SHBA do të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit me 100 mijë dollarë pajisje për të gjithë hetuesit e rinj. Këtë e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane përmes një postimi në rrjete sociale një ditë pas takimit që ka pasur ambasadorja Yuri Kim me hetuesit e BKH-së.
Kim ka deklaruar ditën e djeshme se mbështetja e SHBA-së do i inkurajojë hetuesit në punën e vështirë dhe shumë të rëndësishme që ata do të kenë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim vizitoi ditën e djeshme SPAK ku deklaroi se SHBA do t’i dhurojë hetuesve të rinj të BKH-së 100 mijë dollarë pajisje. Ambasadorja përgëzoi investiguesit e rinj, të cilët aktualisht janë në trajnim. Ata u zgjodhën mes qindra aplikantëve duke përmbyllur disa faza trajnimi me shkrim, gojë dhe teste fizike, dhe verifikime pasurie e figure. Ajo theksoi se mbështetja e SHBA-së do i inkurajojë hetuesit e rinj në punën e tyre të vështirë për të luftuar krimin e organizuar.
Ditën e djeshme ambasadorja Kim u takua me kreun e SPAK dhe të BKH-së si dhe me hetuesit e rinj të kësaj strukture.