MENU
klinika

Çfarë thonë provat shkencore për to?

A janë vërtet të nevojshme dozat e treta të vaksinave?

22.08.2021 - 11:28

Nga Natalie Grover

Shumë vende të pasura po konsiderojnë mundësinë e dhënies së një doze të tretë të vaksinave anti-Covid qytetarëve të tyre. Por a janë vërtet të nevojshme këto doza përforcuese?

Çfarë thonë provat shkencore për to?

Përgjigja e shkurtër është: gjithçka mbetet është e paqartë. Të dhënat paraprake, tregojnë se njerëzit përjetojnë një rënie të niveleve të antitrupave mbrojtëse disa javë dhe muaj pasi marrin dozat e tyre të para, sidomos kundër variantit shumë infektiv Delta.

Gjithsesi, është e paqartë se çfarë niveli antitrupash garantojnë një imunitet mjaftueshëm mbrojtës ndaj koronavirusit. Thelbësor në këtë rast është niveli i antitrupave ose i“ushtarëve” të tjerë të sistemit imunitar, siç janë qelizat T, që kërkohen për t’u mbrojtur nga Covid-19, veçanërisht nga format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet.

Meqë ai është i matshëm, nëse mbrojtja bie, vetëm atëherë do të ishte e justifikuar dhënia e një doze të tretë përforcuese të vaksinës anti-Covid. Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), kanë deklaruar se deri tani nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të mbështetur përdorimin e dozave shtesë.

Por tek njerëzit që vuajnë nga disa sëmundje kronike, të cilat e kanë dobësuar sistemin imunitar, reagimi ndaj dozave fillestare të vaksinave është larg optimales. Prandaj në raste të tilla mund të vlejë argumenti për administrimin e një doze përforcuese, veçanërisht kundër variantit Delta, argumentojnë disa shkencëtarë.

“Rastet e variantit Delta, veçanërisht në moshën mbi 60 vjeç, mund të përballohen më mirë me një dozë përforcuese. E njëjta gjë vlen për grupet e tjera të prekshme ose të imunizuara”-thotë Deni Altman, profesor i imunologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

“Dëshmitë aktuale mbi efektivitetin e vaksinës kundër varianti Delta, mbështetën pretendimin për dhënien e një doze përforcuese për individët e cënueshëm”- thotë dr.Simon Klark, profesor i asociuar në mikrobiologjinë qelizore në Universitetin e Ridingut.

A duhet të jepen si doza përforcuese vaksina të ndryshme?

As për këtë nuk ka një përgjigje të qartë. Në përgjithësi, mendohet se teknologjitë e ndryshme ku bazohen vaksinat, i japin mundësi sistemi imunitar të reagojë me të njëjtin objektiv, por në një mënyrë paksa të ndryshme, me shumë gjasa duke provokuar një përgjigje imune më të larmishme.

Për momentin, në Britani njerëzve u ofrohen 2 doza të së njëjtës vaksine. Por studiuesit po shohin nëse ofrimi i një doze të dytë të një vaksine të ndryshme anti-Covid -apo një injeksion i tretë i ndryshëm nga dy fillestarët – mund të rrisë nivelet e imunitetit.

Në fund të qershorit, të dhënat paraprake nga një studim duket se sugjerojnë se doza e tretë mund të jetë e dobishme, sidomos pas dozave të Oxford/AstraZeneca me një dozë përforcuese Pfizer/BioNTech.

“Bazuar në atë që po shohim këtu, kalimi tek një vaksinë ARN mund të ketë disa përfitime në aspektin e antitrupave”-tha Metju Sneip, drejtuesi i testeve mbi vaksinat dhe profesor i asociuar në pediatri dhe vaksinologji në Universitetin e Oksfordit.

Por nga ana tjetër ka shqetësime në lidhje me efektet anësore nga përzierja dhe përputhja e dozave. Një studim i paraqitur në Komitetin e Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), tregoi se nëse njerëzve u jepet një kombinim i vaksinave midis dozave të para dhe të dyta, efektet anësore mund të jenë më të këqija.

Cila është qasja e Britanisë ndaj dozave përforcuese?

Javën që shkoi, Sekretari i Shëndetësisë, Said Xhavid, sugjeroi se njerëzve mbi 50 vjeç ka të ngjarë t’iu ofrohet një dozë përforcuese në të njëjtën kohë me vaksinën e gripit, dhe ky proces pritet të fillojë në fillim të shtatorit.

Por JCVI, që këshillon qeverinë për politikën e vaksinave, nuk ka dhënë ende këshillat e saj përfundimtare mbi këtë çështje. Profesor Adam Fin, anëtar i JCVI, deklaroi të enjten se komiteti pritet të vendosë se cilat grupe të cënueshme duhet të rekomandohen për të marrë një dozë të tretë. Ndërkohë ai paralajmëroi: “Kemi nevojë për më shumë prova para se të marrim një vendim për një program shumë më të gjerë”.

Çfarë janë duke bërë vendet e tjera?

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të mërkurën se duke nisur nga 20 shtatori administrata e tij kishte në plan të vinte në dispozicion të të gjithë amerikanëve doza përforcuese të vaksinës Covid-19, në kushtet kur rastet e reja me variantin Delta po rriten. Izraeli ka filluar që t’u japë nga një dozë përforcuese njerëzve mbi 60 vjeç, dhe vetë presidenti Isak Hercog e ka marrë tashmë të një tillë.

Agjencia Evropiane e Barnave tha muajin e kaluar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të rekomanduar diçka të tillë. Gjithsesi disa vende kanë nisur vaksinimet e reja. Franca dhe Gjermania do të nisin në shtator vaksinimet përforcuese për grupe të caktuara.

Cili është argumenti kundër dozave përforcuese?

Përveç dëshmive të paqarta nëse ato janë të nevojshme për njerëzit e vaksinuar plotësisht, ka sërish një argument moral kundër dhënies së dozave përforcuese. Shpërndarja e dozave të treta në një kohë kur kaq shumë njerëz në shumë pjesë të botës janë ende duke pritur për të marrë dozën e tyre të parë është imorale, thonë ekspertët e OBSH-së.

Gjithsesi rritja e rasteve në shkallë të gjerë në vendet e pasura, dërgon një sinjal në të gjithë botën se dozat përforcuese janë kudo të nevojshme, thotë Endrju Polard, drejtor i Grupit të Vaksinave të Oksfordit dhe Set Berkli, shefi ekzekutiv i GAVi, Aleanca e Vaksinave. / “The Guardian”