurori më tha: “Pranoje i pandehur se ka dashur që të arratisesh dhe se të kanë kapur në kufi”.

Po ju, si u përgjigjët?

Unë i thashë se ku paskam dashur që të arratisesha, duke i përmendur që të gjitha vendet që kufizoheshin me Poloninë, të cilat ishin gjithashtu si edhe ne, vende komuniste. Ai mbeti i zënë keq dhe shikonte nga trupi gjykues, si për të kërkuar një ndihmë prej tyre. Pas kësaj, unë u thashë se nuk më interesonte fare ai gjyq, edhe sikur të më nxirrte të pafajshëm, pasi mua më kishin futur nëpër burgje dhe më kishin nxjerrë të lidhur nëpër rrugë përgjatë pazarit, duke më diskretituar si armik i popullit. Fjalët e mija ishin të ashpra dhe të gjitha këto i bëra me qëllim që të më dënonin me vdekje, pasi më ishte mërzitur jeta, aty në qelitë e izolimit.

Si përfundim, sa ju dënuan?

Në fund, Prokurori kërkoi dënimin tim me vdekje dhe gjykata e la në fuqi pretencën e tij, për dënimin kapital. Kur më kërkuan fjalën e fundit, unë i thashë: Zbatoni vendimin.

Si ndodhi jua falën jetën dhe kur ua komunikuan?

Pas dhënies së dënimit me vdekje, mua më dërguan në qeli, ku për muaj të tërë, prisja që të më vinin për të më marrë dhe të më ekzekutonin. Pas afro një viti aty në qeli, më dërguan në burgun e Artizanatit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku qëndrova edhe dy vite të tjera. Kështu për tre vite me rradhë, unë rrija me ankthin se kur do të vinin për të më marrë dhe pushkatuar. Faljen e jetës unë e mësova nga një i dënuar, por nuk e besoja, pasi kujtoja se ishin vetëm fjalë, ashtu siç ndodhte shpesh me të burgosurit dhe vetëm kur dola nga burgu e shkova në shtëpi, e kuptova se nuk më kishin gënjyer. Me të dalur jashtë nga burgu, munda ta mësoja të vërtetën se kush kishte ndërhyrë për të më falur jetën dhe ai ishte Mehmet Shehu.

Përse kishte ndërhyrë Mehmet Shehu, për t’jua falur jetën a kishte ndonjë njohje, apo lidhje me të?

Babai im, Abdulla Mëniku, (Deliu) ishte njeriu që kishte ndërhyrë për të nxjerrë të drejtën e studimit Mehmet Shehut, për në Shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it në Tiranë, në fillimin e viteve ’30-të, në kohën e Monarkisë së Zogut. Në ato vite, babai im kishte marrë me qera, hotelin “Ballkan”, i cili ka qenë dikur fare pranë ish-Komitetit Ekzekutiv në qendër të Tiranës. Kur babai i Mehmetit, Sheh Ismaili, kishte ardhur në Tiranë që të interesohej për t’i nxjerrë të birit të drejtën e studimit, ai kishte fjetur disa ditë në hotelin tonë. Im atë, ka qenë nga natyra një njeri me zëmër të madhe, që mundohej për t’i bërë mirë kujtdo. Kështu kishte ndodhur edhe me Ismail Shehun, të cilit i tha që të kthehej në Mallakastër, se për të drejtën e studimit të djalit të tij, do të kujdesej ai, me anë të miqve të shumtë që kishte në Tiranë. Dhe vërtet, babai arriti që t’i nxirrte Mehmet Shehut të drejtën e studimit për në shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it. Përveç kësaj, im atë, i’a morri përsipër Sheh Ismailit, që do të kujdesej për të birin e tij, Mehmetin, njësoj si për djemtë e tij. Kështu gjatë periudhës që Mehmeti ndoqi studimet në Tiranë, im atë interesohej dhe i jepte të holla, të cilat s’pranoi kurrë që t’ja merrte Sheh Ismailit, kur ai vinte në Tiranë për të parë të birin. Nisur nga kjo miqësi, në kohën që unë isha i dënuar, im atë, Abdullai, i tha të vëllait, Saliut, që të shkonte tek Sulo Shehu, djali i xhaxhait të Mehmetit, që ishte ushtarak. Saliu shkoi menjëherë tek Sulo, i cili u tregua shumë i gatshëm dhe pasi takoi Mehmetin duke i treguar problemin që kishte, erdhi te babai dhe i tha: “Abdulla, ajo punë është e mbaruar”. Mehmeti ja kishte marrë përsipër atë gjë në shenjë mirënjohje, për atë që kishte bërë im atë dhe kështu m’u fal jeta dhe duke më nxjerrë nga burgu, vetëm pas tre vitesh.

Kur u liruat nga burgu, ku u sistemuat me punë?

Pasi më lanë plot 11 vite pa punë, me vështirësi arrita të futem në punë si punëtor në Ndërmarrjne e Ndërtimit “21 Dhjetori”, ku punova pa ndërprerje në llaç e tulla deri ditën që dola në pension në vitin 1982. Gjatë atyre viteve, kërkoja që të futesha në punë si infermier të Morgu i spitaleve, pasi kisha studiuar katër vite shkollë të lartë për Mjeksi, por as aty nuk më lejuan që të punoja. Por kjo gjë ishte gjysma e së keqes, pasi katër fëmijët e mi, përfituan dhe u diplomuan në shkollat e larta dhe me këtë gjë ngushëllohem për ato vuajtje që kalova në jetën time.

Ramzan Beliu: Si i nxora nga burgu Fiqret Shehun dhe Drita Kosturin?

Ramzan Beliu, apo siç njihet ndryshe edhe me mbiemrin, Mëniku, (i cili është mbiemri i vërtetë I tyre), u lind në vitin 1921 në një familje të pasur tiranase, ku babai i tij, Abdullai, në vitet e Monarkisë së Zogut, kishte me qera Hotelin “Ballkan” në qendër të kryeqytetit. Përveç hotelit, nga i cili nxirrte shumë të ardhura, Abdullai kishte në pronësi të tij edhe gjashtë shtëpi në Tiranë (katër pas Ministrisë së Arsimit, një tek “Mine Peza” dhe një në Kamzë), të cilat ai i lëshonte me qera. Ndonëse nuk u përzie fare me punët e politikës, Abdullai kishte një simpati te veçante për Mbretin Zog. I biri i tij, Ramazoni, (siç e thërrisnin në dialektin tiranas), pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare, ndoqi për një vit Shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it dhe e braktisi atë, pasi në atë kohë u hoq gjuha angleze, që ai e pëlqente shumë. Pas kësaj ai ndoqi gjimnazin e Tiranë dhe në vitin e fundit kur ishte në maturë, ai u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare, së bashku me Todoi Lubonjën e Muharrem Çoratin, ku në atë mbledhje si i deleguar nga PKSH-ja, ishte Misto Mame dhe Hysen Begeja.

Pas pranimit në rradhët e PKSH-së, Ramazani u lidh ngushtë më Lëvizjen Antifashiste duke u bërë edhe komandanti i dy njësiteve guerrile të kryeqytetit, ku morri pjesë në dy aksione. Në atë kohë që drejtonte ato dy njësite, Ramazani tregon se morri pjesë në një aksion ku së bashku me shokët e tij, liruan nga Burgu i Vjetër i Tiranës, Fiqrete Sanxhaktarin (Shehun) dhe Drita Kosturin, të fejuarën e Qemal Stafës. Po kështu, të gjitha shtëpitë e Abdulla Mënikut u bënë baza të rëndësishme të Luftës Antifashiste dhe aty streoheshin e bënin mbledhje disa nga emrat e njohur të Lëvizjes Komuniste, si: Misto Mame, Vojo Kushi, Liri Belishova, Qazim Vaqarri etj. Nisur nga kjo, në vitin 1944, gjermanët i dogjën dy shtëpi të kësaj familje, dhe donin t’i pushkatonin të gjitha gratë dhe fëmijët, duke i vënë përpara mitrolozit. Në vitin 1943, Ramazani shkoi në fshatin Priskë dhe me urdhër të Gogo Nushit, u rradhit si partizan i Brigadës së III-të Sulmuese, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e saj. Në vitin 1944, me urdhër direkt të Enver Hoxhës, Ramazani me Astri Lekën, shkuan në Kosovë për të blerë grurë për brigadat partizane. Në fundin e vitit 1944, ai u sëmur dhe e urdhëruan që të kthehej pranë familjes në Tiranë, aty ku e gjeti dhe mbarimi i Luftës. Pas vitit 1945, fisi Mëniku u persekutua dhe disa prej djemve e burrave të saj, u burgosën, internuan dhe u pushkatuan. Njëri nga këta, ishte dhe xhaxhai i Ramazanit, që u pushkatua në vitin 1946.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët