Nga David A. Graham “Internazionale”
Si president ai e kishte përsëritur disa herë teksa ishte në fundin e mandatit të tij:“Ne do të jemi sërish këtu, nuk do shkojmë askund tjetër!”. Fundi i presidencës së tij ishte mjaft i trazuar – fajësimi, faljet e diskutueshme, dhe një mosmarrëveshje e gjatë mbi rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit – por ai e dinte se mund të mbështetej tek ndjekësit e tij të devotshëm.
Dhe synonte që të ruante me çdo kusht forcën e tij politike. Ky arsyetim nuk vlente vetëm për të. Edhe familja e tij ishte e etur që të përfitonte nga suksesi i tij elektoral. Një ish -president ruan zakonisht një profil të ulët për disa kohë pas përfundimit të mandatit.
Por Trump nuk do të sillej në këtë mënyrë. Ai do të vazhdonte ta dominonte partinë e tij dhe të përfaqësonte një fuqi politike. Por në fund, plani nuk shkoi siç e kishte planifikuar. Ish presidenti qëndroi në shtëpinë e tij të re (pasi u largua nga shteti ku kishte jetuar për një kohë të gjatë) duke pirë Coca Cola dietike dhe duke u telefonuar miqve të tij për t’iu ankuar për trajtimin sipas tij të padrejtë dhe prokurorët fanatikë që e kishin vënë nën shënjestër.
“Të dëgjoje ankesat e tij ishte diçka rraskapitëse”-pranoi një miku i tij. Në vitin 2001, ishte radha e presidentit Bill Clinton. “Kur një president e përfundon mandatin e tij, ai pritet të zhduket nga skena publike për një farë kohe, për ti bërë vend të porsaardhurit, dhe për të na dhënë kohë ne të tjerëve të harrojmë arsyet pse nuk na erdhi shumë keq ta shihnim që largohej nga skena”-shkroi në atë kohë revista“Time”.
Por Donald Trump e ka të vështirë t’i telefonojë Clintonit për t’iu ankuar, pasi ky i fundit nuk do ta pranonte kurrë atë telefonatë. Por nëse për ndonjë arsye lind një lloj komunikimi midis të dyve, ata mund të zbulojnë se kanë tema të përbashkëta diskutimi.
Të flasësh mbi parëndësinë relative të Trump, mund të duket si një sfidë ndaj fatit, por është e pamohueshme që ish-presidenti ka mbetur i mënjanuar pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një ndjesi. Kohët e fundit Philip Bump i “Washington Post” zbuloi se kërkimet në Google dhe imazhet televizive kabllore të Trump janë rikthyer në krye të listës.
Gjatë një fjalimi në muajin prill para audiencës së zyrtarëve republikanë dhe financuesve të fushatës së tij, Trump e quajti “bir kurve”politikanin më të fuqishëm republikan të vendit, duke nxjerrë në pah krizën e popullaritetit të ish -presidentit.
Fjalimi tërhoqi një fare vëmendje, por gjithsesi nuk pati asgjë të jashtëzakonshme. Epoka kur“covfefe” (një gabim shtypi)mund të bënte lëmsh vendin për ditë me radhë ka përfunduar. Është e qartë se Trump nuk ka aftësinë për të postuar në Twitter dhe për të marrë reagime të menjëhershme
Një teori e përhapur në lidhje me rënien e Trump, është se ndalimi nga platforma Twitter dhe rrjetet e tjera sociale, e neutralizoi aftësinë e tij për të arritur një audiencë të madhe. Falë profilit të tij në Twitter, Trump mund të përcillte çdo mendim apo polemikë që i kalonte nëpër mendje miliona ndjekësve.
Është e qartë se tani Trump nuk ka aftësinë për të postuar në rrjetet sociale dhe për të marrë reagimet e menjëhershme të publikut. Ai ua dërgon me e-mail gazetarëve deklaratat e tij – ndonjëherë disa në ditë – me shpresën se ata do t’i postojnë në Twitter, por nuk është e njëjta gjë.
Por edhe teoria e Twitter-it ka të meta. Postimet e Trump mund të shkaktonin drithërima tek zyrtarët qeveritarë, por ato kishin nisur ta humbnin forcën e tyre që pas vitit 2019. Më pak njerëz kishin filluar që të reagonin ndaj tyre, dhe përpjekjet e Trump për ta kompensuar atë rënie thjesht duke postuar më shpesh, e dobësuan më tej efektin. Amerikanët dukej se po bëheshin më të ngopur me deklaratat e vrazhda të presidentit.
Përveç kësaj, dikush që ka famën e Trump s’ka nevojë të ketë domosdoshmërisht një llogari në Twitter. Si një kandidat presidencial rebel në vitin 2015, Trump zbuloi se llogaria në atë platformë, i siguronte një mënyrë të dobishme për të drejtuar diskursin, edhe pse pak gazetarë apo politikanë e morën në fillim seriozisht kandidimin e tij.
Por kur ishte president, Trump kishte edhe shumë mënyra të tjera në dispozicion për të diktuar vëmendjen e medias:konferencat për shtyp, intervistat zyrtare, dhe adresat e Zyrës Ovale. Megjithëse ndonjëherë u shmangej këtyre metodave si president – ai nuk dha një adresë të Zyrës Ovale deri gati 2 vjet pas nisjes së mandatit të tij – ai po përdor tani mjetet që i mbeten në dispozicion.
Për disa kohë pas përpjekjes për grusht shteti më 6 janar 2001, Trump qëndroi çuditërisht i heshtur, me sa duket duke dëgjuar këshillat e ndihmësve, të cilët i sugjeruan që të mbante kokën ulur ndërsa Senati ishte ende duke shqyrtuar fajësimin e tij. Por kur kërcënimi u zbeh, Trump nisi të jetë më i zëshëm.
Ai ka vazhduar të bëjë deklarata publike, përfshirë ato në mbledhjen e Komitetit Kombëtar Republikan fundjavën e kaluar, dhe ka dhënë intervista në disa prej stacioneve televizive të preferuara prej tij. Po ashtu ka dhënë të paktën një duzinë intervistash për librat e shkruara rreth presidencës së tij.
Trump mund të tërhiqte më shumë vëmendje, nëse do jepte një intervistë për një gazetar më kundërshtar. Trump mund të jetë viktimë e suksesit të tij të dikurshëm në diktimin e ciklit të lajmeve. Së pari, ndoshta media ka filluar më në fund ta kuptojë leksionin në lidhje me mbulimin e “karremave” të tij, që ishin deklarata gjithnjë e më boshe.
Së dyti, aftësia e Trump për të diktuar lajmet, varej pjesërisht nga provokimet e tij gjithnjë e më të forta. Dhe pasi ke provuar të përmbysësh një palë zgjedhje presidenciale, nuk ke shumë hapësirë për të përshkallëzuar më tej. Trump pati sukses duke u shndërruar në një zëdhënës të ankesave të bazës së tij të mbështetësve.
Por ankesat e tij në lidhje me zgjedhjet – edhe pse ai është përpjekur t’i cilësojë ato si vjedhje të zgjedhjeve – janë në thelb vetëm për atë që ai e sheh si një fyerje personale ndaj tij, dhe jo si një kauzë kombëtare.
Sondazhet tregojnë se shumë republikanë besojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara, dhe dëmi që do t’i sjellë kjo besimit tek demokracia në planin afatgjatë, është i rrezikshëm. Megjithatë në një të ardhme më të afërt, askush nuk do të mbetet aq i zemëruar personalisht për këtë sesa vetë Trump.
Disa ndjekës që e shihnin atë si një njeri që mund të sfidonte establishmentin, do ta shohin tani humbjen e tij si provë se politika është e pandryshueshme, dhe do të zhyten në apati apo do të shkëputen prej tij. Për të tjerët, humbja e Trump e bën atë një humbës. Ndaj ata do të kërkojnë “heronj” të tjerë.
Edhe pse ka humbur ndikimin në media, Trump mbetet në kontrollin e Partisë Republikane. Një pakicë e konsiderueshme e popullsisë e mbështet ende atë. Ai kryeson në sondazhe mes votuesve të Partisë Republikane për kandidatin zyrtar të presidencialeve të vitit 2024. Republikanë të njohur si Kevin Mccarthy dhe Steve Scalise, bëjnë vazhdimisht pelegrinazh në rezidencën e Trump Mar-a-Lago për të forcuar pozitat e tyre. Komiteti i fushatës për republikanët e Senatit duket se shpiku një çmim enkas për Trump.
Edhe figura të tilla si Mitch Mcconnell dhe Nikki Haley, që e kritikuan ashpër Trumpin për ngjarjet e 6 janarit, kanë deklaruar se do ta mbështetin atë, nëse ai do të jetë i nominuari për zgjedhjet e vitit 2024.
Por ajo që zotëron Trump është fuqia negative – fuqia për të fundosur çdo republikan që nuk është dakord me të. Ai e ka humbur pjesën më të madhe të fuqisë së tij pozitive:aftësinë për t’i bërë gjërat të ndodhin, për të falur, dhe për të çuar përpara kauzat e tij.
Problemi themelor për Trump është se pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira, ai nuk është më president. Ai nuk ka shumë peshë tani në SHBA. Kjo gjë i ndodh çdo presidenti sapo largohet nga detyra. Madje edhe atyre si Bill Clinton, që largohen nga posti relativisht popullorë, në një kohë që Trump nuk ka qenë kurrë i tillë.
Përgjatë karrierës së tij politike, Trump ka vepruar sikur të jetë imun jo vetëm ndaj pasojave ligjore për veprimet e tij por edhe ndaj të gjitha rregullave tradicionale të politikës, dhe ka arritur të bindë shumë analistë se kjo është e vërtetë. Deri më sot, ai ka qenë i suksesshëm në shmangien e ligjit, por rregullat tashmë e kanë zënë mat.