Debati për performancën e artistit serbo-boshnjak Goran Bregoviç ka arritur kulmin në Shqipëri e Kosovë me personazhe publikë “Pro” dhe “Kundër”. Pengesë pranimi për disa është ngaqë këngëtari është serb.
Mirëpo “Birra Peja” ka marrë një vendim lidhur me pjesëmarrjen në këtë festë që do të zgjasë disa ditë.
“Në momentin që kemi kuptuar që Festivali i Birrës në Korçë ka ftuar këngëtarin Goran Bregoviç të performojë, Birra Peja është tërhequr nga pjesëmarrja dhe mbështetja e këtij festivali. Ne besojmë që Festivali i Birrës duhet të sjellë kënaqësi duke krijuar një atmosferë miqësore mes të gjithëve andaj edhe jemi të hapur për të mbështetur iniciativa të tjera argëtuese për të zëvendësuar këtë festival”, njofton “Birra Peja”.
Por po të hulumtosh paksa, mëson se i gjithë ky veprim publik ndaj qytetarëve i Birrës Peja është asgjë dhe më shumë veçse një mashtrim i madh.
Këtu zbulohen dy të vërteta të mëdha.
Së pari, “Birra Peja” ka 3 vite që nuk shkon në këtë festival jo se po u përbashkohet ndjenjave shqiptare për të mos duruar dot artin e Bregoviçit por për një arsye shumë materialiste. Konkurrenca. “Birra Peja” është ndjerë gjithnjë në konkurrencë me “Birra Korça”, që ka qenë gjithmonë pjesë e këtij festivali.
E vërteta e dytë e hidhur është se pronar i “Birra Peja” që qenka tronditur për ndjenjat e shqiptarëve ndaj ftesës së Bregoviçit është Blerim Devolli.
Devolli në fakt është tregëtari më i madh i miellit serb.
Pra, për arsye fitimesh mielli serb është i shkëlqyer por kur vjen puna te artistët, le të nxjerrim një pretekst për të justifikuar mungesën edhe këtë vit me shpresë mos bëjmë për vete ca klientë të rinj.
Ky vit shënon 15-vjetorin e festës së Birrës që mbledh në Korçë vizitorë shqiptarë e të huaj. Festa është menduar të zgjasë 5 net, nga data 18 deri në 22 gusht, kohë në të cilën do të mbahen 10 koncerte, me këngëtarë nga Shqipëria e Kosova.
Në natën finale do të përformojë edhe këngëtari serbo-boshnjak i njohur ndërkombëtarisht, Goran Bregoviç, i ftuar nga Bashkia e Korçës./ Hashtag.al