MENU
klinika

Kalimi i truallit të teatrit Kombëtar te Bashkia Tiranë

PD: Akt tjetër poshtërsues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese

31.07.2021 - 19:07

Partia Demokratike e ka komentuar vendimin e Qeverisë për t’i kaluar truallin e teatrit Kombëtar, Bashkisë Tiranë, si një akt poashtërsues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese. Në një postim në Facebook, deputetja e PD-së Albana Vokshi theksoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ndalon kalimin e pronës te bashkia Tiranë. Vokshi më poshtë shkruan se me anë të vendimit të sotëm, Rama ka bërë të qartë se nuk do t’ia dijë për institucionet e drejtësisë, dhe se nuk i intereson Teatri Kombëtar, por vetëm trualli i tij.

Postimi i plotë:

Vendimi i qeverisë për të kaluar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës është një akt tjetër poshtërues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i pak javëve më parë nga Gjykata Kushtetuese thotë qartë se vendimi i qeverisë i një viti më parë për të kaluar Teatrin në pronësi të Bashkisë së Tiranës ishte antikushtetues, në dëm të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Vendimi do të thotë se Edi Rama nuk pyet për institucionet e reja të drejtësisë, kur vendimet e tyre pengojnë planet e tij korruptive me tokën e Teatrit Kombëtar.
PD e ka thënë që prej ditës së parë se Edi Ramës, nuk i intereson një Teatër i ri Kombëtar, por vetëm trualli i tij, të cilin e sheh si burim për të përfituar para dhe pasuri të paligjshme. Kalimi ne pronësinë e Bashkisë së Tiranës i truallit të Teatrit Kombëtar është pasojë e tjetërsimit të votës së qytetarëve.

Një kryeministër si Edi Rama, pushteti i të cilit buron nga masakra elektorale e 25 prillit, ka për të marrë gjithmonë vendime kundër interesit të qytetarëve. Në vend të një kryeministri, vendi do të sundohet nga një politikan që del mbi gjykatat dhe mbi ligjin. Është koha që SPAK të mos provohet si vegël në duart e sundimtarit Rama. Është koha që Edi Rama dhe Erion Veliaj të dalin para drejtësisë dhe të ndalohet masakra tjetër me tokën e Teatrit Kombëtar!

Dje, trualli i Teatrit Kombëtar i kaloi Bashkisë së Tiranës! Vendimi i paprecedentë është marrë nga qeveria me një vendim të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme, me firmë të zv.kryeministrit Erion Braçe, ndërsa propozimi është bërë nga Ministria e Kulturës, duke injoruar haptazi vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.