Chelsea kërkon të rikthejë Romelu Lukakun. Blutë e Londrës po bëjnë presion për sulmuesin 28-vjeçar belg. Roman Abramovich e bleu atë nga Anderlecht për 12 milionë euro, për ta shitur me ngut dy sezone më vonë tek Everton për 30 milionë.
Tani, manjati rus dëshiron ta marrë atë përsëri dhe t’i japë një bomber të nivelit të lartë Thomas Tuchel, fituesi i ri i Champions League. Londinezët kanë ndarë një buxhet prej 130 milionësh për merkaton dhe, pasi kanë dështuar në sulmin ndaj Erling Haaland, janë të vendosur të mos e lëshojnë Lukakun.
Asnjë propozim nuk i është bërë ende Interit, por përballë një oferte të tillë stratosferike, edhe bindjet më solide do të lëkundeshin. Lukaku mbërriti dy vera më parë në “San Siro”, falë këmbënguljes së Antonio Contes.
Qendërsulmuesi mbetet nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e klubit zikaltër: 75 milionë euro (paguar te Manchester United). Në dy sezonet e tij italiane shënoi 64 gola, ishte njeriu simbolik i Interit, që fitoi titullin pas 11 vitesh.
Abramovich është aq i vendosur për të marrë përsëri Lukakun, saqë e ka dërguar djalin e tij në Milano prej ditësh me radhë, vendosur në një hotel luksoz në qendër të qytetit, jo për pazar, por për të kontaktuar me përfaqësuesit e belgut.
Bisedimet janë duke u zhvilluar, deri më tani vullneti i Lukakut i ka bllokuar negociatat. Sulmuesi është i lumtur në Milano, ai gjithashtu nuk është i bindur të kthehet në Angli, ku nuk është vlerësuar plotësisht.
“Ndeshja” është mes Chelsea dhe sulmuesit, Interi aktualisht vetëm pret, i joshur nga shuma e madhe, por ende pa ofertë zyrtare. Ditët e fundit, Beppe Marotta e ka përcaktuar belgun si të patransferueshëm, por merkatoja është e gjatë. Interi dëshiron ta mbajë atë, por pozicioni financiar i klubit nuk është i fortë.
Sakrifikimi i Hakimi nuk është i mjaftueshëm për të shuar etjen e arkës së dehidratuar të zikaltërve, e rënduar nga një situatë e vështirë borxhesh.
Londinezët, gjithashtu mund të ndjekin një rrugë tjetër: një ofertë të lartë parash, së cilës mund t’i shtohet qendërsulmuesi gjerman Timo Ëerner. Vendimi, tani për tani, i takon Lukakut.