MENU
klinika

“Haaretz”: Gënjeshtra e madhe e presidentit turk

Pse Erdogan e rishkroi historinë e grushtit të shtetit të vitit 2016

15.07.2021 - 10:52

Nga Simon A.Waldman, Haaretz

Datat 15-16 korrik shënojnë 5-vjetorin e përpjekjes dramatike dhe të përgjakshme e grushtit të shtetit në Turqi, kur një fraksion brenda forcave të armatosura besnike ndaj Fethullah Gulen, një klerik turk me banim në SHBA, u përpoq të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Që atëherë, është rrëzuar demokracia e brishtë e Turqisë, teksa orientimi ndërkombëtar i vendit duket se është distancuar përfundimisht prej aleatëve të saj tradicionalë në Perëndim

Pas asaj tentative, Ankara përqafoi fuqitë globale jo-perëndimore si Rusia, Kina, Katari dhe Irani .

Lidhjet e ngushta të Turqisë me Moskën, u theksuan nga shumë takime dhe biseda midis presidentit  Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin gjatë viteve 2017-2020, dhe blerja nga Turqia e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400, pavarësisht se ai paraqet një rrezik për sistemet e NATO-s.

Gjatë muajve të fundit, Turqia është përpjekur të riparojë marrëdhëniet e saj me aleatët e saj tradicionalë. Erdogan shprehu zemërimin e tij ndaj njohjes që i bëri presidenti amerikan Joe Biden Gjenocidit Armen, kur ata u takuan së bashku muajin e kaluar në Samitin e NATO-s.

Ankaraja po synon të shmangë konfliktet e mëtejshme me Greqinë, Qipron dhe BE-në në Mesdheun Lindor, dhe po kërkon gjithashtu të pajtohet me Izraelin dhe  Egjiptin. Por nuk ka ndonjë shenjë të qartë se kjo qasja do të vazhdojë.

Një arsye kryesore e nënkuptuar e kësaj sjellje, është ajo që Erdogan pretendon se ndodhi në korrik 2016. Për të justifikuar largimin e Ankarasë nga aleatët e saj tradicionalë, qeveria turke pretendon vazhdimisht se natën e grushtit të shtetit, vendet perëndimore nuk i qëndruan pranë Turqisë.

Sipas saj, udhëheqësve perëndimorë iu desh një kohë e gjatë që të dënonin aktin, të vizitonin Turqinë dhe të solidarizoheshin me të. Narrativa – sipas së cilës Perëndimi e braktisi Turqinë në orën kur ajo kishte më shumë nevojë – është përdorur nga Erdogan për të legjitimuar politikën e jashtme të Turqisë, e cila e ka lënë vendin të izoluar në arenën ndërkombëtare, me pak miq dhe aleatë në një kohë kur ekonomia në krizë e vendit ka nevojë për çdo lloj ndihme që mund të marrë, dhe kur Erdogan dhe AKP-ja e tij në pushtet po vazhdojnë të pësojnë rënie të mbështetjes nëpër sondazhe.

Edhe disa udhëheqës në Evropë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe analistë dhe ekspertë të shquar nga think-tanket kryesorë si në Evropë ashtu edhe në SHBA, duket se e pranojnë narrativën sipas së cilës Perëndimi e braktisi Turqinë.

Në fakt, vendet dhe organizatat perëndimore dërguan mesazhe të shpejta në mbështetje të Turqisë, popullit, qeverisë dhe institucioneve të saj demokratike, që gjatë kohës që grushti i shtetit ishte ende në zhvillim. Së pari, një kujtesë e shkurtër e asaj që ndodhi natën fatale të 15 dhe 16 korrikut të 5 viteve më parë.

Rreth orës 22:00 me orën lokale, në Turqi u përhap lajmi se kishte nisur një përpjekje për një grusht shteti, pak pasi u dëgjuan të shtëna nga brenda shtabit të ushtrisë në Ankara. Trupat rebele pushtuan urat mbi Bosfor në Stamboll, morën kontrollin e televizionit shtetëror TRT dhe disa aeroporte.

Në orët e para të 16 korrikut, ishte e paqartë nëse grushti i shtetit do të kishte sukses. Erdogan u shfaq në CNNTurk, përmes telefonit të tij celular në orën 12:25 të mëngjesit, ndërsa kryeministri Binali Yildirim, i bëri thirrje qytetarëve të dilnin në rrugë për t’i rezistuar grushtit të shtetit.

Grupi i parë i ushtarëve pro puçit u arrestua në orën 2:00 të mëngjesit. TRT rifilloi transmetimet në orën 3:00 të mëngjesit. Pika e kthesës ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit kur një Erdogan sfidues, pasi kishte zbarkuar në aeroportin e Stambollit dhe duke shmangur kapjen nga rebelët, u shfaq para mbështetësve të tij për të urdhëruar goditjen e puçistëve.

Nisën përleshjet dhe kur puçistët u mundën në mëngjes, mbi 240 shtetas turq kishin humbur jetën.  Reagimi fillestar nga kryeqytetet perëndimore gjatë orëve të para të grushtit të shtetit, ishte lëshimi i deklaratave që shprehnin shqetësim për zhvillimet në vazhdim, dhe duke dhënë këshilla për qytetarët e tyre në Turqi.

Por kur me kalimin e orëve, kombet dhe institucionet perëndimore e shprehën qartë mbështetjen për Turqinë kundër grushtit të shtetit. Në orën 12:40 të mëngjesit të 16 korrikut, Federica Mogherini, asokohe shefe e politikës së jashtme të BE, bëri thirrje për “vetëpërmbajtje dhe respekt për institucionet demokratike të Turqisë”.

Ndërkohë Thorbjorn Jagland, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, shkroi në Tëitter në orën 1:18 të mëngjesit, kur rezultati i puçit ishte ende larg nga të qenit i qartë, se

“është e papranueshme çdo përpjekje për të rrëzuar udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike në një vend anëtar i Këshillit të Evropës”.

Në orën 2:07 të mëngjesit, kur ekuilibri i forcave ishte ende i panjohur, Departamenti Amerikan i Shtetit shkroi në Twitter se si Sekretari i Shtetit John Kerry ashtu edhe Presidenti Barack Obama, ishin dakord se “të gjitha palët në Turqi duhet të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të tregojnë përmbajtje, dhe të shmangin dhunën”.

Pastaj, më pak se 30 minuta më vonë, Kerry i informoi ndjekësit e tij në Twitter se i kishte telefonuar homologut të tij turk Mevlut Cavusoglu për t’i shprehur “mbështetjen absolute” të Amerikës. Në 2:08 të mëngjesit, Steffan Seibert, shefi i zyrës së shtypit të qeverisë gjermane shkroi në Twitter se “duhet të respektohet rendi demokratik i Turqisë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, njoftoi në orën 2:34 të mëngjesit, se kishte zhvilluar një bisedë me zotin Cavusoglu, teksa bëri thirrje për “qetësi dhe vetëpërmbajtje dhe respektim të plotë për institucionet demokratike të Turqisë dhe kushtetutën e saj, duke shtuar se Turqia është një aleat shumë i vlefshëm i NATO-s”.

Në orën 3:10 të mëngjesit, nëpërmjet një deklaratë e përbashkët e Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Junker dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Federica Mogherini, thuhej se:“BE mbështet plotësisht qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, institucionet të vendit dhe sundimit të ligjit. Ne bëjmë thirrje për një kthim të shpejtë të rendin kushtetues në Turqi”.

Pra, para se të dihej fati i grushtit të shtetit, qeveria turke dhe institucionet demokratike të Turqisë kishin marrë mbështetjen dërrmuese të aleatëve të saj kryesorë në Perëndim si SHBA, NATO, BE dhe kombet e mëdha Evropiane.

Në narrativën e tij, Erdogan ankohet se presidenti rus Putin i telefonoi më datën 17 korrik, ndërsa Obama vetëm më datën 19 korrik. Por ky argument injoron dilemën e fortë me të cilën u përballen zyrtarët amerikanë dhe evropianë.

Si mund ta cilësonin ata përpjekjen e grushtit të shtetit si një anatemë ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues, dhe nga ana tjetër të reagonin ndaj një presidenti autoritar, që as nuk po e fshihte qëllimin e tij për të filluar menjëherë një spastrim masiv të kundërshtarëve të tij politikë?

Vlen të kujtohet që edhe para grushtit të shtetit, Erdogan dhe qeveria e tij e kishin vendosur tashmë në një presion të madh demokracinë turke. Në vitin 2012, “Reporterët pa Kufij” e cilësuan Turqinë si një nga burgjet më të mëdha në botë për gazetarët.

Në vitin 2013, bota pa sesi u rrahën brutalisht demonstruesit paqësorë, që protestonin kundër shkatërrimit të Parkut Gezi në Stamboll. Më pas, u miratua ligji që e dëmtoi rëndë lirinë e lundrimit në internet. Në vitin 2015, ishte shkatërruar procesi i paqes me kurdët, teksa përplasjet e reja kishin shkaktuar qindra të vdekur dhe qindra mijëra persona të zhvendosur brenda vendit, dhe shumë figura politike kurde ishin arrestuar.

Pastaj, në nëntor 2015, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se legjitimiteti i zgjedhjeve parlamentare në vend u dëmtua nga “frika” dhe “padrejtësia”. Ndërkohë, në periudhën e menjëhershme pas grushtit të shtetit, ligjvënësit e AKP po diskutonin mundësinë e rivendosjes së dënimit me vdekje në Turqi .

Të nesërmen, 6,000 njerëz u arrestuan, teksa ky numër u rrit në mënyrë dramatike në ditët dhe javët në vazhdim. Erdogan e shpalli grushtin e shtetit si “një dhuratë nga Zoti”, në mënyrë ai të riformonte një “Turqi të re”.