MENU
klinika

Cili ishte ministri më pizeveng i Enverit?

“Ai shkonte natën, i dehur dhe rrihte Kadri Hazbiun në qeli”

03.08.2021 - 12:47

       “Ishte krejt ndryshe nga ministrat e tjerë. Shfaqej serioz në publik në krahë të Enverit, apo Ramizit, po ishte krejt tjetër në zyrën e ministrit, ku dallonte megalomania dhe vesi i fshehur”.

E ndërsa veçon këtë sjellje me dy fytyra të ish-shefit të tij, Luan Pogaçi, ish-shefi i Ndërlidhjes dhe Informacionit të Drejtorisë së Dytë, kujton për Gazetën Panorama.al një episod tronditës që edhe vet fillimisht nuk e ka besuar.

Hekuran Isai, shprehet ai, shkonte pas mesnate i dehur në qelinë e Kadri Hazbiut dhe e rrihte. Ministri me vese, sipas Pogaçit, shquhej dhe për shumë bëma të tjera, por që nuk preferon t’i publikojë për efekt etike.

Në vijim të rrëfimit, ish-zyrtari i lartë i Sigurimit tregon detaje të tjera që kanë të bëjnë me shtimin e masave të sigurisë për Enver Hoxhën pas tragjedisë së Mehmet Shehut.

Ai konfirmon ndër të parët se kur kreu i Partisë lëvizte jashtë Tiranës përdorte një sozi që qëndronte në vendin e tij në limuzinë…

Vijon nga numrat e kaluar

Zhurma që krikoi “kryqëzimi” i Kadri Hazbiut

Fundi i Kadri Hazbiut ishte një ngjarje shokuese, jo vetëm për ne efektivët e Ministrisë së Brendshme, por për mbarë opinionin. Ai për dekada të tëra ishte shfaqur publikisht si një nga liderët besnik të Enver Hoxhës, por sakaq kishte fituar një simpati të veçantë për komunikimin popullor që mbante me vartësit dhe me njerëzit e thjeshtë.

Ai ishte një nga kuadrot e vjetra të luftës, që për shumë vite kreu detyrën më delikate siç vlerësohej asokohe funksioni i ministrit të Brendshëm, ndryshe syrit dhe veshtit të Partisë.

Kadriu i futur në rrethin e sulmit pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, nuk u kursye të pranonte gabimet që kishte bërë gjatë ushtrimit të detyrës, veçanërisht atë që kishte të bënte me dorëzimin e listën së oficerëve të Zbulimit e Agjenturës Sovjetike. Mirëpo, asgjë nga reflektimi që bëri gati me zemër në dorë nuk i vlejti për t’i shpëtuar gijotinës vrastare.

Pas gjithë asaj furtune në Plenium, Byro Politike dhe forume partiake, që paracaktoi fatin e tij, nuk vonoi noterizimi i ndëshkimit fatal nga organet e drejtësisë. Partia dhe bashkëpunëtorët e tij, me një të rënë të lapsit fshinë çdo gjë nga kontributet e Hazbiut në shërbim të detyrës dhe Partisë. U hodh në kosh, ndërkohë dhe merita e madhe që kishte Kadri Hazbiu në eliminimin e bandave diversioniste, kur drejtonte operacionet e bujshme me bashkëpunëtorët e tij të afërt Mark Dodani, Hekuran Pobrati dhe Asim Aliko.

Në këtë periudhë, përveç detyrës së shefit të Ndërlidhjes së Udhëheqjes, mua më ngarkuan dhe atë të shefit të Informacionit në Drejtorinë e Dytë. Në këtë zyrë kishte shërbim 24 orë, pa ndërprerje. Aty grumbulloheshin të gjitha të dhënat për lëvizjen e udhëheqësve, jepeshin porosi për degët e brendshme në rrethe për sigurimin e tyre, shpërndahej posta sekrete, merreshin porosi nga udhëheqja etj.

E gjithë kjo dinamikë dokumentohej me korrektësi në një regjistër të veçantë shumë sekret. Prej këtej mbanim lidhje të vazhdueshme në çdo qytet me punëtorin operativ të Degës së Punëve të Brendshme, i cili përgjigjej ndër të tjera edhe për masat e sigurimit në rrethin e tij, për udhëheqjen, por dhe me nënkryetarin e degës që mbulonte sigurimin. Mbaj mend që kemi marrë dy herë masa ndëshkuese për moszbatim në kohë të porosive të dhëna.

Një në Librazhd dhe tjetrën në Fier. Në veçanti për rastin e Fierit më ka ardhur keq për punëtorin operativ që doli në lirim pas propozimit tonë. Ai ishte një djalë i kulturuar që kishte ardhur në strukturat tona, pasi kishte përfunduar studimet në Institutin e Lartë Bujqësor. Në fakt, detyra e re si shef i Informacionit, njëherazi me atë të shefit të Ndërlidhjes së Udhëheqjes, ishte sa e vështirë aq dhe delikate. Zhvillimet e vrullshme të asaj periudhe, e bënin akoma dhe më stresante. Sidoqoftë, fal përkushtimit dhe integritetit, ia dola, pa marrë madje qoftë dhe një vërejtje.

“LALI HEKRI”, MINISTRI ME VESE

Kur Kadri Hazbiu kishte zënë burgun, në krye të Ministrisë së Brendshme kishte ardhur Hekuran Isai, një ministër krejt ndryshe nga të gjithë ata që kishim kaluar. Përtej asaj që binte në sy kur shfaqej në publik në krahë të Enverit apo Ramizit si udhëheqës serioz e besnik, që ishte gati të sakrifikonte gjithçka për interesin e Partisë, në zyrën e ministrit ishte krejt tjetër, ku dallonte megalomania dhe vesi i fshehur.

Ne që ishim mësuar me profil tjetër ministri, e patëm shumë të vështirë të pajtoheshim me tipin e tij, sa të vështirë aq dhe vulgar në shumë raste. Shumëkush nga kolegët e mi ruan në kujtesë mjaft bëma të ministrit Isai. Të tilla ruaj edhe unë. Në kohën kur Kadri Hazbiu ishte në paraburgim dhe hetohej, një mbrëmje vonë, më telefonoi oficeri i Shërbimit të Informacionit të Drejtorisë, Y. Sadikaj dhe më thotë:

“Më fal shef për shqetësimin, po më ka telefonuar Lali Hekri (kështu e thërris nim midis nesh atëherë ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai) dhe më kërkoi një makinë, të gatshme, po këtu kam vetëm “Aron” 7 vendëshe, si të bej?”. Aty për aty pa u menduar dy herë i thashë që t’i dërgojë atë që ka.

Dhe ai ashtu veproi. Të nesërmen në mëngjes pyeta shoferin e makinës 7 vendëshe, Gani Shameti, se ku kishte shkuar mbrëmë me Lalen. Shumicës së udhëheqjes në Drejtori u kishim ngjitur ndonjë nofkë kur bisedonim me njeri-tjetrin. Hajredin Çelikun p.sh. e quanim “Baxhanaku”, pasi kishte në drejtorinë tonë një baxhanak të tij. Hekuranin e quanim “Lal Hekri”, ose thjesht “Lala”, Lenka Çukon e quanim “Tezja”, e kështu me radhë. Ndërkaq, shumë herë i identifikonim me emrat e shoqëruesve. Gjatë bisedës, Ganiu me thotë se Lala kur kishte hipur në makinë kishte qenë tapë dhe mbante erë raki.

Shkuam te burgu, shtoi Ganiu, Lala u fut në bllokun e qelive, ndërsa unë qëndrova në paradhomë duke pritur. Nuk kaloi shumë dhe vë vesh me shurdhoi një e bërtitur e fortë, që nuk ndërpritej. Mbeta si i shtangur, ca më tepër kur ai zë më dukej si i Kadri Hazbiut. Krijova përshtypjen që po e rrihte Hekurani. Mu rrëqeth mishi. Ishte diku pas mesnate. E dëgjova Ganiun dhe një moment nuk doja ta besoja.

Po kishte qenë e vërtetë. E njëjta ngjarje u përsërit dhe shumë netë të tjera, ku Hakurani merrte makinën e gatshme të Drejtorisë sonë dhe shkonte te qelia e Kadri Hazbiut për ta rrahur.

Këtë prapsi të rrallë në llojin e vet, Lal Hekri, nuk mundohej as ta fshihte. Po, bëmat e tij nuk mbaronin me kaq./Panorama

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët