MENU
klinika

Tenton sërish

Thaçi kërkon nga Gjykata Speciale ‘arrest shtëpie’ në Slloveni

12.07.2021 - 09:44

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ka kërkuar që të mbrohet nga arresti shtëpiak dhe duke qenë se mund të përzgjedhë vetëm një vend të tretë, ai ka zgjedhur Slloveninë.

Gjykata Speciale e Hagës në të cilën qëndron aktualisht Thaçi, nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me këtë, por në bazë të dokumenteve që janë bërë publike ai ka kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.

Thaçi ka kërkuar mundësinë e ekstradimit të tij në një vend që nuk kufizohet nga Kosova dhe megjithëse dokumentet e gjykatës nuk tregojnë se cili është vendi i kërkuar nga ai, mediat sllovene shkruajnë se kanë informacione që përzgjedhja e parë e ish-themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Sllovenia.

Sipas të dhënave, ish-presidenti i Kosovës thuhet se ka komunikuar me njerëz brenda qeverisë sllovene në mënyrë që të sigurohet që kërkesa e tij do të aprovohet si dhe për të shtuar garancinë se ai nuk do të largohet nga territori slloven.

Një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesës dhe aprovimin ose jo të saj nuk është dhënë as nga Gjykata e Hagës, as nga Ministria e Jashtme e Sllovenisë dhe as nga avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

Sipas dokumenteve publike të gjykatës së Hagës, kërkesa e tij për arrest shtëpie u refuzua në janar te këtij viti. Ky vendim i gjykatës ka ardhur për shkak të frikës së Thaçi mund të shfrytëzonte rastin për t’u arratisur apo për të ndikuar te dëshmitarët.

Megjithatë kërkesës së tij mund t’i bëhet edhe një rivlerësim për shkak të një gjyqtari gjerman, Kai Ambos, i cili është shprehur se duhet të merret seriozisht në konsideratë kërkesa e e Thaçit, nëse një vend i tretë e garanton atë.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa vendndodhje në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.