Bashkia Korçë ka tentuar të qetësojë shqiptarët që kanë qenë kundër pranisë së këngëtarit serb Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë. Në një postim në rrjetet sociale, ndoshta nga frika sa nata e 22 gushtit mund të shoqërohet me përplasje, Bashkia Korçë ka njoftuar se Bregoviç do të këndojë dhe shqip.
Bëhet fjalë për një këngë të vjetër të kënduar nga Bijelo Dugme dhe e shkruar nga Agron Berisha shumë vite më pare me titull “Kosovska”.
“KOSOVSKA është kënga shqipe që ka zgjedhur Goran Bregovic për të çelur nesër koncertin në Korçë.
Ai me muzikën e tij të mrekullueshme dhe publiku i festës me mikpritjen entuziaste do të japin nesër nga Korça mesazhin se arti dhe kultura janë ura miqësie që lidhin popujt.
Sot dhe nesër për të përballuar kërkesat e shumta do të ketë shitje fizike të biletave të koncertit edhe në hyrje të Pazarit të Vjetër dhe tek biletaritë e dedikuara pranë City Center nga ora 18.00 e në vazhdim.
A e din se t’gjithë do të jenë atje
Për ne të dy do të ketë hare
Shkojmë së bashku një, dy, tre!
Roke mandolinën
Bjeri bjeri bjeri çifteliës
Të gjithë do t’këndojmë kënga le t’jehojë
Kënga le t’jehojë –
Çdo gjë mund të jetë Roken-roll,”- shkruan Bashkia e Korçës.
Bregoviç do të këndojë natën e fundit të festimeve të Festës së Birrës në Korçë dhe ardhja e tij në Shqipëri ka sjellë mjaft revolta. Serbi nuk do të këndojë falas për popullin shqiptar më 22 gusht. Bileta për ta parë atë do të jetë 10 mijë lekë të vjetra (ose një mijë lekë të reja). Bashkia e Korçës është shprehur se tashmë kontratat janë mbyllur të gjitha dhe se pavarësisht revoltave, koncerti i Bregoviç nuk do të anulohet. Kosova ka kërkuar që të respektohet ndjeshmëria e viktimave të luftës, kurse në Shqipëri ka pasur zëra për dhunë. Një prej tyre ishte edhe reperi Noizy.