MENU
klinika

"Është rritur shkalla e infeksionit"

Rritja e rasteve me variantin “Delta”, mjeku: Ka nisur t’i ngjajë gripit, por…

31.07.2021 - 12:19

Prania e variantit “Delta” ka sjellë dukshëm një rritje të rasteve pozitive me COVID-19.

Por, shifrat në rritje të personave të prekur nuk shihen me shqetësim nga ekspertët. Për mjekun epidemiolog Ilir Alimehemti rritja e infektimeve është normale, por ajo që ka vlerë është numri tejet i ulët e mortalitetit që shkakton varianti Indian, i njohur ndryshe “Delta”.

“Nuk është një rritje eksponenciale. Incidenca e dy javëve të fundit është 12.8, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian e ka incidencën 200. Fatmirësisht, humbjet e jetës ne jemi në një incidencë shumë të ulët. Po të shohim Anglinë, Spanjën, Holandën vëmë re që ka një transmetim shumë të lartë, raste të reja pafund. Përgjithësisht janë të rinj, të pavaksinuar dhe është e pritshme. Por, ndërsa kurba e rasteve të reja ngjitet, pra rritet, ndërsa kurba e shtrimeve spitalore dhe e vdekjeve ka rritje, por shumë të lehta. Ky është dhe gripi.

Pra ka raste, por regjistrohen pak raste të rënda. Pra, nga ky aspekt ka nisur t’i ngjajë gripit”, tha Alimehmeti për “News 24”. Sipas doktorit, komplikacionet nga varianti “Delta” janë më të rralla në raport me numrin e të infektuarve dhe akoma më pak kërcënuese për jetën krahasuar me format e rënduara të variantit britanik. “Dhe personat e shtruar aktualisht në spitalin infektiv askush nuk është në terapi intensive. Janë disa të dhëna që tregojnë se nuk jemi në situatën e një viti më parë”.

SITUATA

Lidhur me situatën epidemiologjike, në 24 orët e fundit janë raportuar 37 raste të reja, ndërsa vihet re një rritje e numrit të pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku aktualisht po marrin trajtim mjekësor 20 pacientë. “Janë kryer 4593 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 37 qytetarë, në këto bashki: 10 raste në Tiranë, 7 në Shkodër, nga 4 raste në Fier, Elbasan, Lezhë, nga 2 raste në Kavajë, Kamzë, Malësi e Madhe, nga 1 rast në Krujë, Vau i Dejës. Aktualisht janë 374 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 20 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë shëruar 18 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,205 që nga fillimi i epidemisë”, kanë bërë me dije autoritet.

VAKSINIMI

Ndërkohë, muaji që vjen pra muaji gusht do të jetë muaj i hapur për vaksinimin e qytetarëve +18 vjeç. Ndërsa iu bëri thirrje studentëve që të vaksinohen, ministrja Manastirliu tha se përmes vaksinës shmangen komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjes. “Ne kemi vendosur që muaji gusht të jetë një muaj i hapur për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar. Do të jetë një muaj që ne do ta konsiderojmë muaj sulmi, për të vaksinuar qytetarët e grupmoshës +18 vjeç. Është e rëndësishme një thirrje për studentët, për t’u vaksinuar sepse shtatori, tetori, fillimi i shkollës sigurisht që do të na përballë me rritjen e kontakteve, me ato grumbullime të cilat ndonjëherë janë të pashmangshme, por nëse jemi të vaksinuar të paktën kemi të garantuar që shmangim komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjes dhe sigurisht edhe fatalitetet”, tha Manastirliu