Nga Andreas Fulda, The Spectator
Partia Komuniste Kineze festoi në fillim të këtij muaji 100-vjetorin saj përmes një deklaratë të fuqishme të mbushur plot vetëbesim. Ajo që e filloi jetën si një degë e Kominternit Sovjetik me vetëm 50 anëtarë, ka tani mbi 95 milion të tillë.
Sundimi perandorak i Partisë Komuniste, po zgjat që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949. Nga vetësiguria e shfaqur në festimet e këtyre ditëve, ishte mjaft e qartë se dominimi i PKK nuk do të mbarojë aq shpejt.
Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping, përdori tone luftarake në fjalimin e rastit, kur iu drejtua një turme të madhe në Sheshin Tiananmen të enjten e shkuar. E veshur me një kostum gri alla-Mao Ce Dun, ai paralajmëroi të gjithë ata “që mendojnë se kanë të drejtë të na japin leksione”.
Sipas tij, PKK nuk do të lejojë kurrë askënd që të “ngacmojë, shtypë apo nënshtrojë Kinën”, dhe ata që do të tentojnë ta bëjnë këtë “do ta thyejnë kokën përballë një muri të madh prej çeliku, të ndërtuar me mish dhe gjak nga më shumë se 1.4 miliardë kinezë”.
Besimi i Xi në historinë dhe fatin e PKK është i palëkundur. Por retorika mbi historinë e Kinës, që e mbështesin këtë fushatë propagandistike, nuk u kufizua vetëm në Pekin. Ajo u përhap edhe në Perëndim. Profesori Henry Ëang, udhëheqës i një think-tanku kinez, deklaroi në programin Today të BBC të hënën se “nuk bie shumë dakord” me pretendimin se Mao ishte një vrasës në masë.
Për Wang, vdekjet e dhjetëra miliona të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me emrin e Maos në Perëndim, mund të konsiderohen si “katastrofa natyrore”. Dhe nuk ishte e nevojshme të pyesnim se cilat ishin burimet e tij. Siç u tha Ëang dëgjuesve të habitur, për “arritjet dhe gabimet e Maos, ka një dokument të partisë”.
Deklarata e tij nuk ishte për t’u habitur. Në Kinën e presidenti Xi, ekziston një dokument partie për gjithçka. PKK i përdor këto dokumente për të shtypur të gjitha narrativat e tjera përveç asaj zyrtare.
Një vit pasi Xi mori pushtetin si Sekretar i Përgjithshëm i PKK në vitin 2013, u zbulua udhëzimi për censurën, ose i njohur ndryshe si Dokumenti Nr.9. Ky dokument u hartua për të penguar pavarësinë e medias dhe të gjyqësorit.
Midis listës së gjatë të temave tabu, ishte edhe vënia në pikëpyetje e historiografisë zyrtare të partisë. George Orëell shkroi në librin e tij ”1984”, se ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon edhe të ardhmen. Ashtu si “Big Brother” (Vëllai i madh), edhe PKK e di se kërcënimi më i madh ndaj një shteti komunist, është sfida ndaj narrativës historike, ku bazohet autoriteti i tij.
Dokumenti Nr 9 është një shembull kryesor, pasi pretendon se studiuesit e pavarur janë angazhuar “në një nihilizëm historik ndaj historisë së partisë dhe historisë së Kinës së Re”.
Sipas tij e pranueshme është vetëm historia zyrtare.
Dhe në fakt, PKK ka arsye të forta të ketë frikë nga qëmtimi i historisë së tij. Zhang Zhenglong, një ish oficer i Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, që ishte i përfshirë në betejat e PKK në Kinën Verilindore, dokumentoi luftën e përgjakshme civile të Kinës në studimin e tij 600-faqësh me titullin “Dëbora e bardhë, gjaku i kuq”.
Aty ai përshkroi rrethimin e Changchun në vitin 1948 nga ushtria komuniste, që solli vdekjen nga uria të rreth 150.000 njerëzve. Sipas Zhang “Changchun ishte si Hiroshima, pasi numri i viktimave ishte thuajse i njëjtë, dhe ndërsa shpërthimi në Hiroshima zgjati vetëm 9 sekonda; drama në Changchun zgjati 5 muaj”.
Por frika e PKK-së shtrihet përtej dhunës së ushtrisë së saj. Pas krijimit të Republikës Popullore të Kinës, Mao nisi në vitet 1957-1959, një fushatë kundër “djathtistëve”, ku krimi i fajtorëve ishin kritikat ndaj partisë. Rreth 550.000 njerëz vdiqën gjatë asaj fushate; shumë më tepër vdiqën më vonë në burgje, kampet e punës etj.
Censura e rreptë politike dhe adhurimi i verbër ndaj Maos, i shtuan dështimet e politikave të PKK. Përpjekjet kaotike për t’ia kaluar Britanisë së Madhe, e shkatërruan sektorin e bujqësisë në vend. Vendosja e prodhimit të çelikut para rritjes së të korrave, vrau të paktën 45 milion njerëz gjatë Hapit të Madh të Maos në vitet 1958-1962.
2.5 milion të tjerë vdiqën nga torturat apo ekzekutimet. PKK e zgjeroi rekordin e saj të përgjakshëm edhe në çështjet e jashtme. Në vitin 1950, Mao ndërhyri në luftën Koreane për të mbështetur regjimin totalitar të Kim Il-sung. Rreth 900.000 ushtarë kinezë mendohet se humbën jetën në një luftë që u fut në një ngërç për 3 vjet.
Ndërkohë, mërgimi i vazhdueshëm i Dalai Lamas, tregon se shtypja e traditave gjuhësore, kulturore dhe fetare të Tibetit që filloi nën Maon në vitin 1959, ka vazhduar deri në ditët e sotme. Por ishte Revolucioni Kulturor (1966-1976), ai që thuajse e shkatërroi strukturën shoqërore në vend.
Gjatë fazës së saj më radikale (1966-1969), Kina kontinentale ishte në pragun e një lufte tjetër civile. E nxitur nga gruaja e Maos, Jiang Qing, Garda e Kuqe u bë aq shumë agresive, sa që në vitin 1968, Mao u detyrua të mobilizojë ushtrinë për të shtypur gardistët.
Mao vdiq duke lënë pas një Kinë të përçarë, me një shtet qendror, autoriteti i të cilit ishte dëmtuar në mënyrë të rrezikshme, dhe një popullsi shumë të re në moshë të radikalizuar nga entuziazmi i tij revolucionar. Në mesin e viteve 1980, Deng Xiaoping vazhdoi të mbështetej tek strategjitë e ashpra të shtetit policor për të mbajtur nën kontroll shoqërinë kineze.
Ai autorizoi të ashtuquajtura “goditje të forta”, që në dukje synonin krimin e organizuar, por në realitet godisnin kundërshtarët politikë të sundimit të Partisë Komuniste. Në më pak se 3 vjet, u ekzekutuan rreth 10.000 njerëz.
Në vitin 1989, Deng mori vendimin fatal për të goditur lëvizjen mbarëkombëtare të pro-demokracisë në Sheshin Tiananmen. Vlerësimet e besueshme të të vrarëve atë ditë, variojnë nga 2.700 deri në 10.000 njerëz. Tragjedia e Kinës, ka qenë dështimi i zakonshëm për të menduar mbi një liberalizim të përhershëm të qeverisjes.
Është e vërtetë se anëtarësimi i Kinës në OBT në vitin 2001, solli një fazë të lehtësimit të kontrollit të qeverisë mbi ekonominë. Po ashtu fillimi i viteve 2000, solli një periudhë të shkurtër të lirive politike më të mëdha nën presidentin Hu Jintao.
Por që nga viti 2012, Xi ka rivendosur kontrollin drakonian të PKK mbi qytetarët kinezë. Partia ka vepruar në disa fronte për të frenuar pavarësinë e komuniteteve të ndryshme brenda Kinës. Më shumë se 1 milion ujgurë, mbahen aktualisht të mbyllur në kampe riedukimi ose pune.
Aspiratat demokratike të miliona banorëve në Hong Kong, janë shkelur nga Ligji joliberal mbi Sigurinë Kombëtare. Në janar 2019, Xi rezervoi të drejtën e tij për të përdorur forcën kundër Tajvanit. Kjo qasje vjen së bashku me përdorimin e vazhdueshëm të torturave, censurës dhe kushtëzimit shoqëror në Kinë.
Por shkëlqimi i festimeve të 100-vjetorit, fsheh një paqëndrueshmëri që ndihet nga ana e udhëheqjes së partisë. Pengesa kryesore për të shkuar drejt çdo lloj forme të liberalizimit nga ana e PKK, është historia e saj e përgjakshme.
Ekspozimi i së kaluarës së saj, do të nënkuptonte nxjerrjen në pah jo vetëm të krimeve të saj të pafundme kundër njerëzimit, por abuzimin e saj të vazhdueshëm me njerëzit e vet. Për sa kohë që në pushtet është Partia Komuniste Kineze, nuk mund të ketë asnjë shpresë për një version kinez të Komisionit të Paqes dhe Pajtimit si ai në Afrikën e Jugut pas aparteidit.
Pra, një parti e shqetësuar për të mbajtur pushtetin e saj, është e detyruar të vazhdojë t’ia fshehë popullit të saj gabimet e saj historike.
Për çdo qytetar kinez që ka parë brutalitetin e vërtetë të sundimit të PKK, deklarata e Xi se “njerëzit janë heronjtë e vërtetë, pasi janë ata që bënë historinë”, duhet të ketë tingëlluar po aq lënduese aq sa edhe boshe. E vërteta e trishtueshme është se e ardhmja e PKK-së, duket se do të përputhet me të kaluarën e saj, një përdhosje e përhershme e dinjitetit të njeriut.