MENU
klinika

Dosja

Tenderi korruptiv me uniformat e policisë, Ardi Veliu kundërshtoi kompaninë fituese

14.07.2021 - 12:40

Janë publikuar të tjera detaje nga dosja hetimore në lidhje meme tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, ku më 10 korrik u arrestuan 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kësaj ministrie.

Sipas dosjes hetimore, të siguruar nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, rezulton se Policia e Shtetit ka kundërshtuan kompaninë që fitoi tenderin, duke evidentuar një sërë problematikash me disa elemente të zbatimit të kontratës, konkretisht për sa i përket dorëzimit të mallit, kolaudimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtja e sistemit elektronik, si dhe çmimet e ofruara.

Rezulton se Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në date 20.08.2020 i është drejtuar me një shkresë Agjencisë se Blerjeve të Përqendruara, ku thekson se ekziston një mospërputhje midis logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar, duke ngritur pyetje se si ka mundësi që një këmishë me mëngë të gjata kushton më lirë se ajo me mëngë të shkurtra, apo se si këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra.

Veliu ngre shqetësimin se kjo mospërputhje në çmime, përveç se është risk për cilësinë e produktit, do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen.

” Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me shkresën Nr.5249 Prot, date 20.08.2020, i është drejtuar Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, të cilës i ngre problematika në lidhje me disa elemente të zbatimit të kontratës, konkretisht për sa i përket dorëzimit të mallit, kolaudimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtja e sistemit elektronik, si dhe çmimet e ofertuara. Ne lidhje me këto të fundit, ngrihet shqetësimi se nga çmimet e ofertuara nga operatori ekonomik i shpallur fitues për këtë procedure rezulton se janë ofruar tre çmime të ndryshme për të njëjtin artikull, që ka vetëm një specifikim teknik. Ekziston një mospërputhje midis logjikes së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin ku një këmishë me mëngë të gjata kushton me pak se ajo me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra, kostumi i motoçiklistit (me 9 pllakëza mbrojtëse) kushton me pak se kostumi i patarrullës, xhupi treçerekësh kushton më pak se xhupi i shkurtër, këpuca gjysmë dimërore,  kushton më shumë se këpuca taktike (kambile). Gjithashtu vërehen ofertime të çmimit më të lartë kur sasia e prodhimit është më e madhe, gjë që në industrinë e prodhimit për volume më të mëdha ofrohen çmime më të ulëta dhe anasjellas, duke i bashkëlidhur kësaj shkrese tabelën e çmimeve të ofruara në mënyrë jo korrekte nga Njësia e Prokurimit. Prania e këtyre çmimeve, përveç se është risk për cilësinë e produktit, do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen. kjo sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”, thuhet mes të tjerash në dosje.

SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10  korrik, ku u arrestuan  ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.

Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Fituesi i tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk”  dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, dhe se janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese.

Pjesë nga dosja hetimore e SPAK