MENU
klinika

Më e preferuara Franca

Shqipëria e treta në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve

27.07.2021 - 07:40

Edhe pse në një vit pandemik, që kufizoi udhëtimet, mbi 2 mijë fëmijë nga Shqipëria aplikuan për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, dhe Zvicër. Të dhënat u publikuan nga Eurostat, në raportin e fundit për aplikimet për azil nga fëmijët (personat nën moshën 18 vjeç).

Aplikimet nga Shqipëria përbënin 12% të totalit nga shtetet Europiane (jo anëtarë të BE-së). Në vend të parë është Turqia (24% të aplikimeve totale nga Europa) dhe Rusia (23%). Të dy këto shtete kanë një popullsi shumë më të lartë se vendi ynë, duke bërë që Shqipëria të jetë rekord për aplikimet për azil të fëmijëve në raport me popullsinë.

Në vend të katërt është Moldavia me 10% dhe më pas renditet Serbia me 8%

Franca, më e preferuara për fëmijët shqiptarë

Sipas Eurostat, në total kishte 2,125 aplikime nga fëmijët shqiptarë në vendet e BE-së dhe Zvicër në 2020-n (nga të cilët gati 83% ishin nën 14 vjeç). Në krahasim me vitin e mëparshëm aplikimet kanë rënë rreth 3 herë për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Destinacioni kryesor i aplikimeve të fëmijëve është Franca, që njihet si një shtet me praktika më sociale. Në 2020-n, ai përbënte 44% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Gjermania, 22.6%, Greqia 11.3%, Belgjika 6.8%, Italia (5.8%), Suedia (3.7%).