MENU
klinika

Zbardhen detaje të reja për arrestimin e ish-zvendësministres së Brendshme

Tri momentet që ‘fundosën’ Rovena Vodën

15.07.2021 - 10:23

Hetimet e SPAK-ut që çuan në “Arrest shtëpie” ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, kishin nisur për një grup trafikantësh, por më pas u veçuan në një tjetër procedim.

Gjatë përgjimeve që po kryheshin në kuadër të këtij procedimi, doli në skenë avokatja nga Durrësi, Majlinda Hasani, e më pas pati dyshime të arsyeshme për përfshirjen e zyrtares së lartë në ndikim të paligjshëm për një punësim në administratë. Vijimi i hetimeve në procedimin e veçuar nga ana e SPAK-ut, zbuloi se Voda kishte marrë një shumë prej gati 2 mijë euro nga Florida Beu dhe Majlinda Hasani, aktualisht në “Arrest shtëpie” për punësimin e Beut në ministri.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Posaçme, Florinda Beu dhe avokatja Majlinda Hasani janë përgjuar teksa diskutojnë për t’i dhënë një shumë prej 1 mijë eurosh ish-zëvendësministres së Brendshme, por nuk ka ndonjë bisedë ku Voda të ketë kërkuar ndonjë përfitim. Mbajtja në vëzhgim, ka provuar se Voda merr një zarf prej dy grave të hetuara, megjithatë nuk duket se çfarë kishte brenda.

Mësohet se në përgjimet e mëvonshme, Beu dhe Hasani shprehin shqetësim se shuma e dhënë ka qenë e vogël dhe për këtë në një tjetër takim dyshohet se i kanë dhënë një aparat telefonik celular ish-ministres. Në episodin e tretë, ish-zëvendësministrja Voda ka marrë një arkë me peshk në portin e Durrësit, që dyshohet të jetë dhënë me porosi nga një prej dy të dyshuarave të tjera. Nga ana tjetër ka rezultuar se, Florida Beu ka aplikuar në disa vende në ministri, por nuk ka kaluar as fazën e parë të konkurrimit dhe nuk ka fituar vend pune.

DOSJA HETIMORE

Gazeta “Panorama” ka zbardhur të tjera detaje nga dosja e SPAK për ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, ndaj të cilës u vendos të martën arrest për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Dyshohet se ajo ka marrë ryshfet nga dy shtetase, Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë. Një hetim i nisur ka nisur në 2019-ën për një tjetër çështje ku ka rënë në përgjim avokatja Majlinda Hasani, e cila ushtron profesionin në Durrës. Në 13 shkurt 2020 avokatja, Florida Beu dhe Rovena Voda zhvillojnë një takim me njëra-tjetrën. Beu i ka kërkuar nga zëvendësministrja që ta favorizojë për t’u punësuar. Voda ka thënë se: “Shefe nuk e bën dot, por mund ta rregullojë si specialiste”. Rovena Voda ka telefonuar një person në Departamentin e Administratës Publike, duke i thënë se do ta rregullojë specialiste. Majlinda ka folur me Floridën dhe sipas Prokurorisë i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh të futur në një zarf.

Pas këtij momenti, Florida i thotë Majlindës: “Më ngeli mendja mos duheshin më shumë para. Se të paktën të na fuste në një vend të mirë”. Pas këtij momenti Majlinda dëgjohet duke thënë se: “Leku e hedh ujin përpjetë”, e se “tani Rovena na përgjigjet menjëherë”. Në 28 shkurt 2020, tri gratë janë takuar dhe Florida Beu ka aplikuar në 11 vende punë të hapura në Ministri. Florida ka telefonuar nënën e saj dhe i ka thënë “me lekët që do më sjell Gerti do i jap diçka asaj Rovenës që e ndjej si detyrim”. Takimi tretë është filmuar dhe është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku ka marrë si dhuratë edhe një arkë me peshk. Nga ana tjetër dyshohet sipas SPAK që Rovena ka marr dhe një aparat telefon. Sipas verifikimeve, Florida Beu, nuk u shpall fituese në asnjë nga vendet ku aplikoi.

ISH-ZËVENDËSMINISTRJA

Ish-zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, është vënë në arrest me një vendim të Gjykatës së Posaçme, e akuzuar për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Mbrëmjen e së martës, Policia e Shtetit ekzekutoi masën “Arrest shtëpie” dhënë në mungesë nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Burime nga Prokuroria e Posaçme thanë se Voda, e cila ushtronte funksionin e zëvendësministres së Brendshme që nga maji i vitit 2017, kur zëvendësoi Elona Gjebrenë e deri një vit më parë, akuzohet se ka marrë përfitime nga shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.

Ndërkohë që GJKKO-ja ka caktuar të martën të njëjtën masë sigurimi, atë të “Arrest shtëpie’ edhe për Florida Beun si dhe Majlinda Hasanin. Prokuroria e Posaçme, tha zyrtarisht se, nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendësministres së Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

VODA U HETUA NGA PROKURORIA E POSAÇME PËR “USHTRIM TË NDIKIMIT TË PALIGJSHËM”

Në njoftimin zyrtar të SPAK-ut thuhet se, nga veprimet hetimore të kryera, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtës shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive.

“Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 57, datë 13.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë është vendosur: Caktimi ndaj shtetases Rovena Voda të masës së sigurimit personal ‘arrest në shtëpi’, si e dyshuar për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’. Po kështu, ‘arrest shtëpie’ është vendosur dhe për shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani, si të dyshuara për të njëjtën veprën penale”.