Artan Ismalaja, 51-vjeçari i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij ditën e djeshme në fshatin Bubq në Krujë, është arrestuar nga Policia.
Policia njofton se ka arrestuar 51-vjeçarin në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme brenda një makine tip “Ford” brenda një magazine në fshatin Bubq.
Autori e ka goditur të shoqen e tij disa herë me thikë në makinë derisa 45-vjeçarja Klarita Ismalaja ndërroi jetë.
Më pas në kushtet e rëndesës psikologjike, 51-vjeçari tentoi vetëvrasjen me thikë. Ai u dërgua menjëherë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Njoftimi i plotë i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I., 51 vjeç, banues në Tiranë, (në ambientet e spitalit), pasi ditën e djeshme, në Bubq, Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., e cila ndërroi jetë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Çifti ishin prindër të dy djemve, më i madhi 22 vjeç dhe i vogli 16 vjeç. Artan Ismalaja është me profesion kameraman dhe ka një biznes pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet.
Dëshmia e rojës
Roja nuk e dinte se 51-vjeçari Artan Ismalaja kishte qëlluar për vdekje me thikë bashkëshorten e tij. “U afrova për t’i larguar” mësohet të jetë shprehur ai, raporton Neës24. “Fillimisht mendova se ishin në momente intime, dhe u afrova për t’i larguar, por më pas pash viktimën të mbuluar me gjak, atëherë njoftova policinë”, është shprehur punonjësi i sigurisë në dëshminë e tij për policinë. Ndërkohë që policia ka nisur hetimet për ngjarjen, janë të paqarta motivet që e shtynë burrin të vrasë gruan. Çifti mësohet se ishin prindër të dy fëmijëve, dhe jetonin në Tiranë prej vitesh, ku kishin edhe një biznes.