MENU
klinika

Nga Altin Bamllari

Nuk ka si Greqia!

31.07.2021 - 20:24

Vit pas viti më mbushet mendja që ky vend është dhurata më bujare që Zoti u ka falur njerëzve. E përfytyroj krijuesin herë si piktor që shton e heq ishuj në një telajo të stërmadhe blu e herë si skulptor që gdhend historinë në qindra monumente e legjenda. Greqia është magji.

Jam në Santorini dhe vetëm hotelin kam rezervuar në gjuhën greke. Gjithçka tjetër shqip. Shqip në recepsion, shqip me sanitaret, shqip me shoferët e taksive dhe furgonave, shqip me mirëmbajtësit, shqip me kamarierët, shqip me bahçevanët, shqip në pikën e karburantit, shqip dhe emri i ishullit sipas Nardit, fierakut menaxher të një kompleksi vilash. -Santorini do të thotë “sa do rrini”, më shpjegon ai si një linguist me diplomë. Thira, kryeqendra e Santorinit vjen përsëri nga shqipja, “thirra”, vazhdon ai.

Lagjia më luksoze Oia, me pamjen më tërheqëse të perëndimit të Diellit, do të thotë “Ja” e plot të tjera fjalë që, sipas tij, rrjedhin veç nga shqipja.
Dhëmbëjashtë, të dashur, kuriozë, punëtorë e hazerxhevap, ata mbajnë, në plot kuptimin e fjalës, peshën e turizmit, ekonomisë, pse jo dhe magjinë e vendit fqinj. Kot rrekem t’u mbush mendjen që sikur gjithë këtë energji ta derdhin në Shqipëri, mund të ishim edhe ne një xhevahir në pellgun e Mesdheut.

Por ata mbledhin buzët. Nuk kanë besim. Fajin e gjejnë te të tjerët. Një herë shajnë politikanët, pastaj vetë rracën tonë, pastaj e zenë me grekët, pastaj me serbët. Nuk dinë të mbarojnë. Qahen, qeshin, thumbojnë, komunikojnë në të gjithë gjuhët e botës e vazhdojnë punojnë nga mëngjesi në darkë pa pushim. Turistët i shohin me admirim. Kushedi ç’mendojnë për ta. Me siguri që thonë: -S’ka si grekët.