Një kryeinspektor dhe 3 inspektorë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit janë ndaluar nga Policia në Dibër.
Dyshohet se ata nuk kanë ushtruar kontroll konform ligjit për mbrojtjen e territorit, kanë përpiluar akte administrative fiktive dhe kanë favorizuar dy shtetas për të kryer ndërtim pa leje në një hapësirë publike.
Njoftimi i plotë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “INSPEKTORATI”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.
Nuk ushtruan kontroll konform ligjit për mbrojtjen e territorit, përpiluan akte administrative fiktive dhe favorizuan dy shtetas për të kryer ndërtim pa leje në një hapësirë publike, ndalohen nga Policia, kryeinspektori dhe 3 inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit.
Shpallet në kërkim policor ish-kryeinspektori, procedohen penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për lejimin e ndërtimeve pa leje, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër kanë ushtruar kontrolle të pandërprera në terren për këtë qëllim dhe kanë goditur disa raste.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, në vijim të punës hetimore për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërdorimit të detyrës, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, kanë finalizuar me sukses operacioni policor të koduar “Inspektorati”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:
• F. R., 33 vjeç, banues në Arras, Dibër, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër;
• J. O., 32 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër;
• Sh. I., 51 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.
• A. C., banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. XH., 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.
Ndalimi i shtetasve të lartpërmendur dhe shpallja në kërkim e shtetasit E. XH., u bë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë me detyrë të ngarkuar për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e territorit në juridiksionin e bashkisë Dibër, nuk kanë ushtruar kontrollin konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara, duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B..
Po në vijim të hetimeve për dokumentimin e plotë të këtij rasti, ka nisur procedimi penal dhe për shtetasit B. Sh., 62 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtor i DPKZHT-së bashkia Dibër, A. C., 29 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Kontrollit Territorit dhe E. Sh., 41 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, pasi kanë lëshuar leje rikonstruksioni për shtetasin Sh. B. dhe nuk kanë kryer procedurën përkatëse për ushtrimin e kontrollit në territor për zbatimin e lejes së lëshuar.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.