MENU
klinika

Epidemiologu Ilir Alimehmeti: Lërini të lirë që të luajnë, të zbaviten

Sa rrezikohen fëmijët dhe adoleshentët nga Covid-19

17.07.2021 - 13:25

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka analizuar sesa të rrezikuar janë fëmijët dhe adoleshentët nga covid-19, në një kohë kur në shumë vende të botës po përhapet me shpejtësi variant Delta.

Përmes një statusi të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, Alimehmeti ka rënditur studimet dhe analizat e realizuara nga “National Health System” në bashkëpunim me institucione të tjera britanike, të publikuara më 2 korrik të këtij viti, në të cilat trajtohen arsyet e vdekjeve të fëmijëve dhe adoleshentëve përgjatë 1 viti pandemi duke nisur nga 1 marsi i 2020 deri në 28 shkurt të 2021. Epidemiologu shkruan se në bazë të studimeve është arritur në përfundimin se 99.995% e fëmijëve dhe adoleshentëve i mbijetojnë SARS-COV-2 dhe se kjo shkallë vdekshmërie është krejtësisht e njëjtë me shkallën e vdekshmërisë nga gripi sezonal, e cila në këtë grupmoshë luhatet nga 0.003% – 0.009%, në varësi të viteve. Sipas citimit, autorët kanë dalë në përfundimet se SARS-CoV-2 shumë rrallë është fatal për fëmijët dhe adoleshentët, madje edhe për ata me sëmundje bashkëshoqëruese.

NHS arrin në përfundimin se fëmijët dhe adoleshentët e kanë riskun krejt minimal dhe të krahasueshëm me gripin sezonal. Së fundmi epidemiologu apelon: “Lërini fëmijët të lirë që të luajnë, të zbaviten, të arsimohen, të rriten, siç është e drejta e tyre!”

Statusi i plotë i mjekut Alimehmeti:

Fëmijët e shëndetshëm nuk do t’i frikësohen jetës, nëse të rriturit do të kenë mjaftueshëm integritet sa të mos i frikësohen vdekjes.”

Cit.: Prof. Erik Erikson (1902-1994)

Risku i COVID-19 për fëmijët dhe adoleshtët është krejtësisht minimal miqtë e mi!

Siç ishte vërejtur që në fillim, të rinjtë dhe adoleshentët përgjithësisht e kalojnë krejt lehtë infeksionin nga SARS-CoV-2.

Tashmë këto vrojtime mbështeten nga evidencat zyrtare, si në rastin e të dhënave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar.

NHS (National Health System) në bashkëpunim me institucionet të tjera elitare britanike, publikoi më 8 Korrik 2021 studimin e arsyeve të vdekjeve të fëmijëve dhe adoleshentëve (<18 vjeç) përgjatë një viti pandemi (periudha 1 mars 2020 – 28 shkurt 2021).

Gjetjet e tyre janë aq mbresëlënëse saç ishin edhe të parashikueshme.

Në detaj, gjatë një viti, ndër fëmijët dhe adoleshentët në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndodhur:

3.105 vdekje totale,

61 vdekje me tampon pozitiv, por

25 vdekje të vetme ishin si rrjedhojë e COVID-19.

Duke kujtuar se në Mbretërinë e Bashkuar ka mbi 12 milionë fëmijë dhe adoleshentë:

vdekshmëria nga SARS-CoV-2 rezultoi më pak se 2 ndër 1 milionë.

Shkalla e vdekshmërisë nga infeksioni (IFR) rezulton krejtësisht e ulët:

469.982 fëmijë dhe adoleshentë kanë qenë të infektuar në këtë periudhë, si rrjedhojë

IFR = 25 / 469.982 = <0.005%. Pra, 99.995% E FËMIJËVE DHE ADOLESHENTËVE I MBIJETOJNË SARS-COV-2. Kjo shkallë vdekshmërie është krejtësisht e njëjtë me shkallën e vdekshmërisë nga gripi sezonal, e cila në këtë grupmoshë luhatet nga 0.003% – 0.009%, në varësi të viteve. Autorët thellohen më tej dhe bëjnë të ditur, se ndër 25 vdekjet: 19 kishin sëmundje të rënda, 13 kishin sëmundje të rënda neurologjike (shkaqet: sëmundje gjenetike/metabolike, ishemi cerebrale ose të lindur parakohe), dhe 8 individë me sëmundje neurologjike kishin edhe sëmundje të rënda respiratore, 6 të tjerë kishin sëmundje të rënda onkologjike, hematologjike, kardiake, endokrinologjike dhe ndërlikime të lindjes parakohe. Ndër 25 vdekjet, 6 (24%) ndodhën në individë pa sëmundje, që është e njëjtë me 729 vdekje që ndodhën te fëmijët pa COVID-19 (729 / 3080 = 24%). Fatmirësisht asnjë vdekje nuk ndodhi në: persona vetëm me sëmundje respiratore (përfshirë astmën), persona me diabet tip 1, persona me trizomi 21 (sindromë Doën), apo persona vetëm me epilepsi. Autorët dalin në përfundimet e qarta: SARS-CoV-2 shumë rrallë është fatal për fëmijët dhe adoleshentët, madje edhe për ata me sëmundje bashkëshoqëruese. Mbijetesa është 99.995%. Gjetjet tona janë 60% më të ulëta se sa shifrat që vijnë nga testet pozitive, duke e ulur edhe më tej përllogaritjen e riskut të vdekjes nga pandemia për këtë grupmoshë. Më të riskuar ishin moshat >10 vjeç me etni aziatike ose të zezë.

Këto gjetje janë të rëndësishme për udhëheqjen e familjeve, klinicistëve dhe politikëbërësve mbi strategjitë e ardhshme të mbrojtjes dhe vaksinimit.

Shkurt, bukur, qartë:

NHS na thekson qartë se fëmijët dhe adoleshentët e kanë riskun krejt minimal dhe të krahasueshëm me gripin sezonal.

Pra, miqtë e mi:

Lërini fëmijët të lirë që të luajnë, të zbativen, të arsimohen, të rriten, siç është e drejta e tyre!

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT

Akademia e Shkencave të Shqipërisë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Fundi i tetorit dhe nëntori do të jetë prova e zjarrit"

Epidemiologu Alimehmeti pohon një valë tjetër të koronavirusit në vjeshtë


Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!

Këlliçi: Institucioni i Policisë, më i keqtrajtuari!

Efektivi humb ndjenjat gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës