Teknologjia online, e implementuar së fundmi edhe për regjistrimet në shkollë, nuk është përqafuar menjëherë nga qytetarët.
Për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve, ministria e Arsimit është detyruar të rihapë portalin “e-albania” për klasat e para dhe të dhjeta. Kësaj here, jo vetëm për nxënësit që banojnë afër shkollës, por edhe për ata jashtë qendrës së banimit. Kjo duke specifikuar arsyen dhe vetëm në rast se shkolla ka hapësirë për ta. Qytetarët kanë dy javë afat për të kryer regjistrimin në rrugë elektronike.
Për disa regjistrimi online ka shkurtuar kohën dhe kostot në nxjerrjen e dokumenteve, por për një pjesë të mirë është kthyer në kokëdhembje, pasi nuk janë regjistruar dot për arsye teknike apo për shkak të tejkalimit të afateve të përcaktuara. Në përfundim të fazës së parë rezultojnë të kenë aplikuar vetëm 5580 për klasën e parë dhe 7343 për në gjimnaz, numër ky disafish më i ulët se interesi dhe vetë kapacitetet pritëse që ofron shkolla.
KUSH APLIKON
Mjafton llogaria e hapur në “e-albania”. Procesin e aplikimit mund ta bëjë kushdo: njëri nga prindërit, një familjar apo kujdestar ligjor i fëmijës. Por duhet pasur kujdes në një pikë. Adresa, numri i telefonit dhe email-i duhet të jenë të sakta, pasi në të kundërt, sistemi kthen mbrapsht aplikimin, duke e quajtur të pavlefshëm. Brenda 24 orësh, në të dhënat e lëna në mënyrë automatike, secili duhet të marrë një njoftim mbi statusin e aplikimit, i cili bëhet vetëm online dhe jo manualisht në shkollë. Sidoqoftë, këto të fundit janë të hapura për çdo person që ka paqartësi.
PROCEDURA
Ata që ende nuk kanë adresë në “e-albania”, tanimë e kanë rastin për ta hapur, pasi vetëm përmes saj mund të aplikohet për t’u regjistruar si në klasën e parë, ashtu edhe në të dhjetën. Në portal ka një rubrikë të posaçme, në të cilën duhen ngarkuar dokumentet e nevojshme. Ata që ulen për herë të parë në banka (që përllogariten çdo vit rreth 25 mijë) iu duhet të ngarkojnë dokumentet e paraqitura në tabelën përbri. Për klasën e dhjetë ngarkohet dëftesa e fëmijës, e skanuar në të dyja faqet e saj. Nëse nuk është prindi ai që aplikon, por kujdestari ligjor, nevojitet dokumenti përkatës. Pasi të plotësohen me kujdes të gjitha rubrikat e aplikimit për regjistrim në klasën e parë a të dhjetë, jepet opsioni “dërgo”.
Si rregull, në numrin e telefonit të lënë nga aplikuesi vjen një mesazh mbi statusin e aplikimit, ndërsa nga “e-albania” një numër reference, që duhet ruajtur pasi përmes tij gjurmohet çështja dhe statusi i aplikimit në ditët në vijim. Miratimi ose refuzimi i kërkesës do të vijë në email për secilin. Nëse është pozitive, duhet dorëzuar në shkollë vetëm dokumentacioni që “e-albania” sjell në adresën elektronike dhe procesi quhet i përfunduar. Në të kundërt, çdo prind do të ndjekë procedurën klasike në shkollë e në pamundësi për t’u regjistruar në shkollën e dëshiruar, do të gjejnë alternativa të tjera shkollimi.
DOKUMENTET QË NEVOJITEN
PËR KLASËN X
– Dëftesë lirimi (skanim i origjinalit)
– Dokumenti i kujdestarisë ligjore në rastet kur fëmija regjistrohet nga personi që ka kujdestarinë ligjore
– Raport mjekësor (vetëm kur aplikohet për
shkollë të mesme me konkurs – sportive)
PËR KLASËN I
– Certifikatë e fëmijës
– Vërtetimin e rrugës që i përket shkollës
– Vërtetim vaksinimi
– Dokumenti i kujdestarisë ligjore (vetëm në
rastet kur aplikimi kryhet nga personi që ka
kujdestarinë ligjore, jo prindi)