MENU
klinika

‘Ky është Ballkani i ri, europian’

Zaev në bisedë me Ramën dhe Vuçiç, konfirmon takimin e 29 Korrikut

22.07.2021 - 10:32

Mëngjesin e sotëm është zhvilluar një takim virtual midis kryeministrit Edi Rama, homologut të tij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zaev përmes një statusi në Facebook, ku bashkangjitur me fotot e publikuara ka thënë se kanë rënë dakord për përgatitjet për Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal i cili do të mbahet më 29 Korrik në Shkup.

‘Ne lidhemi edhe më shumë për ta bërë jetën e të gjithë qytetarëve tanë më të lehtë dhe më të mirë. Ky është Ballkani i ri, Evropian.‘- përfundoi Zaev në status.

Tre liderët kanë vendosur që të takohen më 29 korrik në Shkup për të nënshkruar marrëveshje shtesë lidhur me lehtësirat mes shteteve për tregti, ndërsa pak ditë më parë kanë firmosur një deklaratë të përbashkët. Në deklaratë thuhet se tre liderët do të shprehin mbështetjen e plotë për tregun e përbashkët rajonal në Samitin e Procesit të Berlinit të 5 korrikut. Rama, Zaev e Vuçiç kërkojnë që Bashkimi Europian, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, të jenë pjesë e zhvillimit të atyre burimeve, duke ndihmuar kështu BE-në të arrijë objektivat e saj dhe duke tërhequr, në të njëjtën kohë, më shumë investime për të gjithë rajonin tonë e duke e bërë atë pjesë të tranzicionit të gjelbër europian.