MENU
klinika

AKEP e miraton!

Tarifat celulare me shumicë ulen me 32% deri në 2024

28.07.2021 - 12:50

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar dokumentin final për rezultatet e modelit të kostove të shërbimeve me shumicë të rrjeteve celulare. Dokumenti në fjalë synon të vendosë tarifa me shumicë (terminimi) të thirrjeve që të reflektojnë kostot direkte, të matura për operatorët e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri.

Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë. Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve. Për t’i çuar këto tarifa në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.

AKEP konsideron se ky hendek është i rëndësishëm, megjithatë parashikon që ulja këtyre tarifave drejt kostos të bëhet në mënyrë të përshkallëzuar, sepse në periudhën afatshkurtër ndikimet e krizës së pandemisë mund të jenë të ndjeshme për operatorët.

Mbështetur edhe në eksperiencën e vendeve të tjera, AKEP ka propozuar që ky proces të zgjasë dy vjet, në intervalin 2022-2024. Sipas dokumentit, parashikohet që tarifa e terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë vitin e ardhshëm, në 0.89 lekë/minutë në vitin 2023 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në vitin 2024.

Deri tani, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Kjo është bërë në mungesë të një metodologjie të mirëfilltë për llogaritjen e kostove të tregut shqiptar.

A do ulen tarifat që paguajnë konsumatorët?

Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive. Për shembull, për çdo minutë thirrje që një përdorues i rrjetit X kryen drejt një rrjeti tjetër Y, sot operatori X i paguan operatorit Y 1.11 lekë për minutë. Përcaktimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse.

Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë. Ulja në kosto e këtyre tarifave iu krijon operatorëve celularë hapësira maksimale për të konkurruar në çmimet me pakicë të thirrjeve mes rrjeteve të ndryshme dhe i heq operatorëve më të mëdhenj avantazhin e të siguruarit të më shumë fitimeve nga terminimi i thirrjeve (për shkak të bazës më të gjerë të abonentëve dhe trafikut më të madh hyrës).

Kundërshtimet e operatorëve

Në komentet e tyre për dokumentin e miratuar nga AKEP, operatorët celularë dhe në veçanti Vodafone Albania kanë shprehur rezerva për modelin e ndjekur, afatet e aplikimit dhe aspekte të tjera më teknike. Vodafone Albania vlerëson se tarifat e miratuara në document e rendisin Shqipërinë në grupin e tretë të vendeve me tarifat më të lira në Evropë. Sipas Vodafone, ky ndryshim drastik do të dekurajojë ndjeshëm investimet, veçanërisht ato afatgjata, të tilla si ato në teknologji 5G ose investime të tjera në rrjete broadband.

Megjithatë, AKEP nuk është shprehur dakord me këtë qëndrim, duke argumentuar se tarifat e miratuara llogariten bazuar në të dhënat dhe karakteristikat specifike të tregut shqiptar.

Dokumenti ka matur kostot e shërbimeve me shumicë të ofruara nga operatorët celularë në Shqipëri sipas metodologjisë së kostove rritëse për një kohë të gjatë (Long-Run Incremental Cost, LRIC), në përputhje me rekomandimet e Komisionet Europian. Kjo është teknika bazë e përdorur nga rregullatorët e komunikimeve elektronike për vendosjen e tarifave të terminimit të orientuara në kosto, të cilat jo domosdoshmërisht ndikojnë në kapacitetet investuese të operatorëve.

Operatorët kanë shprehur rezerva edhe për glide path ose afatin e aplikimit të përshkallëzuae të tarifave të reja me shumicë. Vodafone Albania vlerëson se një glide path më I zbutur dhe më i gjatë në kohë, duke aplikuar tarifa që llogariten bazuar në faktorë dhe elementë të qëndrueshëm, do të inkurajojë investimet, gjithashtu duke pasur parasysh që tarifat me pakicë në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Evropë.

Operatori Albtelecom kërkon një shtyrje edhe më të gjatë, me propozimin që zbatimi i glide path të fillojë jo më herët 1 Janar 2024. Gjithashtu, Albtelecom sugjeron se, pas kësaj date, ulja e tarifës së terminimit te thirrjeve duhet të bëhet më e butë dhe duhet të zgjatet nga 3 ose 4 faza, për t’i dhënë kohë operatorëve celularë të rregullojnë planet e tyre të biznesit.

I vetmi operator që është shprehur dakord me propozimet e AKEP është ONE, që vlerëson se AKEP ka marrë një qasje të arsyeshme për uljen graduale të tarifave të terminimit.

Përfundimisht, AKEP ka vendosur të miratojë propozimin e vet fillestar. Sipas AKEP, ky afat ka marrë në konsideratë praktikat ndërkombëtare, diferencat midis nivelit të llogaritur dhe aktual të tarifave, si dhe situatës aktuale të pandemisë.

Marrë nga Monitor