MENU
klinika

‘Bien’ Kandahari dhe Herati!

Kabuli mund të izolohet brenda gushtit

14.08.2021 - 09:58

Kryengritësit talibanë kanë marrë qytetin e dytë dhe të tretë më të madh afgan, thanë zyrtarët lokalë të premten, ndërkohë që rezistenca nga forcat qeveritare është thyer përballë avancimit të luftëtarëve talibanë. Po shtohen shqetësimet se një ofensivë talibane ndaj Kabulit mund të ndërmerret brenda pak ditësh.

Një zyrtar qeveritar konfirmoi se Kandahari, zemra ekonomike e jugut të Afganistanit, ishte nën kontrollin taliban, ndërkohë që forcat e huaja përmbyllin misionin ushtarak 20-vjeçar në këtë vend.

Herati në perëndim të vendit, pranë kufirit me Iranin, ra gjithashtu në duart e grupit ekstremist.

“Herati duket si vijë e frontit, si qytet fantazmë,” tha anëtari i këshillit krahinor Ghulam Habib Hashimi në një bisedë telefonike nga Herati me 600,000 banorë.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se ka shqetësime që talibanët mund të fillojnë mësymjen drejt Kabulit brenda pak ditësh.

Kabul, mbërrin kontigjenti i parë i përforcimeve të reja amerikane

Kontigjenti i parë i bataljonit të marinsave amerikanë ka mbërritur në Kabul për të ofruar mbrojtje ndërkohë që ShBA përshpejtojnë evakuimet me mjete ajrore të disa diplomatëve amerikanë dhe mijëra afganëve. Këto përpjekje bëhen ndërkohë që talibanët kanë avancuar në ofensivën e tyre duke izoluar gjithnjë e më shumë kryeqytetin afgan, Kabul.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se “elementë” të bataljonit ndodhen tashmë në Kabul. Ata janë pararoja e tre bataljoneve me pjesëtarë të forcave tokësore dhe marinës amerikane që po dërgojnë Shtetet e Bashkuara në kryeqytetin afgan brenda kësaj jave për dislokim të përkohëshëm.

Pentagon spokesman John Kirby speaks during a media briefing at the Pentagon.
Talibanët, të cilët kanë marrë zemër nga tërheqja e pritshme e trupave amerikane nga Afganistani, arritën të marrin nën kontroll katër kryeqytete të tjera krahinore të premten, duke shtuar shqetësimet se së shpejti do t’i drejtohen Kabulit, ku jetojnë miliona afganë.

“Duket qartë nga veprimet e tyre se po përpiqen të izolojnë Kabulin,” tha zoti Kirby në konferencën për shtyp në Pentagon.

Pentagoni po dërgon edhe 4,500-5,000 trupa shtesë në bazat amerikane në dy vende të Gjirit Persik, Katar dhe Kuvajt. 1,000 trupa po dërgohen në Kuvajt për të mbështetur operacionet për nxjerrjen e vizave për përkthyesit afganë dhe të tjerë që kanë ndihmuar amerikanët në të kaluarën.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se SHBA së shpejti do të fillonin fluturime të përditshme për të realizuar evakuimin e afganëve që kishin ndihmuar trupat amerikane gjatë këtyre 20 vjetëve.

3,400-4,000 trupa nga një brigadë luftarake e Divizionit 82-të Këmbësorisë, i pajisur me kapacitete fluturimi, janë nisur për Kuvajt, si forcë rezervë në gatishmëri “në rast se nevojiten trupa të tjerë“ përveç 3,000 ushtarëve që u dërguan në Kabul, tha zëdhënësi.

Përforcimet e përkohëshme që po dërgojnë Shtetet e Bashkuara reflektojnë shpejtësinë e papritur me të cilën kanë avancuar talibanët, të cilët më pak se 20 ditë nga tërheqja e plotë amerikane nga Afganistani kanë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit.

Presidenti Joe Biden ka vazhduar të këmbëngulë se prezenca amerikane merr fund më 31 gusht, duke përsëritur se misioni amerikan dhe i NATO-s i filluar më 7 tetor 2001 ka bërë sa ka mundur për të mbështetur krijimin e institucioneve qeverisëse afgane dhe për të stërvitur e pajisur një ushtri afgane të aftë për të përballuar ofensivën e talibanëve pasi të largohen trupat e huaja.

Rezistenca e ushtrisë afgane të stërvitur nga amerikanët po vihet seriozisht në pikëpyetje.

Një analizë e fundit e ekspertëve ushtarakë thotë se Kabuli mund të bjerë në duart e talibanëve që në shtator dhe ky grup ekstremist mund të marrë plotësisht vendin brenda pak muajsh.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se po evakuojnë të gjithë personelin jo-të domosdoshëm të ambasadës amerikane në Kabul.

Ky evakuim krijon komplikime të reja në përpjekjet për të nxjerrë viza për afganët që punuan me amerikanët, por zëdhënësi Ned Price tha se po peshohen plane alternative për ta zgjidhur situatën. Ka gjasa që operacionet esenciale diplomatike të zhvendosen në aeroportin e Kabulit, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Britania po dërgon 600 trupa në Afganistan për një operacion të shkurtër në ndihmë të nxjerrjes së shtetasve britanikë nga ky vend.

Afganistan, Trupat shtesë vënë në provë planet e tërheqjes amerikane brenda gushtit

Vendimi i marrë me ngut për të dërguar 3,000 trupa në Afganistan për të ndihmuar me evakuimin e personelit diplomatik ka vënë në pikëpyetje përmbushjen e synimit të Presidentit Biden për tërheqje të plotë brenda 31 gushtit. Pararoja e marinsave mbërriti në Kabul të premten dhe pjesa tjetër do të mbërrijnë deri në fund të javës.

Zyrtarët kanë theksuar se trupat e reja kanë një mision të kufizuar për të ndihmuar me evakuimet ajrore të personelit dhe pritet ta përfundojnë detyrën brenda muajit. Por këtij kontigjenti mund t’i duhet të rrijë më gjatë nëse ambasada vihet në rrrezik nga marrja nën kontroll e Kabulit brenda gushtit.

“Duket qartë nga veprimet e tyre se po përpiqen ta izolojnë Kabulin,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby duke iu referuar sukseseve të shpejta që kanë shënuar talibanët në fushatë gjatë ditëve të fundit.

Presidenti Biden tha në prill se deri më 31 gusht do të largoheshin nga vendi 2,500-3,000 trupat që ndodhen ende atje. Tani ky numër ka rënë në 1,000 trupa. 650 prej tyre janë planifikuar të qëndrojnë në Afganistan si siguri mbrojtëse për misionin diplomatik amerikan.

Por vendimi i së enjtes për të dërguar 3,000 trupa shtesë në aeroport krijon komplikime në planet amerikane. Nuk ka pasur sinjale se trupat mund të përfshihen në operacione luftarake, por mbajtja e ambasadës në operim mund të kërkojë një kontigjent trupash. E gjithë kjo varet nga avancimi i talibanëve drejt Kabulit.

Nëse në datën zyrtare të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, më 31 gusht, në Afganistan do të kishte ende mijëra trupa amerikane, do të krijohej një skenar i vështirë për Presidentin Biden, i cili pret të deklarojë mbylljen zyrtarisht të misionit.

Stephen Biddle, profesor i shkencave politike në Universitetin Columbia tha në një intevistë se njoftimi për dërgimin e 3,000 trupave shtesë për të nxjerrë diplomatët amerikanë, ka gjasa t’i demoralizojë edhe më shumë afganët.

“Po u përcjellim afganëve mesazhin se: “Qyteti i Kabulit do të bjerë aq shpejt, saqë ne nuk arrijmë të përballojmë as një tërheqje të personelit diplomatik me ritme normale,” tha zoti Biddle duke shtuar se kjo i bën afganët të mendojnë se amerikanët nuk shohin të ardhme për qeverinë afgane dhe “ky vend mund të jetë shkrumb e hi brenda pak orësh”./Burimi: Zeri i Amerikes

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Janë larguar 241 mijë njerëz"

Shefi i OKB: Afganistani jashtë kontrollit