MENU
klinika

I ndarë në dy pjesë

Publikohet traileri i sezonit të pestë të “La Casa De Papel”

29.07.2021 - 09:55

Sezoni i pestë i “La Casa De Papel” më në fund do të nisë transmetimin së shpejti. Së fundmi, “Netflix” ka publikuar trailerin e parë për sezonin e pestë.

Sipas njoftimit të “Netflix”, sezoni i pestë do të jetë i ndarë në dy pjesë, që do e nisin transmetimin në kohë të ndryshme. Pjesa e parë do të nisë transmetimin në 3 shtator, ndërsa pjesa e dytë do të shfaqet në 3 dhjetor të këtij viti.

Para disa ditësh gjiganti i transmetimit njoftoi se xhirimet e serialit kishin përfunduar dhe se fansat nuk do të prisnin dhe shumë.

“Cfarë nisi si bandë hajdutësh, përfundoi si familje. Përfunduan xhirimet e sezonit të pestë të “La casa de Papel. Një falenderim për të gjithë fansat që ishin pjesë e rezistencës. Mezi presim t’ju tregojmë si përfundon kjo histori.” – shkruhej në njoftimin e “Netflix” disa ditë më parë.

“La Casa de Papel” është një nga serialet më të shikuar në platformë. Sezoni i tij i katërt, i publikuar në Prill 2020 në Netflix, është parë nga rreth 65 milionë njerëz.

Ndërkohë që të gjithë po presin të shikojnë ç’është përgatitur këtë herë, aktorët duket se po i japin lamtumirën serialit. Álvaro Morte, i cili në serial luan rolin e Profesorit, përmes një videoje ka falenderuar çdokënd për mbështetjen që i kanë dhënë në këto 5 sezone. Postimi i tij i ka prekur të gjithë fansat e serialit.