Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit në SHBA, Ben Rockwell, u takua me kryetarin në Detyrë të Gjykatës së Lartë, Gjyqtarin Sokol Sadushi për të biseduar mbi mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri.
Në diskutime është përfshirë edhe detyrën e themelore të pakësimit të çështjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë dhe parandalimin e përsëritjes së tyre. Në këtë gjykatë vlerësohet se janë rreth 40 mijë dosje stok që presin ndër vite për vendimmarrje.
Nëpërmjet partnerit të saj zbatues, East West Management Institute, Ambasada e Shteteve të Bashkuara thotë se mbështet përpjekjet e Gjykatës së Lartë për të trajtuar çështjet e prapambetura, të cilat kanë një ndikim serioz në jetët e qytetarëve shqiptarë në pritje të drejtësisë.
Projekti “Zvogëlimi i Prapambetjes dhe Procese Efikase Gjyqësore në Gjykatën e Lartë” ka ndihmuar Gjykatën në zhvillimin dhe zbatimin e masave për shqyrtimin më efikas të çështjeve.
Rockwell dhe Sadushi biseduan gjithashtu edhe çështje si hapësira e kufizuar në punë, mungesa e stafit ndihmës në gjykata dhe mungesa e hapësirës për të ruajtur çështjet në pritje të gjykimit. Rockwell ra dakord se ka nevojë urgjente që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Lartë të punojnë me qeverinë për të trajtuar këtë problem.