MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Afganët mes nesh dhe Perëndimit

19.08.2021 - 15:05

Nga Mentor Nazarko

Sot duke kryer detyrimin e vet ndaj afganëve properëndimorë, Shqipëria (por dhe Kosova) bëjnë mirë që rrisin prestigjin ndërkombëtar, si ndër të parat shtete që i mirëpresin këta njerëz. Shtetet që nuk i kanë pranuar, të prekur nga emigracioni i paligjshëm e kanë frikë se një vendim kësisoj do të ishte si sinjal për ardhje të tjera të paligjshme, ndërkohë që Shqipëria nuk e ka një problem të tillë.

Mirpo ka një moment tjetër që ndoshta s’ka patur vëmendje shtëpiake: shkalla e integrueshmërisë, a përputhjes sociale të të ardhurve. Kush vjen janë të kualifikuar profesionalisht, nga puna me ushtrinë apo administratorë amerikanë dhe perëndimorë, njerëz që kanë jetuar pajtueshëm me ta. Kanë zanate, aftësi, që i bëjnë të përshtatshëm për shoqëritë tona: nga punonjësit e komunales, tek përkthyesit, shoferët, agjentët sekretë apo aktivistët socialë. Nuk janë njerëz që vijnë direkt nga malet e Afganistanit dhe zbresin në Evropë, ndonëse frika nga reagimi taliban i bën të duken (si ndodhi me fatkeqët që ranë nga fluturaket) se nuk e njohin avionin, apo realisht nuk kanë parë detin. Me gjasë, për të mos i marrë mësysh, kanë të drejtë dhe ata që vënë gishtin tek rreziku i deridikushëm që disa prej afganëve nga kontakti i menjëhershëm me shoqërinë tonë mesdhetare mund të yshten për akte përdhunimi, etj.  Duhet besuar që që ata janë të përkohshëm te ne, por edhe nëse një pjesë e tyre qëndrojnë, ne nuk jemi shoqëri që na rrezikohet përbërja etnike nga ardhja e tyre”. Sigurisht ka një kontrast: Amerikës i duhet 1 vit të shqyrtojë përputhshmërinë e tyre për viza emigrimi, ndërkohë që ne i pranojmë automatikisht, por duhet supozuar se ka një arsyetim kompleks në lidhje me këtë çështje. Mirpo si paralele: pse Gjermania zgjodhi tw mirwpresw sirianwt? Sigurisht pwr skrupuj humanw, por dhe se ata do tw ishin mw tw dobishwm pwr nevojat e ekonomisw gjermane, me nivelin mesatar tw shkollimit mw lart se popullsitw e tjera arabe, apo me zanatet e tyre…

Pse kjo mungesë transparence?

Karta e transparencës është qesharake. Ky është një operacion, i mbajtur në sekretësi të plotë nga ideatorët, pra amerikanët, qw na e kanw imponuar dhe ne. Si përfytyrim të sekretësisë, për operacionin, të marrim shembullin e Kosovës. Ka tre elementë që theksojnë teknikën të e SHBA për të siguruar fshehurazi konsensusin e vendeve tona. E para, ata kanë zgjedhur të flasin me Presidenten Vjosa Osmani, interlokutore e privilegjuar e amerikanëve, ndonëse problemi është logjistik, tipik për ekzekutivin. Ajo tha (e para ndër krerët e Kosovës) se është kontaktuar që më 16 korrik nga ambasadori Kosnet, si porosi e Presidentit Biden. Momenti i dytë, nuk kishim deri para dy ditësh (kur qeveria kosovare vendosi zyrtarisht) asnjë qëndrim publik të z. Kurti, ndoshta për shkak të faktit që Kosova është në fushatë elektorale dhe sipas ndonjë përfytyrimi, ky vendim mund të ndikojë. Momenti i tretë, që thekson sekretësinë ndërshqiptare, është fakti që z. Rama thoshte se nuk e di nëse i është bërë Kosovës një propozim i tillë, por sipas tij, “nëse i është bërë, Kosova duhet ta pranojë”. Ose Rama vërtet s’dinte; ose bënte sikur s’dinte, ose nuk e kanë informuar homologët e tij, të ftohur për shkak të gripit të verës, quajtur Bregoviç… Pra, amerikanët kanë vepruar në sekretësi të plotë dhe iu kanë thënë liderëve ballkanikë se ‘ne po flasim me ju, por ju nuk duhet të flisni me të tjerë’. SHBA i kanë kontaktuar veç e veç shtetet e rajonit. Pse? Ky është një operacion që ka brenda elementë, që lidhen me sigurinë kombëtare: celula të terrorizmit ndërkombëtar, mund të godasin simbolikisht bash në këtë moment, edhe në vendet tona duke përfituar nga vëmendja publike.

Përfitimet politike për udhëheqësit.. dhe Shqipërinë e Kosovën

Me përgjigjen e shpejtë si të parët, apo dhe me vetëofrimin- rasti i Shqipërisë, SHBA gjendet ne një lloj borxhi me ne, që ta ndihmojë vendin apo kombin tonë në një çështje tjetër. Kjo është pikë force për vendin tonë, pse jo dhe kredencial për Ramën. Kohët e fundit liderët tanë (Berisha dikur) kanë marrë vendime si këto të cilat u kanë dhënë njëlloj bonusi personal në marrëdhëniet me SHBA-të, por ky nuk është argument të sulmosh të gjithë inisiativën, që forcon më së pari, prestigjin tonë kombëtar, Shqipëri e Kosovë bashkë. Sepse Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në unison me SHBA në çdo çështje, posaçërisht Kosova që ka një sfidë si dialogu me Serbinë, përballë të cilës duhet të jetë sa më e fortë dhe me shumë miq besnikë. Ky unison ruhet me vepra si kjo, por dhe kur politikanët tanë a njerëzit tanë me ndikim- kujtoni Rugovën që quhej bashkëbisedues i vështirë prej amerikanëve, por kurrë s’ foli kundër tyre– duhet të kujdesen të mos thonë asgjë në publik kundër Shteteve të Bashkuara. Pra as të mos nguten të analizojnë publikisht të ashtuquajturat dobësi të SHBA-ve në menaxhimin njëzet vjeçar të Afganistanit. Raporti ynë me Amerikën është një aset diferencial, historik, mjafton të kujtojmë shprehjen e Hillary Clinton se “Ne kemi qenë bashkë në 100 vitet e fundit dhe do të jemi bashkë edhe në 100 vitet e ardhshme”. Ndaj duhet pritur që edhe z. Kurti të dalë publikisht të flasë në shkallë sipërore për këtë operacion, duke theksuar kësisoj rreshtimin e përbashkët  properëndimor me Shqipërinë në krah të SHBA-ve. Kjo dalje e tij, kaq e dobishme në raport me dialogun- Serbia nuk ka marrë afganë-, do i shërbente pozitës negociale të Kosovës në dialog, por dhe forcimit të frymës proamerikane te qytetarët, posaçërisht tek votuesit e tij. Kjo frymë pozitive nuk është e dhënë njëherë e mirë, ajo u lëkund nga përplasjet publike pa asnjë alibi të Kosovës me SHBA-të, posaçërisht me administratën Trump. Dhe mu në një kontekst si ky, me vetëdije a pa vetëdije, nguliten sepse inxhinierohen frikëra a bindje kolektive, me goditje shumëplanëshe nga shërbimet serbe a ruse: SHBA-të do tërhiqen nga Kosova njëjtë si në Afganistan!!

Çështja e refugjatëve afganë ku Shqipëria dhe Kosova po sillen me pjekuri duke fituar pikë përballë SHBA-ve thekson ndarjen e sotme Lindje-Perëndim: ndërsa Perëndimi, NATO, me në krye SHBA-në, merr përgjegjësitë, dhe mirëpret njerëzisht qytetarët e rrezikuar afganë, Lindja i gëzohet të ashtuquajturit dështim të Perëndimit dhe s’ tregon kurrfarë humaniteti, ndonëse as shtete si Rusia nuk i njohin talibanët si faktor i ligjshëm. Ne si komb ama u rreshtuam dhe këtë herë me Perëndimin./konica.al