“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Alergji apo COVID-19, si të dallojmë ndryshimin?
Mjeku: Sipas Kolegjit Amerikan të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë theksohet se alergjitë ndodhin kur sistemi imunitar reagon keq ndaj diçkaje që zakonisht mund të jetë e padëmshme për të tjerët (psh nga poleni, pluhuri etj).
Simptomat më të shpeshta të alergjive janë:
– rrufë
– hundë të bllokuara
– gulçim
– lodhje
– teshtima
– kollitje
– dhimbje koke
– vështirësi në frymëmarrje
Përveç këtyre simptomave, Marc F. Goldstein, shef i alergjisë dhe imunologjisë në Spitalin e Pensilvanisë, thotë se ata që kanë alergji sezonale mund të përjetojnë edhe kruajtje, lotim dhe/ose fryrje të syve, kruarje të hundës, veshëve, fytit etj.
Shpesh shumë njerëz i ngatërrojnë simptomat e alergjive me ato të COVID-19 sepse disa nga simptomat si teshtima, lodhja, vështirësia në frymëmarrje janë të përbashkëta.
Sipas Qëndrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tre janë simptomat kryesore të COVID 19:
– ethe
– vështirësi në frymëmarrje
– dhe kollë e thatë
Prandaj, sipas ekspertëve nuk duhen ngatërruar simptomat sepse alergjitë nuk japin temperaturë dhe shumicën e rasteve shoqërohen me kruajtje ndërsa koronavirusi jo. Dhe teshtima është shumë e shpeshtë tek personat që vuajnë nga alergjitë, ndërsa në rast se jeni infektuar me COVID s’ndodh shpesh.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim