MENU
klinika

Prapaskenat, pas SPAK nis edhe lufta politike

Petro Koçi akuza Bashkisë Fier: Po i fitojnë tenderët trafikantët

17.07.2021 - 09:15

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili hyn në shtator në Parlament si deputet i PS-së, deklaroi dje se duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike në Fier dhe se protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës fitojnë tenderë publikë.

Ndonëse nuk përmend emra, ai kërkon ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese që qyteti të mos i nënshtrohet botës së krimit të organizuar. “Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier, ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publikë. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh, ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet, si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit, duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit, ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, shkruan Koçi në një status në “Facebook”. Koçi ishte i ftuar dhe në studion e “News24”, në rubrikën “Opinion”, ku tha se ky është një fenomen që ndodh në shumë qytete, ndërsa nuk dha emra konkretë. Koçi mes të tjerash nënvizoi, sipas tij, disa mekanizma se si këta trafikantë arrijnë të përfitojnë tenderët publikë.

Çfarë shqetësimi keni? Keni emra konkretë për Fierin?

Nuk më takon mua që të merrem me emra, por me fenomenin. Jemi në rrafshin e institucionit politik dhe jo të prokurorisë dhe organeve ligjzbatuese. Në kuadrin e një situate optimiste, të veprimit të drejtësisë mbi korrupsionin, edhe PS bën të njëjtin rol që ka luajtur. Atë rol ku nxiti dhe hartoi Reformën në Drejtësi. Kjo s’u bë pa presionin e SHBA-së dhe BE-së. Natyrisht në një linjë me Kryeministrin ndaj korrupsionit dhe duke pasur parasysh dhe nivelin vendor, pasi jam kryetar i PS-së në Fier. Sa u përket fenomeneve që SPAK po godet, ndodhin edhe atje.

Çfarë po ndodh atje?

Në gjykimin tim kam synuar të bëj publike se si funksionon dhe abuzon kjo botë e krimit. Ata dikur kanë qenë pjesë e komisioneve zgjedhore të PD-së, kanë qenë të dhunshëm. Me kalimin e kohës kanë krijuar dhe struktura të ligjshme biznesi, ku një pjesë kanë pastruar edhe paratë. Është fenomen gati 30- vjeçar i pastrimit të parave.

Si funksionon kjo industri?

Në çdo qytet gjen raste kur pallatet i kanë ndërtuar disa të fortë. Fieri ka protagonistë kriminalë, ndaj duhet t’i bashkohemi këtij optimisti për të luftuar krimin.

Me çfarë tenderësh abuzohet në Fier?

Ata futen në lloj-lloj tenderësh. Kanë bërë subjekte legale. Kudo futen. Mekanizmi është ky: ose kanë lidhje drejtpërdrejtë me një zyrtar që administron financat publike, ose kërcënon zyrtarët, ose anëtarët e komisioneve që bëjnë tenderë, njerëz të thjeshtë. Ata janë njerëz të zakonshëm që ndoshta kërcënohen. Dhe e treta, duke kërcënuar rivalët, konkurrentët e së njëjtës natyrë biznesi. Kjo mendoj se është si mekanizëm. Nuk është se këta dominojnë në gjithçka, por kapin dhe fonde publike. Megjithëse ligji është forcuar, ka manovra që edhe ky ligj nuk i parashikon. Ka subjekte që janë indirekt të tyre dhe është e vështirë që të interpretosh. Thirrja ime është që kjo teknologjia e luftës ndaj krimit të përforcohet.

Ju thoni se drejtësia po vepron. Ju e keni ndihmuar drejtësinë që të shkojë në Fier?

SPAK vepron i pavarur nga partitë politike. Partitë kanë detyrë që përmes përfaqësimit në Parlament, bëjnë thirrje që drejtësia të veprojë, që organet të veprojnë. Kur anëtari i tyre kapet në rrjedhën e drejtësisë apo kur gjërat evidentohen, të merren masat administrative dhe politike. Partitë politike nuk janë prokurori. Mekanizmi i partive është lidhja me qytetarët. Çdo opinion partia e transmeton, nuk është parti-shtet. Shqetësimin e publikut, të një komuniteti, të një kategorie të caktuar, e transmeton në përfaqësinë shtetërore, që të rrisë energjinë e shqyrtimit të çështjes dhe të merren masa konkrete. Po flasim për një fenomen.

Keni informacione apo konstatim?

Ky është gjykim imi që vjen nga perceptimi dhe konstatimi realist.

A keni bërë kallëzim në SPAK?

Ne duam që të rrisim kurajën e zyrtarëve që ata të denoncojnë. Për të ngritur optimizmin e publikut për të thënë se SPAK po vepron. Kjo po jep efekt. E treta është për të tkurrur veprimet e botës së krimit. Ata ndalen nga veprimi i ligjit dhe nga opinioni apo rezistenca e qytetarëve.

A keni frikë për deklaratën që bëtë?

Nuk më ka ndodhur ndonjëherë gjë. Përjashto vitet ‘96- ’97, kur ka pasur zhvillime të rënda, kam denoncuar raste të tjera konkrete, ku një gjyqtar dëmshpërbleu një punonjës të “Albpetrol” me 500 mln lekë të vjetër. Por 500 mln janë shumë për një kompani të tillë.

Ju i keni bërë thirrje SPAK, a është kjo e juaja një mënyrë për të frenuar këtë skemë?

Ky kapacitet financiar, ekonomik e financiar, ku këputen copa nga financat publike, kthehet në pushtet politik. Ndaj nuk duhet të lejojmë që bota e krimit të influencojë në politikë. Siç ndodhi në zgjedhjet e fundit në Fier, ku PD dhe LSI gati përmbysën listën me futjen e botës së krimit.

Si i shpëtuat ju këto lista?

Nuk kishim asnjë biznesmen në lista. Nuk kishte protagonistë që të kërkonim vota. Këto fenomene nuk kanë ndodhur më parë. Gjykoj që në këtë pikëpamje lista e PS kishte avantazhe për këtë pikëpamje. Në lista ka njerëz që përfitojnë nga fondet publike. Kanë subjekte private dhe hyjnë në këto, ka disa prej tyre që kanë përfituar. Nuk janë vetëm përfaqësues të trafiqeve. Kam bërë kallëzime dikur. Nëse një gjë duhet, e çoj në organet e drejtësisë. Kam folur për fenomene. Ne e mirëpresim, ata e dinë vetë kur veprojnë. Rrjeta e SPAK nuk paracaktohet kur hidhet. Shumë raste kanë dalë rastësisht, janë përgjuar të tjerët e kanë dalë të tjera gjëra. Ata kanë bërë detyrën. SPAK nuk mund të veprojë si organizëm politik. Ata se çfarë iu del, do ta kapin. I vogël qoftë apo i madh. Përderisa PD ka një kryetar si Lulzim Basha, që është akuzuar për Rrugën e Kombit, vrasjet e ‘21 Janarit’, ai s’duhet të flasë fare. Sot kemi një situatë të re të veprimit të drejtësisë. Drejtësia po vepron me të gjitha palët. Ka kryebashkiakë dhe nga PD dhe nga ana tjetër. Le të shpresojmë se kështu do të vazhdojmë. Është veprimtari që monitorohet nga ndërkombëtarët. Pothuajse përditë ke diçka nga ambasadat për zhvillimet në drejtësi.

Do të kemi lajme nga Fieri?

Nuk e di. Unë nuk punoj në SPAK. Ato çka thashë janë konkrete.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qindra goditje në krim dhe korrupsion

Sot 1 vit nga krijimi, SPAK bën bilancin e punës

Pikëpyetje mbi vendimin e qeverisë për...

“Tendera sekretë me vlerë miliona euro për Covid-19”


Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!

Këlliçi: Institucioni i Policisë, më i keqtrajtuari!

Efektivi humb ndjenjat gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës