MENU
klinika

Bledar Cara, në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale

Tjetërsoi pronat në Shëngjin, ekstradohet juristi i Hipotekës!

19.07.2021 - 11:39

Ish-juristi i Hipotekës së Lezhës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Shëngjinit, është ekstraduar nga Italia.

Zyra e Interpol Tiranës ekstradoi një ditë më parë, ish-zyrtarin në Lezhë, Bledar Cara. Ai rezulton në kërkim prej vitit 2018, i akuzuar nga ish-Prokuroria kundër Krimeve të Rënda për disa vepra penale. Ndaj tij, ish-Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i formularëve, vulave ose stampave” dhe “Shpërdorimi i tokës”, të kryera në bashkëpunim.

DOSJA “339”

I ekstraduari nga Italia, Bledar Cara, është një nga 14 të akuzuarit të kuadër të dosjes “339”, të akuzuar për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Lezhë. Midis të akuzuarve është edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, motra e tij, Mimoza Ndoka, si dhe xhaxhai i tij Gjok Ndoka. Gjithashtu, të akuzuar nga Prokuroria janë edhe Erald Osmaci, Bledar Cara, Bled Ndoka, Lule Zeneli dhe persona të tjerë. Në kuadër të hetimeve të kësaj dosjeje, janë sekuestruar 300 mijë m2 tokë në zonën e “Ranës së Hedhun” në plazhin e Shëngjinit me vlerë rreth 60 milionë euro. “Nga hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se të pandehurit kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim përvetësimin e pasurive të paluajtshme, të shtrira në pesë zona bregdetare të rrethit Lezhë: Ishulli Shëngjin, Kune-Vain, Ishulli Lezhë, Mali i Shëngjinit dhe Mali i Rrencit. Pjesëtarët e këtij grupi kriminal kanë vepruar me një mënyrë organizimi në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe kanë përfituar sasi të mëdha pasurish të paluajtshme, të cilat jo vetëm që nuk janë tokë bujqësore, por rezultojnë të jenë vijë bregdetare rërë, sipërfaqe lagunash, kënetë, kanal, pyje, kullotë”, thuhet në dosjen e SPAK-ut të 3 shkurtit 2021.

DËNIMET

Në kuadër të këtij grupi kriminal, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar ka dënuar me 6.8 vite burg, Xhevi Ndoka, 1 vit 4 muaj burg me kusht është dënuar Mimoza Ndoka, motra e ishdeputetit. Ndërkohë, Emanuel Gjura është dënuar me 4.8 vjet burg, Zef Lazri, 8 muaj burg, Blendi Ndoka, 3 vjet 6 muaj burg, Luigj Paloka 4.8 vjet burg me kusht, Paulin Simoni 3.4 vjet burg, Vlash Gaxulli 2 vjet burg me kusht, Genc Zeneli 2 vjet burg me kusht, Kol Lleshi, 2 vjet burg me kusht, si dhe Marjeta Perskura 1.4 vite burg me kusht. /E.H

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Abuzimet me pronat në Shëngjin

Prokuroria kërkon 3 vite burg për Fran Frrokaj