Kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe një herë ngjarjes së rëndë që shkaktoi edhe të plagosur nga përdorimi i armës së zjarrit në një lokal nate në qytetin bregdetar të Sarandës.
Duke e quajtur rast alarmant, Rama ndau për mediat shqetësimin që i kishte përcjellë ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliut, se në Policinë e Sarandës, duhet të kishte shkarkime dhe ndëshkime penale për përgjegjësit.
Shefi i qeverisë bëri përgjegjës për ngjarjen e Sarandës zyrtarë dhe punonjës të Policisë në këtë qytet, pasi siç tha ai, kanë mbyllur sytë dhe kanë lejuar që një lokal të qendrojë hapur në orën 1 të natës, çka në të vërtetë nuk është e lejuar.
Më tej, Rama tha se policët dhe shefat e Komisariateve në qytetet bregdetare korruptohen nga ata që ai i quajti “tutorë”.
“Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin? Tejkalojnë kufirin e orës policore? Krijojnë hapësirë abuzivizmi që degjeneron deri në krisma e plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal?
Kush janë këta?
Ua them unë, këta janë tutorët e policisë së Shtetit në ato territore, këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë së shtetit që tërheqin për hunde policë, shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm”, tha Rama.
Fjala e Ramës:
Këtu dua të nënvizoj shumë fort një fakt që në vetvete është shumë sfidues për ligjin, shmë sfidues për shtetin, për policinë e shtetit.
Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin? Tejkalojnë kufirin e orës policore? Krijojnë hapësirë abuzivizmi që degjeneron deri në krisma e plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal?
Kush janë këta?
Ua them unë, këta janë tutorët e policisë së Shtetit në ato territore, këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë së shtetit që tërheqin për hunde policë, shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm.
Rasti i Sarandës ishte një raast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin e brendshëm dhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë që ai rast duhet të conte në ndëshkimin penal të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë jo në hetime administrative, në masa ordinere, por në përjashtim imediat e ndëshkim penal të personave përgjegjës.
Kush e mban përgjegjësinë për nxjerrjen e armëve dhe sakatimin e njerëzve në lokal në 1 të natës përvecse ata që kanë lejuar që ai aktivitet të zhvillohet?