MENU
klinika

Apeli i Manastirliut: Rastet e infektimeve po rriten!

Mijëra vaksina drejt Shqipërisë, por njerëzit nuk kanë interes

15.07.2021 - 18:33

Frika nga mutacioni “Delta” nuk i ka nxitur qytetarët të vaksinohen, përkundrazi. Rritja e numrit të dozave që kanë hyrë në vend ka ardhur në disproporcion me numrin e atyre që duan të injektojnë lëngun e çmuar.

Numri i dozave të administruara ka arritur në 1 milion e 35 mijë, 6 mijë e 443 prej të cilave u kryen vetëm ditën e djeshme. Por sipas të dhënave të analizuara në detaje, vetëm dy mijë e 26 figurojnë të kenë marrë dozën e parë, pasi 4407 të tjerët injektuan të dytën. Ky numër ka ardhur në ulje, pavarësisht se Shqipëria vijon të presë sasi të tjera. Pas 18.7 mijë dozave “Pfizer” që erdhën të hënën, brenda javës pritet të vijnë edhe 340 mijë të tjera “Coronavac”, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Nga Qendra Shëndetësore e Borizanës apelon qytetarët të bëjnë kujdes, pasi shifrat e infektimeve po rriten. “Në ditët e ardhshme pritet të mbërrijnë në vend, në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare, edhe 340 000 vaksina ‘Coronavac’. Rritja e lehtë e rasteve të infektimeve na tregon që duhet të shtojmë vigjilencën, ndërkohë që fokusi është vaksinim”. Në këtë linjë shkon edhe apeli i ekspertëve të Komitetit Teknik, të cilët po diskutojnë edhe për shtrëngim masash në rast të konfirmimit të mutacionit “Delta”. “Është e rëndësishme që të vaksinojmë grupin e riskut. Transmetuesit më të mëdhenj janë adoleshentët. Në ditët e hapura të vaksinimit, ata duhet të vaksinohen”, thotë Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Prej ditësh, grupet e vaksinatorëve me njësitë lëvizëse kanë dalë derë më derë për të injektuar vaksina në grupet që nuk kanë mundur apo treguar interes për t’u vaksinuar, ndonëse janë brenda fashës së duhur. Me mbërritjen e dozave të “Coronavac”, ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi intensifikim të fushatës me zgjerim të fashës së vaksinimeve, si dhe la të hapur mundësinë e ditëve të dedikuara për qytetarët mbi 18 vjeç që duan të vaksinohen.

1.2 MILIONE DOZA kanë mbërritur në Shqipëri që nga 11 janari, kur nisi procesi i vaksinimit me 1 mijë dozat dhuratë nga një shtet, emri i të cilit nuk u tha kurrë nga qeveria. Prej tyre janë administruar 1 milion e 35 mijë e 667 doza vaksinash të kompanive “Pfizer”, “Coronavac”, “AstraZeneca” dhe “Sputnik V”. Ndryshe nga ditët e para që ishin intensive dhe numëroheshin mijëra qytetarë që ofroheshin e madje prisnin në radhë për t’u vaksinuar, tanimë qendrat në sheshin “Skënderbej” i shikon thuajse bosh. Nga vaksinat ditore të injektuara shumica janë dozë e dytë.

Asnjë fatalitet prej Covid në 18 ditë, tetë të infektuar Për të tetëmbëdhjetën ditë me radhë nuk është regjistruar asnjë vdekje në Shqipëri për shkak të Covid-19, ndërsa numri i të infektuarve ditorë vijon të mbetet në marzhe të ulëta. Ndonëse janë kryer mbi katër mijë testime, nuk janë identifikuar më shumë se tetë raste të reja. “Në 24 orët e fundit janë kryer 4136 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 8 qytetarë në këto bashki: 4 raste në Tiranë, nga 1 rast në Durrës, Elbasan, Sarandë, Kolonjë”, citohet në buletinin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë.

Edhe situata në spitale vijon të mbetet e qëndrueshme. Në të vetmen strukturë spitalore të mbetur po trajtohen tetë pacientë, shifër e pandryshuar në dy ditët e fundit, ndërsa gjashtë persona ia kanë hedhur Covid-19 duke u deklaruar të shëruar. Pavarësisht shkallës tejet të ulët të infektimit në vend krahasuar me të gjitha vendet e Europës, Ministria e Shëndetësisë vijon të mbajë në fuqi orën policore të vendosur në datë 11 nëntor 2020, kohë kur Shqipëria ishte përfshirë nga vala e dytë e madhe e pandemisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po bëhet gati struktura te stadiumi “Air Albania”

“Çështje javësh”/ Rama takon mjekët: Ju do vaksinoheni të parët

Në spital rreth 1 për qind e të infektuarve aktivë. Arsyet

Dyfishohen rastet me COVID-19, por më pak të shtruar!