MENU
klinika

Mbërrijnë 340 mijë doza Coronavac

Shkon në mbi 1 milion e gjysmë numri total i vaksinave!

15.07.2021 - 10:10

340 mijë doza të vaksinës Coronavac kundër koronavirusit kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në  Aeroportin “Nënë Tereza”.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili thotë me një postim në Facebook se kjo është sasia më e madhe e vaksinave e mbërritur njëherësh në vendin tonë. Po ashtu, Rama shton se numri total i vaksinave të mbërritur anë vendin tonë, tashmë e kalon shifrën 1 milion e gjysmë.

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë të mbërritjes pak minuta më parë të 340,000 dozave të vaksinës Coronavac në Aeroportin “Nënë Tereza”, sasia më e madhe e mbërritur njëherësh, që e çon në 1,578,790 numrin e vaksinave të mbërritura deri tani, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se do të vijojnë edhe ditët e hapura të vaksinimit për qytetarët mbi 18 vjeç si dhe do të ulet edhe fasha e vaksinimit.

Doza të tjera vaksinash kundër koronaviorusit do të vijojnë të vijnë në vend, ndërsa më herët Manastirliu ka bërë me dije se gjatë muajve korrik-gusht do të mbërrijnë rreth 500 mijë doza të tjera. Një ditë më parë, Manastirliu tha se ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë tek vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari.

Numri total i personave të vaksinuar në vendin tonë ka shkuar në 843,439, ndërsa situata me pandeminë vijon të jetë e qëndrueshme. Një ditë më parë, në vend u regjistruan vetëm 8 raste të reja infeksioni, ndërsa prej javësh tashmë, fatmirësisht, nuk është regjistruar asnjë viktimë.