Firmoset kontrata për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë amerikane “Bechtel”.
Ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt i hershëm, që jo vetëm do të përmbushë kërkesat e tregut shqiptar sa i takon prodhimit të energjisë, por do t’i japë mundësi vendit për t’u kthyer edhe në një eksportues të energjisë së rinovueshme.
Dje është nënshkruar kontrata e fazës së parë, e cila do të zgjasë 18 muaj dhe në përfundim të saj pritet të nisin edhe punimet për ndërtimin e hidrocentralit.
BALLUKU
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi një moment historik, i cili i hap rrugë ndërtimit të HEC Skavicës, një projekt madhor për sektorin elektroenergjetik shqiptar.
“Faza e parë përfshin kryesisht të gjithë punën përgatitore, për sa u përket të gjitha studimeve që do të bëhen, duke nisur nga studimi ambiental, ai gjeologjik, teknik dhe social, që është shumë i rëndësishëm. Në këtë fazë ne kemi 18 muaj në dispozicion, të cilat do të shërbejnë për të gjitha ekipet për të bashkëpunuar, për të koordinuar dhe për të prodhuar materialet. Ne do t’ia dalim brenda 18 muajve, që të dorëzojmë një produkt të mirë, i cili më pas do të na hapë rrugën për të kaluar në fazën e dytë dhe për të firmosur atë kontratë, e cila është kontrata e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës”, u shpreh Balluku.
Ndërtimi i HEC Skavicës do të bëjë të mundur jo vetëm rritjen e kapaciteteve prodhuese energjetike në vend, por do të ketë rolin e një rregullatori në Kaskadën e Drinit si dhe do të minimizojë përmbytjet në zonën e Nënshkodrës.
“Sakavica është ndryshe nga hidrocentralet e tjerë të kaskadës së Drinit, sepse është hidrocentrali që do të luajë rolin e një rregullatori për hidrocentralet ekzistuese. Pra, jo vetëm do të rrisë me 20% prodhimin vendas të energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet në Republikën e Shqipërisë, por nga ana patjetër do të optimizojë dhe do të rrisë kapacitetet prodhuese edhe të hidrocentraleve ekzistuese sot në kaskadën e Drinit.
Gjithashtu, një element shumë i rëndësishëm, që ka të bëjë me ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe me gjithë projektin, që ka qenë një projekt siç ne e quajmë shpeshherë një ‘ëndërr në sirtar’ të çdo qeverie, është minimizimi i përmbytjeve në fushën e Nënshkodrës”, shtoi më tej ministrja.
KOMPANIA AMERIKANE
Nga ana tjetër, Justin Siberell, President Rajonal për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme të “Bechtel”, vlerësoi bashkëpunimin për këtë projekt kaq të rëndësishëm, duke vlerësuar edhe impaktin e madh që ai pritet të ketë në energjetikë, por dhe në ekonominë shqiptare në përgjithësi.
“Ne presim me dëshirë që të punojmë në partneritet me KESH-in, kompaninë elektroenergjetike shqiptare, për të angazhuar komunitetet vendase dhe zinxhirët e furnizimit në mënyrë që të maksimizojmë përfitimin ekonomik nga ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor. ‘Bechtel’-i punon në të gjithë botën për të përfunduar projekte të jashtëzakonshme, që prodhojnë ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm. Ne jemi të përkushtuar ndaj standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë në punën tonë dhe për të punuar në mënyrë bashkëpunuese me komunitetet vendase, për të krijuar vende pune dhe për të rritur aftësitë e punës”, tha Siberell.