MENU
klinika

Europa masa për të pavaksinuarit

Azia përballet me fazë të rëndë të pandemisë

11.08.2021 - 10:28

Disa pjesë të Azisë janë duke u përballur me disa prej fazave më të rënda të pandemisë, të nxitura nga varianti Delta i koronavirusit.

Infektimet ditore në Korenë Jugore kanë kaluar shifrën 2,000, për herë të parë prej nisjes së pandemisë.

Koreja Jugore ka kontrolluar pandeminë një pjesë të mirë të kohës, mirëpo së fundmi situata është përkeqësuar për shkak të Deltës.

Malajzia, Tajlanda, Indonezia, Vietnami dhe Filipinet në Azinë Juglindore, janë duke u goditur rëndë nga virusi, pasi kufizimet janë duke dëmtuar edhe sektorin e prodhimit dhe zinxhirin e furnizimeve globale.

Kina ka raportuar 111 raste të reja të infektimit më 11 gusht.

Varianti Delta është duke sfiduar edhe qasjen e ashpër të Pekinit ndaj virusit, që përfshin testime masive, izolime të lokalizuara dhe kufizime në udhëtim.

Shifrat ditore të të infektuarve në Turqi janë ndër më të lartat në tre muajt e fundit, pasi autoritetet kanë regjistruar mbi 26,597 raste brenda 24 orëve të fundit, duke rrezikuar planet për rikthim të fuqishëm të turizmit këtë verë.

Në Evropë, Gjermania pritet të ndjekë hapat e Francës dhe Italisë, duke vendosur kufizime, apo duke e bërë më të vështirë jetën për të pavaksinuarit.

Qeveria federale dhe disa lande janë pajtuar që, të pavaksinuarit, apo ata që nuk janë shëruar nga koronavirusi, do të duhet të tregojnë test negativ në koronavirus, për të fituar qasje në shumicën e aktiviteteve të brendshme.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se shpreson që rregullat, të cilat do të hyjnë në fuqi më 23 gusht më së voni, do të inkurajojnë njerëzit që të vaksinohen, pas ngadalësimit të ritmit.

“Lajmi i keq është se shkalla e vaksinimit ka humbur ritmin”, ka thënë Merkel në një konferencë për media.

“Shpresoj se ritmi do të rikthehet sërish pas pushimee të verës. Sa i përket vaksinimit, nuk jemi aty ku duhet të jemi”, ka thënë mes tjerash ajo.

Aktualisht, 55 për qind e popullsisë në Gjermani është e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi./REL