MENU
klinika

Dy vite hetim për një aksident/ “Dua drejtësi që djali të mos torturohet”

Qytetarja denoncon tek Olsian Çela zvarritjet e hetimeve

20.07.2021 - 10:49

Denoncimet për zvarritje dhe shkelje të ligjit nga Prokuroria e Pogradecit janë bërë publikisht edhe më herët nga vetë banorët e këtij qyteti.

Pak muaj më parë, në Pogradec ishte prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili pas takimit me prokurorët është përballur në rrugë me ankesat e një qytetareje. Kjo e fundit në pamundësi për të marrë përgjigje dhe për të gjetur zgjidhje, denoncoi përballë kryeprokurorit zvarritjet në Prokurori dhe Gjykatë, për një çështje në ngarkim të djalit të saj.

“Unë dua vetëm drejtësi që djali të mos më torturohet. Tre vjet në burg. Po të ishte fajtor do ta kishte shlyer burgun”, thekson qytetarja.

I pyetur nga kryeprokurori nëse ishte ankuar në Prokurorinë e Rrethit, qytetarja tha se nuk më kishin pranuar. Edhe pas vizitës së kryeprokurorit në Pogradec, qytetarët vazhdojnë të jenë të pakënaqur nga puna e Prokurorisë së qytetit të tyre. Ata flasin për zvarritje dhe korrupsion në radhët e njerëzve të drejtësisë.

“Prokuroria e Pogradecit akoma nuk është në gjendje të zgjidhë problemet në kohën e duhur. Zgjaten për shumë kohë. Ka shumë vonesa në zgjidhjen e problemeve”, theksoi një qytetar. “Drejtësia në Shqipëri është përtokë. Është shumë keq. Të gjithë janë të korruptuar”, tha një qytetar tjetër për “News 24”.

Qytetarët thanë se çështjet e tyre zvarriten me vite. “Shtyhen gjyqet vend e pa vend me vite. I takon, s’i takon, jepe vendimin”, thotë një banor tjetër. “Korrupsioni, jashtë mase. Dallavere. Duam shtet”, shprehet një tjetër qytetar.

DY VITE HETIME PËR NJË AKSIDENT

Pak ditë më parë, u denoncua një tjetër rast në Prokurorinë e Pogradecit ku çështja e hetimit të një aksidenti është shtyrë me dy vite. “News 24” denoncoi vonesën përtej limiteve ligjore të hetimeve, për një aksident rrugor të ndodhur në fund të vitit 2019. Kjo çështje ka kaluar në duart e 4 prokurorëve, të cilët sapo marrin dosjen nisin veprimet hetimore nga e para.

Referuar kodit të procedurës penale për të hetuar një çështje, afati ligjor është 3 muaj dhe më pas çështja kalon për gjykim. Në rast se veprimet hetimore nuk mbyllen brenda 3 muajve, atëherë kërkohet një shtyrje afati edhe me 3 muaj të tjerë. Kjo shtyrje mund të vijojë deri në 1 vit nga regjistrimi i veprës penale. Nëse rasti që po hetohet është i komplikuar afati i hetimeve zgjatet më shumë se 1 vit vetëm me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm.