MENU
klinika

"Opozita, rol vendimtar në legjislaturën e re"

Takimi i Soreca me Bashën në ditën e fundit të Parlamentit

08.07.2021 - 08:43

Në ditën kur me dhjetëra deputetë mbanin fjalën e lamtumirës në Parlament, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, dhe ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri thirrën në një takim kryedemokratin Lulzim Basha, larg prezencës së medias.

Ishte vetë kryediplomati i BE-së Luigi Soreca që ndau detajet e para të takimit me kryetarin e opozitës. Përmes një postimi në “Twitter”, ambasadori sqaroi se pati një diskutim të gjatë me kryedemokratin, ku në fokus ka qenë situata aktuale politike pas zgjedhjeve të 25 prillit, integrimi i Shqipërisë në BE, si dhe Reforma në Drejtësi.

“Diskutim i gjatë sot mes ambasadorit të BE-së në Tiranë dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. Në funksion të legjislaturës së re, ku opozita do të luajë një rol vendimtar, ne shkëmbyem pikëpamjet mbi situatën aktuale politike pas zgjedhjeve, integrimin në BE, median dhe Reformën në Drejtësi”, shkruan ambasadori Soreca.

Pas ambasadorit, në rrjete sociale reagoi edhe kreu i PD-së lulzim Basha. Ky i fundit shënoi se për partinë demokratike mbetet prioritet kryesor integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, në këtë kuadër do të jenë edhe vendimmarrjet politike.

“Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian. Integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë. Për ne BEja do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit”, shkroi Basha.

Ndërkohë, duket se gjatë diskutimeve pikëpamjet për zgjedhjet e 25 prillit nuk kanë qenë të njëjtat me kryediplomatin e BE-së.

Ndaj Basha në postimin e tij thekson se për PD-në 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, ndaj nuk e quan një kapitull të mbyllur, por do të vazhdojë të ndjek rrugët ligjore për të ndëshkuar deformuesit e vullnetit të qytetarëve.

“Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”, vijoi postimi i Bashës.

PD-ja ka paralajmëruar se do të çojë në Gjykatë Kushtetuese zgjedhjet e 25 prillit dhe në Gjykatën e Strasburgut.