MENU
klinika

Situata në Turqi dhe Greqi, dy vendet tranzit!

Sistemi i prishur evropian i migracionit

17.07.2021 - 08:19

Nga David L.Phillips, New Europe

Turqia dhe Greqia, janë të dy vendet tranzit për emigrantët në rrugëtimin e tyre drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera më të pasura në Evropën Veriore. Emigrantët janë shumë rezistentë. Shumë prej tyre i kanë mbijetuar varfërisë dhe konfliktit, por nuk kanë se ku të shkojnë.

Sistemi ndërkombëtar për menaxhimin e emigrantëve është prishur. Shtetet e vijës së parë që përballen me flukset migratore si Turqia dhe Greqia, janë të mbingarkuara përtej mundësive të tyre për të pranuar emigrantë dhe refugjatë të tjerë.

Nëse vendet e zhvilluara nuk mund të reagojnë në një mënyrë më efektive, emigrantët do të vijojnë të mbeten në një gjendje të paqartë, viktima të një sistemi jofunksional, që nuk ka kapacitetet dhe vullnetin e duhur politik për t’i ndihmuar.

Turqia pret më shumë emigrantë dhe refugjatë se sa çdo vend tjetër në botë. Mbi 3.5 milion njerëz nga vende si Siria, Afganistani, Iraku dhe Irani. Në 2016, Turqia dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje për të kontrolluar rrjedhën e emigrantëve nga Turqia në Greqi.

Brukseli i ofroi Ankarasë një pagesë të vetme prej 6 miliard eurosh për të kompensuar kostot financiare të Turqisë në mbajtjen e këtyre emigrantëve, kryesisht sirianë. Në atë kohë ajo u duk si një shumë tepër e madhe. Por problemi vazhdoi për shumë më gjatë.

Është e vështirë të simpatizosh presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, mbështetja e të cilit për xhihadistët në Siri, e përkeqësoi krizën e refugjatëve. Ai priste që regjimi i Bashar Al-Assad në Sirisë të binte shpejt, dhe që të zhvendosurit për shkak të dhunës të riktheheshin në shtëpitë e tyre.

Erdogan nuk priste që kaq shumë sirianë të qëndronin kaq gjatë në Turqi, dhe tani dëshiron ta zgjidhë sa më parë këtë problem. Emigrantët janë të dobishëm për Erdoganin, vetëm në masën që ata mund të përdoren si një armë politike për të marrë sa më shumë para nga Bashkimi Evropian.

Ai e ka kërcënuar vazhdimisht Brukseli se do t’i “hapë portat”për të paktën 1 milion emigrantë, në rast se Turqia nuk do të marrë mbështetje të mëtejshme financiare nga Brukseli. Dhe së fundmi më 27 shkurt 2021, ai njoftoi se Turqia nuk do t’i ndalonte më emigrantët që të kalonin kufijtë e saj për të shkuar drejt Evropës.

Po ashtu ai njoftoi mbi planin për të zhvendosur 1 milion sirianë arabë nga Turqia e Jugut në territoret kurde në veri të Sirisë. Ish-presidenti amerikan Donald Trump i dha Erdoganit dritën jeshile për të krijuar një “zonë sigurie” në Siri përgjatë kufirit me Turqinë.

Edhe zyrtarët evropianë iu bindën kërkesave të Erdoganit, duke dhënë fonde të tjera për menaxhimin e këtij problemi. Sidoqoftë, kriza e emigrantëve vetëm sa u përkeqësua. Tensionet sociale në rritje në provincën Hataj dhe qytete në jug të Turqisë, po i bën emigrantët që të ndjehen të padëshiruar.

Kushtet e tyre të jetesës janë të rënda. Emigrantët përballen me vështirësi në marrjen e lejeve të punës. Qasja në strehim dhe shërbimet sociale, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, janë gjithnjë e më të kufizuara.

Shumë emigrantë ishin të punësuar në të zezë në restorante, kafene, ndërtim dhe fasoneri. Në kushtet kur ekonomia turke është goditur fort nga pandemia e Covid-19, këto vende pune qoftë edhe informate, janë zhdukur. Shumë emigrantë sirianë, janë duke hequr dorë kartat e tyre të përkohshme të mbrojtjes dhe po rikthehen në Idlib.

Emigrantët përballen me një zgjedhje të vështirë. Ata ose mund të rikthehen në vendet e tyre të origjinës të shkatërruara nga lufta dhe varfëria. Ose të qëndrojnë në Turqi ku janë të padëshiruar. Ose të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm drejt Greqisë.

Ata që e bëjnë këtë, hasin në shumë pengesa teksa udhëtojnë në veri përmes korridorit Ballkanik. Në vitin 2016, kancelarja gjermane Angela Merkel ishte vizionare dhe praktike, duke mirëpritur gati 1 milion emigrantë në Gjermani, dhe duke i integruar ata në ekonominë dhe shoqërinë gjermane.

Por Merkel e dorëzon detyrën në shtator; teksa Evropa nuk ka asnjë udhëheqje sa i përket problemit të emigrantëve. Politikanët janë të frikësuar se një politikë më e butë ndaj emigracionit, do të shërbente si një “magnet” për ardhjen e shumë emigrantëve, duke e mbingarkuar më tej sistemin dhe duke futur në kaos politikën e brendshme.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, shqetësohet me të drejtë kur thotë se Greqia po shndërrohen në një “depo” për refugjatët. Në vend se të marrin përgjegjësinë për të rregulluar sistemin e prishur të BE për menaxhimin e migracionit, zyrtarët e BE janë të kënaqur që Greqia të jetë një mburojë që mbron Evropën nga një fluks e madh emigrantësh.

Ata flasin me cinizëm për “vlerat evropiane”, ndërsa bëjnë një sy qorr ndaj praktikave të paligjshme të kontrollit të kufirit, dëbimeve kolektive dhe kthimeve të paligjshme. Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm që të rregullojë një sistem të prishur të emigracionit, dhe kjo në kurriz të emigrantëve, të cilët kërkojnë dëshpërimisht ndihmë dhe mbrojtje.

Emigrantët po shihen si një barrë. Ata janë të padëshiruar, edhe pse shumë prej tyre kanë aftësi, dhe mund të jenë anëtarë produktivë të shoqërisë. BE-së i duhet urgjentisht një sistem efektiv për maksimizimin e kontributit të emigrantëve në shoqëritë evropiane.

Tek e fundit, mënyra më e mirë për të menaxhuar krizën e emigrantëve, është adresimi i shkaqeve rrënjësore të këtij fenomeni. Kjo do të kërkojë përpjekje trans-atlantike për të parandaluar konfliktet, dhe për të krijuar kushte zhvillimore që do të shkurajojnë largimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: David L.Phillips, është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias, SHBA. Ai ka shërbyer si këshilltar dhe ekspert i punëve të jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave Clinton, Bush dhe Obama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Reagimi i menjëhershëm i Makron...

‘Shkaktarja për shembjen e urës është Evropa’

Nga Project Syndicate

‘Tragjedia’ e Angela Merkel


"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?